KryesoreOpinion/Aktualitet

Fundi i teatrit mbi rrënojat e Ukrainës dhe transformimi qesharak i Edi Ramës

Kur servilizmi udhëheq politikën e jashtme, ajo merr formën e një meme të përmasave shtetërore

Nga Lapsi.al

Nuk është shumë e largët koha kur Edi Rama, “lideri global” i Shqipërisë së vogël ua përplaste në fytyrë rusëve të drejtën e Ukrainës për t’i mbrojtur territoret e saj me luftë, bash në Këshillin e Sigurimit, aty ku në rolin e bashkëpenmbajtësit të Shteteve të Bashkuara, sfidonte ambasadorin e Putinit dhe i jepte botës leksione mbi demokracinë, të drejtat e njeriut dhe luftën kundër agresionit rus.

Sot? I njëjti Edi Ramë ka futur kokën në rërë si struci dhe po pret në heshtje, përgjigjet për pikëpyetjet e mëdha që kanë të bëjnë me luftën dhe nuk flet asnjë fjalë për gjendjen e shokut të tij të armëve, Vladimir Zelenskit, në kohën kur Shtetet e Bashkuara i kanë kthyer shpinën.

Në fakt, dëshira e Trump për të bërë paqe me Putinin, ka kapur gafil liderë të vendeve shumë më të fuqishme se i joni. Kur mbetën pa fjalë, liderë si presidenti i Francës, kryeministri i Britanisë së Madhe apo komisionerët e Brukselit, ç’mund të thotë sot kryeministri i Shqipërisë së vogël?

Më e mira për të, është të presë në heshtje, deri kur loja e madhe të ketë përfunduar dhe kur të gjithë gurët e shahut të jenë të sigurtë.

Por pavarësisht kësaj, interesante është të shihet se aktroi Edi Rama në rrënojat e Ukrainës ku qindra mijëra jetë njerëzish u sakrifikuan për një kauzë që e besonin, por që për të, paska qenë thjesht një skenë gjigande teatrale në funksion të propagandës  dhe për t’u pëlqyer amerikanëve.

Kalimi nga politikani trim dhe fjalëshumë, që e priste Vladimirin si hero në Tiranë, te ky Rama i sotëm që nuk guxon t’i përmendë emrin Zelenskit, është një transformim që meriton studime psikologjike.

Kur Rama ishte “lideri global” dhe mbështetës i flaktë i Ukrainës

Dhjetor 2022. Lideri më pro-ukrainas i Ballkanit, Edi Rama viziton Kievin. Lidhjet direke me Zelenskin për parlamentin shqiptar, shprehja e solidariteti në Facebook, ndihma modeste në armatime nuk mjaftonte. Duhej që Edi Rama ta shkelte vetë terrenin e luftës.

Një ekspeditë që ai vetë e cilëson historike. Nuancën alla-shqiptarçe të pranisë në Kiev ia shton Dritan Abazoviç, kryeministri i Malit të Zi, që shqiptare ka vetëm origjinën.

Për ta bërë akoma më historike vizitën, merr me vete një tufë me këshilltarë, protokollistë dhe gazetarë që t’i japin spektaklit të kurdisur ngjyrat e një momenti të papërsëritshëm. Udhëtimi u bë me tren, sepse kështu bëjnë liderët e mëdhenj kur shkojnë në zona lufte, dhe siç e tha vetë Rama në fjalimin e tij atje:

“Ne jemi këtu sepse e drejta nuk mund të nëpërkëmbet, sepse një komb i vogël si Shqipëria nuk mund të rrijë duarkryq përballë një tragjedie të tillë.”

Në takimin me Zelenskyn, me kamerat e vendosura në këndin perfekt për të kapur çdo gjest solemn, Rama shtoi:

“Sot jam këtu si përfaqësues i një populli që e di çfarë do të thotë të përballesh me pushtuesin. Shqipëria ka qenë dhe do të jetë në krah të Ukrainës, pa kushte.”

Lexo më shumë  Bërnabiq opozitës në Serbi: Po i kënaqni terroristin Albin Kurti dhe mediat në Kosovë

Premtimet për rindërtimin u bënë edhe në emër të popujve të tjerë të Ballkanit Perëndimor. Në bisedime u fol për idenë e Ukrainës si shtet anëtar të Bashkimit Europian.

YouTube player

Shtator 2023. Rama, i veshur me kostumin e tij të radhës me dizajn eksperimental, drejton Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Në tryezë është ulur edhe Zelensky, i veshur me një këmishë ngjyrë jeshile, format ushtarak.

Prezenca e Zelenskit nxit menjëherë kundërshtimin e ambasadorit rus Vasily Nebenzya. Kur ky i fundit protestoi, Rama dha një nga ato shfaqjet që e bëjnë të duket sikur është protagonist i një filmi të Christopher Nolan:

Rama: “Ky leksion nga ju për thyerje rregullash në këtë godinë është impresiv. Ju ndaloni luftën dhe Zelensky s’ka pse flet”

Zelenski e mori fjalën më pas. Rama u kërkoi të gjithëve të bashkohen kundër Rusisë.

“Vuajtja e Ukrainës, është vuajtja e të gjithë atyre që duan paqe” tha ai.

Lajmi u përcoll nga mediat kryesore në nivel botëror. Kuptohet se jehona në Tiranë vinte e shumëfishuar. Enturazhi i zakonshëm u ngazëllye nga kjo shuplakë që iu dha rusëve, lideri i Shqipërisë.

Më vonë, Elisa Spiropali do të shprehej se për këtë gjest të Ramës në Këshillin e Sigurimit, akoma më shumë turistë të huaj ishin bindur për të ardhur në Shqipëri dhe për të kaluar pushimet në bregdetin e vendit tonë. Vija ndarëse mes delirit dhe budallallëkut u zbeh si asnjëherë më parë.

Në Tiranë, propaganda ecte me të njëjtin ritëm. Erion Veliaj nuk kishte humbur kohë për të bërë atë që di më mirë: spektaklin e rrugëve dhe shesheve.

Ai kishte organizuar një marshim të madh në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të shprehur mbështetjen për Ukrainën. Në mes të turmës binin në sy përfituesit e projekteve të financuara nga ambasada amerikane. Në rreshtin e parë, Juri Kim, ish-ambasadorja e SHBA-së, Erjon Veliaj, kryetari i bashkisë, Niko Peleshi, Ministër i Mbrojtjes etj. Flamujt verdheblu valëviteshin kudo.

Erjon Veliaj u hodh në sulm i armatosur me një arsenal të klisheve patetike:

“Tirana është qyteti i vlerave, qyteti i lirisë, dhe sot i themi Ukrainës: Ne jemi me ju!”

Në një akt heroik të pashembullt, vendosi të ndryshonte emrin e rrugës ku ndodhet ambasada ruse në “Ukraina e Lirë”, një gjest simbolik që duhet të kishte tronditur Kremlinin deri në themel.

E vetmja gjë që ndryshoi ishte se diplomatët rusë tani duhet të shkruanin një adresë të re në dokumentet e tyre zyrtare, pasi zhvendosën ambasadën.

Shkurt 2024. Zelenski i kthen vizitën Edi Ramës, që ka vendosur ta shfrytëzojë për pak vëmëndje për veten.

Për një ditë, Tirana ishte kryeqendra e solidaritetit europian për Ukrainën, me liderët e Ballkanit të ulur rreth një tryeze për t’i dhënë botës një mesazh të fortë: “Jemi me Ukrainën… Kuptohet për aq kohë sa nuk na kushton shumë!”

Një tjetër moment që Edi Rama e shfrytëzon për të folur gjatë, përdor fjalë të mëdha kundër agresionit rus dhe pozon për fotot e rastit.

Lexo më shumë  Kryeministri i Grenlandës i përgjigjet Trumpit: S’jemi amerikanë, s’jemi danezë sepse jemi grenlandezë

“Putin donte ta fshinte nga harta Ukrainën, por ajo sot është më shumë e ankoruar në Europë!” tha Rama, duke e kthyer skenarin e luftës në një telenovelë me fund optimist.

“Kombet e vogla nuk duhet të kthehen në ushqim për Rusinë!” shton ai me një seriozitet që do ta kishte zili edhe Churchill-i.

Ndërkohë Zelenski i bëri thirrje Ballkanit që të fillojë të prodhojë municione, sepse “kemi 500 kompani në Ukrainë, por nuk mjaftojnë!” Si përherë, premtimet ishin shumë bujare me të.

Misterin e samitit e nxit prania e Alex Soros, djali i miliarderit George Soros. Në fund të fundit, çfarë do të ishte një ngjarje gjeopolitike në Ballkan pa një përfaqësues të familjes Soros?

Pas spektaklit, Rama postoi në Instagram një kolazh fotosh nga samiti, duke e quajtur “Një ditë të paharrueshme!” Jo për Ukrainën, as për Ballkanin, por sigurisht për veten e tij.

Trump braktis Zelenskin, “lideri global” i jep fund teatrit

Pastaj ndodhi ajo që nuk ishte parashikuar në skenarin e serialit të propagandës së Ramës: Donald Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë dhe politika amerikane ndryshoi kurs. Trump jo vetëm që e uli tonin kundër Rusisë, por i tha Zelenskit LIVE se pa Amerikën nuk ka shanse të fitojë luftën.

Financimet dhe ndihma ushtarake e SHBA për Ukrainën u ndalën. Presidenti hero po detyrohet të shkojë drejt një paqeje të dhimbshme.

Dhe Rama? I njëjti që deri dje i tregonte dhëmbët Putinit, i ka kthyer shpinën Ukrainës, Zelenskit, Dombasit, Krimesë dhe çdo gjëje që ka të bëjë me këtë temë. Nuk shihet më në takime me Zelenskin. Nuk shihet më as me Aleks Sorosin. Madje nuk u pa fare, as në samitin e liderëve evropianë që u mbajt për të përkrahur Ukrainën dhe për të kundërshtuar politikën e Trump në raport me Zelenskin.

E vetmja gjë që për të cilën Rama është shprehur javët e fundit, është një deklaratë për Trump-in, të cilin e ka quajtur “një bekim për Europën”. Pra, ai që dje u bërtiste rusëve në Këshillin e Sigurimit, tani po u thotë evropianëve se duhet të vlerësojnë vizionin e Trump, njësoj siç e kanë vlerësuar edhe rusët. Një kthesë kaq të fortë, edhe pilotët e Formula 1 do ta kishin zili.

Nga hero të luftës në karikaturë politike

Në thelb, kjo është që ndodh kur politika e jashtme shndërrohet në një mjet për t’u servilosur dhe bashkë me propagandën e shfrenuar shkelmojnë çdo parim. Nëse vërtet do të ishte i bindur tek deklaratat që ka bërë në mbështetje të Ukrainës dhe sikur të kishte ruajtur pozicionin e aleatit modest, ky transformim i Ramës ditët e fundit nuk do të dukej kaq qesharak. Jo më kot, ka marrë trajtat e një provinciali të kompleksuar që nuk guxon të përmendë fjalën Ukrainë. Sepse kur bën politikë me meme, përfundon duke u bërë vetë një meme, që pret se nga do fryjë era e radhës.

YouTube player