Opinion/Aktualitet

Fshesa kundër spiunëve rusë

Nga Enver Robelli

Nga Polonia në Bullgari autoritetet po përpiqen të dekonspirojnë dhe dëbojnë agjentët rusë.

Rasti më i freskët: shërbimi i brendshëm sekret i Polonisë (Agencja Bezpieczeństwa Wewnętrznego) ose ABW ka bërë kërkesë për dëbimin e 45 diplomatëve rusë, të cilët dyshohet se janë “oficerë të shërbimeve të posaçme ruse dhe personave të lidhura me to”. Formulimi “shërbimet e posaçme” është eufemizëm për agjencitë ruse të spiunazhit. Arsyet pse ABW kërkoi dëbimin e diplomatëve rusë janë të qarta vetvetiu: involvimi i tyre në realizimin e projekteve ruse të spiunazhit me qëllim të destabilizimit të Polonisë dhe partnerëve të saj. Kjo masë ndaj diplomatëve rusë paralajmërohet pak ditë para vizitës së presidentit amerikan Joe Biden në Varshavë.

Në një deklaratë tjetër shërbimi i brendshëm sekret i Polonisë bëri të ditur se javën që shkoi është arrestuar një shtetas polak nën dyshimin e spiunazhit për Rusinë. Personi i arrestuar punonte në një zyrë të gjendjes civile në Varshavë. Atij iu caktua masa e paraburgimit prej 3 muajsh.

Që nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës më 24 shkurt, qeveritë nga Polonia në Bullgari po përpiqen të dekonspirojnë agjentët rusë. Në Bullgari është arrestuar një gjeneral për shkak të spiunazhit në favor të Moskës. Kryeministri Kiril Petkov e shkakroi ministrin e Mbrojtjes Stefan Janev, i cili kishte refuzuar ta quajë luftë agresionin rus kundër Ukrainës.

Lexo më shumë  Një idiotizëm i ri politik: "grusht shteti" i qeverisë kundër opozitës

Bullgaria ka një “traditë” të aferave të spiunazhit me Rusinë. Në mars të vitit të kaluar Prokuroria e Përgjithshme e Bullgarisë njoftoi se ishin arrestuar gjashtë shtetas bullgarë të cilët dyshohej se punonin për shërbimin sekret ushtarak rus GRU. Shtetasit bullgarë më parë kishin ushtruar funksione të larta në shërbimet bullgare të sigurisë. Shef i këtij rrjeti spiunësh konsiderohej Ivan Iliev, ish-oficer në shtabin qendror të shërbimit sekret ushtarak bullgar. Sipas autoriteteve bullgare kontaktin me palën ruse Ilievit ia mundësoi bashkëshortja e tij, e cila ka edhe shtetësi ruse. Qëllimi i grupit ishte që të sigurojë informata sekrete mbi NATO-n dhe t’ia dorëzojë palës ruse.

Javën e kaluar Sllovakia dëboi tre zyrtarë të ambasadës ruse në Bratisllavë për shkak të spiunaziht. Njëkohësisht u arrestuan tre shtetas sllovakë të cilët dyshohet se kishin spiunuar me pagesë për rusët. Ministri sllovak i Mbrojtjes Jarosllav Nad tha se “ky është vetëm fillimi. Do të vazhdojmë. Qartë dhe në mënyrë konsekuente”. Sipas gazetës sllovake “Dennik N” në mesin e të arrestuarve është edhe një oficer i Ministrisë së Mbrojtjes dhe një punëtor i shërbimit të brendshëm sekret SIS. I arrestuari i tretë është një person që punonte për mediat proruse në Sllovaki.

Lexo më shumë  𝐊𝐮𝐫 𝐦𝐞𝐝𝐢𝐚 𝐟𝐥𝐞𝐭 𝐦𝐞 𝐠𝐣𝐮𝐡𝐞̈𝐧 𝐞 𝐚𝐫𝐦𝐢𝐤𝐮𝐭: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐚𝐥𝐞𝐚𝐧𝐜𝐞̈ 𝐞 𝐫𝐫𝐞𝐳𝐢𝐤𝐬𝐡𝐦𝐞 𝐩𝐞̈𝐫 𝐊𝐨𝐬𝐨𝐯𝐞̈𝐧

Të premten e kaluar katër shtete anëtare të NATO-s dhe BE-së njoftuan për dëbimin e 20 diplomatëve rusë për shkak të veprimeve në kundërshtim me statusin diplomatik. Bullgaria dëboi 10 diplomatë rusë, Lituania 4, Estonia dhe Letonia dëbuan nga 3 diplomatë rusë.

Në gusht të vitit 2020 Franca arrestoi një oficer të nivelit të lartë për shkak se i kishte dorëzuar “një shteti të huaj” informata sekrete. Kundër oficerit nisën hetime për shkelje serioze të çështjeve të sigurisë. Radioja franceze “Europe 1” njoftoi atëbotë se kolonel-lejtënanti i arrestuar u kishte dorëzuar shërbimeve sekrete ruse informata “ultra delikate”. Oficeri francez punonte në një bazë të NATO-s në Itali. Atje ishte parë në shoqëri të një rusi, i cili rezultoi të jetë agjent i Moskës.

Që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë janë zbuluar rreth 10 raste të spiunazhit në ushtrinë franceze. Në korrik të vitit 2020 u dënuan dy ish-agjentë të shërbimit të jashtëm sekret DGSE për shkak të spiunazhit për Kinën. Në vitin 2001 u dënua një oficer francez i stacionuar në NATO sepse më 1998 i kishte dhënë informata Serbisë mbi planet e NATO-s për sulme ajrore.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *