Lajme

Gazeta britanike “The Guardian”: Kosova po akuzohet për nxitje tensionesh, por vendimi i saj është për të luftuar krimet ekonomike dhe paratë false

“Kosova akuzohet për rritje të tensioneve ndëretnike duke ndaluar përdorimin e dinarit serb” është titulli që mediumi prestigjioz “The Guardian” ka pasur në ballinë të martën në mëngjes, duke përmendur akuzat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian kundër rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar autoritetet e Kosovës se ‘po rrisin tensione ndëretnike’ pa nevojë pasi Qeveria vendosi masën e ndalimit ndaj valutës serbe dhe udhëzoi komunitetin serb të pranojë euron. Bastisjet policore të urdhëruara nga ministri i Punëve të Brendshme në katër organizata që punojnë në zonat e populluara me serbë, që erdhën disa ditë pas vendimit për valutë, kanë shtuar frikë për përshkallëzim të situatës së sigurisë”, ka shkruar “The Guardian”.

Aty janë përmendur edhe akuzat e zyrtarëve serbë se vendimi i BQK-së do të ndikojë në jetën e përditshme të serbëve që varen nga asistenca sociale e Serbisë.

Lexo më shumë  Në Kosovë nis fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

Bashkimi Evropian ka kritikuar Kosovën për hapa “të njëanshëm” duke shtuar se frikësohet që do të nxisin përshkallëzim të raporteve me Serbinë.

“Këta janë hapa shqetësues sepse nuk kontribuojnë në shtensionim të situatës”, ka thënë Josep Borrell, përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme i Bashkimit Evropian. “Nuk janë të koordinuara, janë të njëanshme pa nivelin e duhur të konsultimit paraprak në mënyrë që të parandalohet ndikimi negativ që mund të kenë në terren”.

Zyrtarët evropianë kanë thënë se statusi i organizatave që u mbyllën nga Policia – strukturat paralele të krijuara nga Beogradi – duhet të adresohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. “The Guardian” ka kujtuar sulmin e 24 shtatorit në Banjskë nga serbë të uniformuar. Ishte vrarë një polic i Kosovës dhe tre sulmues të grupit terrorist.

Euroja ka qenë valuta e vetme në Kosovë që nga paslufta. Por serbët, me rreth 5 për qind të popullatës, vazhdojnë ta përdorin dinarin, e sipas “The Guardian”, ky është reflektim i refuzimit të shtetësisë së Kosovës. Ata marrin pensione, paga e përfitime tjera sociale nga Beogradi.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti vendos gurthemelin e nënstacionit policor të policisë kufitare në Izvor të Zveçanit, dy kilometra nga kufiri me Serbinë

Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova ta shtyjë rregulloren, duke shtuar se nuk ka pasur kohë të mjaftueshme për informim. Kosova është pajtuar me tranzicion, por s’ka treguar se sa do të zgjasë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, politikën ndaj dinarit e ka cilësuar “vazhdim të spastrimit etnik”, ndërsa ka paralajmëruar thirrjen e një seance urgjente të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“The Guardian” ka shkruar po ashtu në burime se vendimi i Kosovës s’ka të bëjë me dëshirën për provokim, por për të luftuar krimet ekonomike e paratë false. E për strukturat paralele, Beogradi ishte pajtuar t’i hiqte me marrëveshjen e 2013-s.

YouTube player