Lajme

Gazeta gjermane paralajmëronte në vitin 2015: Në Kosovë po fiken dritat. Termocentralet e vjetër po bllokojnë zhvillimin

Shkruan Enver Robelli duke iu referuar një teksti të botuar nga gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, botuar në vitin 2015:

Gazeta e famshme gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” botoi më 8 mars 2015 një tekst të gjatë mbi krizën energjetike në Kosovë. Titulli: Në Kosovë po fiken dritat. Nëntitulli: Mjerimi ekonomik po i përzë njerëzit nga Kosova. Ndaljet e rrymës dhe termocentralet e vjetra po e bllokojnë zhvillimin. A mund ta shtendosin firmat gjermane bombën me sahat?

Gazetari Christian Geinitz citonte kryetarin e atëhershëm të Ferizajt, Muharrem Svarqa, i cili thoshte: “Që nga janari (2015) nga Ferizaj kanë emigruar 3500 persona”. Pastaj ai shtonte: “Nëse as njerëzit tanë nuk besojnë në ardhmëri, si të besojnë investitorët?” Tutje ai nënvizonte: “Më e keqja është se gjatë dimrit nuk ka rrymë”.

Gazeta gjermane njoftonte se gjatë një shpërthimi në termocentralin e Obiliqit në verën e vitit 2014 vdiqën dy punëtorë, 30 u lënduan.

Lexo më shumë  Gërvalla takon Stierin, fokus anëtarësimi në KiE

Plani i kompanisë gjermane Bilfinger ishte sanimi komplet i blloqeve të termocentraleve të Obiliqit. Përfaqësuesi i firmës Bilfinger Volker Harzbecker deklaronte se qeveria e Kosovës nuk është e gatshme të gjejë zgjidhje për problemin e furnizimit me energji elektrike.

Kosova renditet në vendin e katërt në botë me rezerva qymyri (12 miliardë tonelata). Qymyri kosovar mund të gërmohet lehtë dhe është cilësor, shkruante gazeta gjermane.

Një zyrtar kosovar alarmonte se rreziku për t’u sëmurë nga kanceri në Obiliq dhe rrethinë (përfshirë edhe Prishtinën) është një çerek më i lartë se në pjesën tjetër të vendit.

Ndonëse Kosova pushon mbi thesar, ajo, varësisht nga moti, duhet të importojë 15 deri 40 për qind të energjisë elektrike.

Sipas një studimi të USAID dëmet që shkaktohen nga mungesa e energjisë elektrike i kushtojnë Kosovës çdo vit 400 milionë euro.

Përfaqësuesi i firmës Bilfinger Volker Harzbecker thoshte: “Nëse Kosova A nuk modernizohet shpejt, vendi do të rrëshqas në katastrofë”.

Lexo më shumë  Qeveria ndalon përdorimin e TikTok-ut në institucionet publike

Sipas “Frankfurter Allgemeine Zeitung” Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) mbështet planet gjermane. “Shikoni përreth, gjeneratorët (e termocentraleve) janë nga Bashkimi Sovjetik”, thoshte drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj.

Sa për kujtesë: shkrimi i «Frankfurter Allgemeine Zeitung» është botuar në vitin 2015. Problemet e atëhershme me energjinë elektrike janë edhe probleme të sotme! Deri në mars të këtij viti pushtetin e kanë pasur partitë që sot janë në opozitë. Çfarë kanë bërë këto parti për të sanuar gjendjen? Me sa duket: asgjë. Importimi i rrymës nuk është zgjidhje afatgjatë. Është arnim i status kuosë.

Qeveria aktuale, e cila e ka trashëguar këtë situatë, duhet të ndërhyjë urgjentisht për të gjetur zgjidhje si në planin afatshkurtër, ashtu edhe në atë afatgjatë. Arnimet e deritanishme pa strategji afatgjatë do t’i hakmerren Kosovës përsëri.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *