Frankfurter Allgemeine Zeitung: Kosova po anëtarësohet në Këshillin e Evropës
Gazeta Gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung“, shkruan se Këshilli i Evropës së shpejti mund të ketë një anëtar të ri.
Sipas mediumit ky shtet do të jetë Kosova, e cila mund të zërë vendin e Federatës Ruse, e cila u përjashtua nga Këshilli disa javë më parë.
Gazeta gjermane duke u bazuar nga burimet e saj në Prishtinë shkruan se Qeveria e Kosovës po planifikon të aplikojë për anëtarësim, pas zgjedhjeve në Francë.
Kjo sipas mediumit ka gjasë të ndodhë në maj. Kurse, pranimi i Kosovës në këtë Këshill mund të ndodhë në vitin 2023.
FAZ raporton se perspektiva e Kosovës, pas përjashtimit të aleatit kryesor të Serbisë në Këshill, Rusisë, vlerësohet si e mirë.
Pas përjashtimit të Rusisë, Këshilli i Evropës ka ende 46 anëtarë. Nga këto, 34 e njohin pavarësinë e Kosovës – do të kërkonte më shumë se dy të tretat e shumicës , 31 vota gjithsej.
“Kosova dëshiron të përfitojë nga momenti” − shkruan mediumi
FAZ ka cituar deklaratën e presidentes Vjosa Osmani, e cila gjatë këtij muaji konfirmoi se “projekti i Këshillit të Evropës” është prioritet në Prishtinë dhe se duhet të arrihet sa më shpejt që të jetë e mundur.
FAZ thekson faktin se në Kosovë ekziston një demokraci që ka kaluar në ndryshime nga qeverisja në qeverisje, teksa shton se zgjedhjet janë zhvilluar në mënyrë korrekte dhe humbësit e kanë pranuar lehtësisht humbjen dhe e kanë dorëzuar pushtetin.
“Ajo që është e padiskutueshme është se Kushtetuta e Kosovës u jep të drejta të gjera pakicave. Nuk ka të burgosur politikë. Vendi është gati t’i nënshtrohet juridiksionit të Gjykatës së të Drejtave të Njeriut. Ajo ka pranuar refugjatë nga Ukraina dhe mbështet sanksionet evropiane kundër Rusisë, ndryshe nga anëtarët e Këshillit të Evropës, Serbia dhe Turqia”, vazhdon më tutje artikulli.
“Të gjithë po flasin për faktin se stabiliteti në Ballkan tani është veçanërisht i rëndësishëm. Ministrja e Jashtme gjermane thotë se rajoni ka nevojë për më shumë vëmendje. Me pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Evropa ka shansin të vërë fjalët në veprim”, citon mediumi një bashkëbisedues pa iu referuar me emër.
Tutje mediumi shkruan se ky bashkëbisedues ka shtuar se bëhet fjalë edhe për të penguar përpjekjet e pritshme të Rusisë për destabilizimin në rajon.
“Kjo do të ishte e qartë, sinjal për të drejtat e pakicave dhe demokracinë dhe kundër ndryshimeve të dhunshme të kufijve”, përfundon citati.
“Nga pikëpamja kosovare, gjëja kryesore është të shfrytëzohet momenti. Kur është koha e duhur, nëse jo tani, është pyetja që shtrohet në Prishtinë”, shkruan FAZ.
Anëtari i Bundestagut Frank Schwabe (SPD), i cili kryeson aleancën e përbashkët të Socialistëve, Demokratëve dhe të Gjelbërve në Asamblenë Parlamentare, sugjeroi në mars që Kosova të afrohet me Evropën.
“Ne duhet ta afrojmë Kosovën me Evropën. Një mundësi e mirë për ta bërë këtë do të ishte anëtarësimi në Këshillin e Evropës.”
Diçka të njëjtë e thotë ish-diplomati Knut Abraham (CDU), i cili ka përvojë në Ballkan dhe është anëtar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Bundestagut dhe Asamblesë Parlamentare.
“Në funksion të luftës në Ukrainë, tani është jashtëzakonisht e rëndësishme që të mos kemi një luftë të paimagjinueshme në Ballkan dhe të dërgojmë një sinjal të qartë se ne nuk tolerojmë asnjë ndryshim të kufijve përmes dhunës dhe se mbrojtja e pakicave dhe të drejtave të njeriut duhet të të forcohet. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte hapi i duhur.”
Frankfurter Allgemeine Zeitung përfundon artikullin duke shkruar se: “Mundësitë për këtë nuk kanë qenë kurrë më të mëdha se tani.”
Rruga Press