Garanci gjermane: Nuk do të lejojmë që lufta ruse ta çojë botën në uri
Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock ka thënë se vendet e G7 nuk do të lejojnë që bota të vdesë nga uria për shkak të luftës ruse kundër Ukrainës.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e saj amerikan Antony Blinken, Baerbock tha se qëndrimi i vendeve të G7 për këtë çështje ishte i qartë.
“Ne nuk do të lejojmë që lufta ruse ta çojë botën në uri”, tha ajo.
Baerbock tha se ata po punojnë së bashku me Shtetet e Bashkuara në këtë kontekst.
“Ne po shikojmë me miqtë tanë ndërkombëtarë sesi Rusia po destabilizon qëllimisht vendet me krizën e shkaktuar nga drithërat dhe se si po lejon që çmimet e ushqimeve të rriten me shpejtësi”.
Baerbock vuri në dukje se vendet më të fuqishme të industrializuara në botë po veprojnë me përgjegjësi të veçantë kundër agresionit së Rusisë ndaj Ukrainës.
Blinken kritikoi agresionin dhe bllokadën ruse të grurit dhe eksportin e produkteve të tjera ushqimore nga Ukraina.
“Ne jemi të bashkuar për të mbrojtur vlerat e përbashkëta. Ne jemi të bashkuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe ligjit ndërkombëtar,” tha Blinken.
Blinken falënderoi gjithashtu Gjermaninë për organizimin e një takimi mbi sigurinë botërore të ushqimit.
G7 është emri për një grup ose këshill të përbërë nga shtatë vendet më të zhvilluara në botë – Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania e Madhe dhe SHBA-të që mblidhen për të diskutuar mbi të gjitha çështjet ekonomike.
Rruga Press