Bota

Fundi i Perandorisë Ruse? Në Ukrainë po luhet më shumë se sa fati i Putinit

Nga Walter Russell Mead “Wall Street Journal

Ndërsa Rusia dhe Ukraina po përgatiten për atë që mund të jetë beteja më e madhe e tankeve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, e ardhmja e luftës së nisur nga Vladimir Putin mbetet e pamundur të parashikohet.

Mobilizimi i tankeve dhe artilerisë në shkallë të gjerë në terrenin e sheshtë të hapur të Ukrainës Lindore mund ta favorizojë Moskën, dhe pesha e madhe e makinerisë ushtarake ruse, mund t’i sjellë përfitime territoriale.

Por janë të mundshme edhe rezultate të tjera. Guximi i ukrainasve, aftësia e tyre e madhe taktike në terren, dhe qasja tek armët dhe pajisjet perëndimore mund të prodhojnë një varg tjetër pengesash poshtëruese për Rusinë.

Skenari më i keq për Putinin, do të ishte që lufta e Rusisë në Ukrainë të përfundonte me një disfatë ushtarake gjithëpërfshirëse, me rënien e enklavave pro-ruse në Donbas dhe Moldavi, si dhe me integrimin e Ukrainës në Perëndim.

Një humbje e tillë do të ishte më shumë sesa një poshtërim personal, për karrierën e tij si politikan. Ajo do t’i shkaktonte gjithashtu një tronditje të madhe psikologjike dhe strategjike për pozitën dhe vetë-imazhin e Rusisë. Do të ndryshonte rrjedhën e historisë ruse.

Rusia nuk do të ishte ish-perandoria e parë që do të përballej me një moment të llogaridhënies para historisë. Humbja e Spanjës në vitin 1898 përballë shteti të ri të SHBA-së, ishte një moment vendimtar në historinë spanjolle. Perandoria globale që kishte formësuar Spanjën që nga ekspeditat e Kolombit ishte zhdukur papritur, dhe spanjollët filluan të vënë në dyshim gjithçka, nga monarkia deri tek roli i kishës.

Për Britaninë dhe Francën, dështimi i tyre poshtërues gjatë Krizës së Suezit të vitit 1956, i detyroi të dyja vendet ta kuptonin se nuk ishin më fuqi globale të pavarura. Lavditë e perandorive të dikurshme kishin marrë fund, dhe 2 ish-superfuqitë filluan me dhimbje dhe pa dëshirë t’i përshtateshin rrethanave të tyre të reja.

Lexo më shumë  Gazetari serb Dimiq: Vuçiqi është psikopat që kërcënon popullin e tij

Një dështim vendimtar rus në Ukrainë, mund të sjellë të njëjtën situatë për Moskën. Në rast se Rusia nuk do të arrijë që të pushtojë zemrën e Ukrainës (Ukraina Perëndimore është më pak problem në mitologjinë historike ruse), rusët nuk do të jenë në gjendje të shmangin përfundimin se perandoria e carëve, e ndërtuar me shumë kosto gjatë shumë shekujve, dhe e rivendosur nga Lenini dhe Stalini pas fatkeqësisë së Luftës së Parë Botërore, ka rënë në mënyrë të pakthyeshme.

Kjo do ta detyrojë Rusinë t’i nënshtrohet një lloj auto-reflektimit të thellë, ashtu si ish-perandoritë e tjera. Pasojat do të jenë shumë të mëdha. Nën sundimin e Romanovëve, komunistëve, dhe tani të Putinit, mendimi politik rus është formësuar nga tre besime: që Rusia është e ndryshme, që ndryshimi është transhendentalisht i rëndësishëm, dhe se ai i jep Rusisë një rol unik në historinë botërore.

Humbja në Ukrainë do ta minonte në themele besimin tek këto ide, duke e zhytur Rusinë në një krizë identiteti me pasoja politike të paparashikueshme. Carët, komisarët komunistët, dhe sot Putinistët, e panë Rusinë si unike dhe të përkushtuar ndaj një lufte kundër Perëndimit.

Për carët, Moska ishte “Roma e tretë”, që do të mbante pishtarin e Krishterimit dhe qytetërimit, pasi Roma e parë ra në duart e pushtuesve barbarë, dhe Roma e dytë (Kostandinopoja) ra në duart e turqve.

Për komunistët, Moska ishte kështjella e revolucionit global proletar, e destinuar të asgjësonte kulturën dekadente borgjeze të Perëndimit. Putin dhe bashkëpunëtorët e tij e shohin njëlloj. Sipas tyre Rusia është angazhuar në një luftë për mbijetese kundër dekadencës perëndimore, ligësisë dhe lakmisë së shfrenuar.

Për të mbajtur veten në garën e barabartë me Perëndimin më të zhvilluar, dhe për të siguruar qeverisje të përshtatshme për psikikën e saj unike, Rusia, kanë argumentuar gjithmonë sundimtarët e saj, duhej ta përqendronte pushtetin në krye.

Lexo më shumë  Kryeministri polak: Rusia do ta humbë garën e armatimit me Evropën si Bashkimi Sovjektik 40 vjet më parë

Vetëm një udhëheqës aq i fortë sa Katerina e Madhe, Stalini, apo siç thonë admiruesit e tij si Putin, mund t’i japë mundësi Rusisë të dominojë në përballjen e saj saj me Perëndimin. Thelbi i çështjes është Ukraina. Me Ukrainën nën kontroll, Moska e sheh veten si fuqia më e madhe në Evropë.

Pa Ukrainën, ëndrra që Rusia të mundet të rifitojë statusin e Bashkimit Sovjetik si një superfuqi do të pësojë një fund të hidhur. Më keq akoma: ndoshta nga këndvështrimi i teoricienëve “euroaziatikë” dhe nacionalistëve radikalë rusë, të cilët i japin një lloj mbulese legjitimiteti regjimit të Putinit, një fitore e Ukrainës ortodokse, sllave dhe demokratike mbi Rusinë despotike, nuk do të sfidonte vetëm legjitimitetin personal të Vladimir Putin.

Përkundrazi, ajo do të sfidonte idenë e veçantisë ruse, dhe do të minonte fatalisht pikëpamjen se despotizmi është forma e qeverisjes që i përshtatet më së miri shpirtit rus. Ndërsa lufta po nxjerr në pah ligësinë dhe mizorinë e natyrshme të regjimit të Putin, dhe ndërsa mizoritë jashtë vendit dhe represioni brenda Rusisë po lënë gjithnjë e më tepër gjurmë, është e pamundur të mos shpresojmë një disfatë ruse në këtë luftë.

Gjithsesi duhet pasur kujdes. Putin dhe ata përreth tij e dinë se në Ukrainë nuk po luftojnë vetëm për një rregullim të kufijve. Ata po luftojnë për botën e tyre, ndaj për ta mund të jetë psikologjikisht e pamundur ta pranojnë humbjen, derisa çdo masë, sado e pamëshirshme, apo çdo armë, sado e urryer, të jetë përdorur në maksimum. Për Vladimir Putinin dhe njerëzit përreth tij, rreziqet në Ukrainë janë pafundësisht të mëdha. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *