Speciale

Fytyra e turpshme e celuloidit – Natalia Ginzburg

Çezare Garboli, në një artikull të publikuar në numrin e shkuar të kësaj të përjavshmeje[1], e ka përkufizuar kinemanë si ‹‹fytyra e turpshme e celuloidit››, dhe pikërisht kjo frazë më la mbresë. Sipas  Garbolit, kinemaja është falsitet dhe rëndësia e saj qëndron pikërisht tek falsiteti.
Do të mundohem të shpjegoj, vetes sime dhe të tjerëve, se cili është raporti im me kinemanë dhe çfarë është kinemaja për mua. Kur nisa këtë rubrikë, druaja si fillim se mos ndryshonte raporti që kisha me kinemanë dhe se mos kinemaja që kishte qenë për mua një bjerraditje e vërtetë dhe e vlefshme, të bëhej në njëfarë pike detyrë dhe punë e zymtë; por, vetëm në fillim kur ia nisa kësaj rubrike, shkuarja në kinema më ngjante një punë, e vetëm më pas kuptova se kollajshëm mund të rikthehej në një bjerraditje dhe madje bjerraditje e shumanshme.
Pas shkrimit, kinemaja është gjëja e vetme që më ngjall kureshtje dhe më intereson fort. Shpesh më ndodh të mendoj se cila është diferenca mes të shkruarit dhe të bërit një film, më duket se edhe të bësh një film është një mënyrë për të rrëfyer. Por kjo është një përshtypje false, kinemaja nuk rrëfen, në kuptimin që në kinema mungon dimensioni i kohës; narrativa, ose më saktësisht dhe gjerësisht, poezia përdor si mjet themelor kohët e foljes, të pakryerën dhe të shkuarën, por mjete të tilla i mungojnë atij që bën një film. Kush bën një film, lëviz ndoshta mes ngjarjeve njerëzore, pikërisht si një romancier, por lëviz pa dimensionin e kohës. Hareja e madhe e të thënët ‹‹isha››, ‹‹kisha››, ‹‹mendoi›› apo ‹‹pyeti››, është një hare që i mohohet atij që pikturon një pikturë, atij që kompozon një muzikë, i mohohet, pavarësisht disa paraqitjeve false edhe atij që bën një film.
Kinemaja mendoj se më përshtatet, por në të njëjtën kohë më është thellësisht e huaj: më ngjall kureshtje e më intereson, siç na ngjall kureshtje dhe intereson një vend në të cilin e dimë që nuk do të jetojmë kurrë, pavarësisht se ndodhet një hap larg territorit tonë. E dua kinemanë me anën më të mirë e më të keqe timen: e dua duke pritur të mira në emër të së vërtetës, të së bukurës dhe të vetëdijes, por edhe për të kënaqur një etje të paqenë, dembele, llafolloge dhe të neveritshme për gënjeshtrën.
Filmat e bukur janë të rrallë si elefantët e bardhë. Kur shkoj në kinema, e di shumë mirë se nuk mund të pres njëkohësisht vërtetësi, vetëdije dhe bukuri dhe përgjithësisht dorëzohem se nuk do i has me përjashtim të ndonjë rasti të veçantë dhe të çuditshëm. Kur dalë për të shkuar në kinema, e di që do të ulem në errësirë dhe do të shoh tmerre. Tani për shembull është verë dhe qyteti prodhon pak filma, çështja është të shohësh Ekzotikë erotikë psikotikë apo Burri që dashuroi macen kërcimtare; titujt dhe përmbledhjet që lexohen nëpër gazeta, informojnë mbi cilësinë e asaj ç’ka do të ofrohet. Do të pres që të më flaken fytyrës thasë plehrash dhe ujëra të pista, duke qenë kështu dhe asgjë më tepër filmat e këqij; por, përse një person si unë që pëlqen filmat e bukur, ka dalë nga shtëpia dhe qëndron atje deri në fund, e paaftë të ngrihet dhe të ikë edhe kur lodhja dhe një lloj ankthi i gjeneruar nga lodhja përvijohen prej ekranit? Përse? Dua që dikush të ma shpjegoj, sepse vërtet nuk e kuptoj dhe nuk e di.
Më ka ndodhur disa herë të shoh xhirime filmash. Fillimisht më ka bërë përshtypje rrëmuja, zhurma dhe turma. Më pas më ka bërë përshtypje prania e disa objekteve shtëpiake dhe të thjeshta. Dëgjohet të flitet për miliarda, por objektet e përdorura janë përgjithësisht të thjeshta dhe të ngjashme me objektet që përdorin fëmijët kur luajnë. Janë kartona të vegjël të zezë të fiksuar në llampa me kapëse rrobash, shashka për të bërë tym, pirgje me kripë kuzhine. Shpesh kam menduar se edhe unë do të dëshiroja të kisha përreth teksa shkruaj rrëmujë dhe zallamahi, dhe të kisha mundësi t’i trajtoja të gjithë ato objekte: stofa, kapëse rrobash, kripën e kuzhinës. Sesi kripa e kuzhinës, paratë, rrëmuja dhe zhurma bëhen film, rrallëherë edhe i bukur, është diçka rreth së cilës nuk do ndalem së habituri. Gjithsesi, të shohësh xhirimin e një filmi është një mrekulli, për të cilën ndiej se e kam zili. Kush shkruan është egërsisht vetëm. Nuk ka asgjë, veç kartës e penës. Ka veçse, si të vetmin ngushëllim, kohët e foljeve. Nuk është pak.
© Përktheu Anxhela Lepuri


[1]‹‹Il Mondo››, XXVII (28 gusht 1975), n.34-35, fq. 76. Ginzburg i referohet artikullit të Çezare Garbolit Le t’i përkulemi kohës së shkuar, publikuar më 14 gusht në këtë të përjavshme. Titullar i rubrikës së teatrit, Garboli shkruan: ‹‹Nuk e dua kinemanë. Jam ndër ata që mendojnë se kinemaja mbase mund të bëhet, por jo domosdoshmërisht mund të shihet. Mendoj se kinemaja transmeton emocione të paqena, dhe lirohet (ashtu siç kishte paramenduar Ualter Benjamini) vetëm kur, duke harruar të rrëfejë, pranon skandalin e vet dhe limitohet të shprehë të paqenat e shoqërisë në të cilën jetojmë. […]››
Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *