Frikë dhe interes: Bankat britanike flirtojnë me Nigel Farage dhe Reform UK, por duke e mohuar publikisht
Një tabu duket se po mbizotëron në City të Londrës (The City of London, i njohur edhe si Square Mile, është lagjja financiare e Londrës. Është bërthama e lashtë nga e cila u zhvillua pjesa tjetër e Londrës.): bankat dhe menaxherët e aseteve duan të kuptojnë e madje të afrohen me Reform UK, por pa u parë publikisht në shoqëri me partinë e Nigel Farage.
Figurat e larta të sektorit financiar britanik e ndjejnë se nuk mund ta injorojnë më partinë populiste të Farage, e cila prej muajsh prin në sondazhe. Shumë prej tyre e shohin si një mundësi për të ushtruar ndikim mbi një parti ende të re, që nuk ka shpalosur qartazi qëndrimet për shërbimet financiare — përveç politikave pro-kriptos.
Megjithatë, institucionet financiare që janë ende të kënaqura me qeverinë laburiste, hezitojnë të pranojnë hapur kontaktet me Reform. “Shumë thonë se janë të interesuar, por ‘mos i trego askujt që pyetëm,’” tha ish-dora e djathtë e Farage, Gawain Towler.
Sipas burimeve, drejtues të Reform tashmë kanë mbajtur takime të fshehta me përfaqësues të City-t dhe pritet që disa banka dhe kompani të mëdha të marrin pjesë në konferencën e partisë muajin e ardhshëm. Për të forcuar lidhjet, Reform ka punësuar edhe një ish-zyrtar të UK Finance në ekipin e saj.
Partia, e themeluar në 2016, ka katër deputetë në Westminster dhe politika kryesore si kufizimi i migracionit dhe uljet drastike të taksave. Reform ka hyrë edhe në territorin e kriptomonedhave, duke pranuar donacione me Bitcoin — një hap që ka gëzuar disa qarqe financiare.
Por jo çdo gjë është pa tension. Guvernatori i Bankës së Anglisë ka kritikuar propozimet e Farage për të hequr interesin mbi rezervat e bankës qendrore, ndërsa qëndrimi i Reform kundër energjive të rinovueshme i shqetëson kompanitë që kanë investuar miliarda në këtë sektor.
Pavarësisht risqeve dhe pasigurive, analistët theksojnë se praktika të ngjashme janë parë edhe në vende të tjera evropiane ku partitë populiste, pas ardhjes në pushtet, janë treguar më të moderuara ndaj biznesit. Për shumë në City, dilema është e qartë: më mirë të përshtaten herët sesa të mbeten jashtë tavolinës së vendimmarrjes nëse Reform UK fiton zgjedhjet.
Rruga Press

