France24: Akuzat për korrupsion qeveritar çojnë në përleshje mes policisë dhe qytetarëve në Tiranë
Policia shqiptare të premten përdori topa uji dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestat e reja kundër korrupsionit nga demonstruesit e krahut të djathtë të opozitës, të cilët hodhën fishekzjarrë dhe bomba molotov të bëra vetë, raporton media shtetërore franceze, France24.
Mijëra mbështetës të Partisë Demokratike (PD) të ish-kryeministrit Sali Berishë u mblodhën fillimisht jashtë selisë së qeverisë duke kërkuar që kryeministri socialist Edi Rama të jepte dorëheqjen.
Ne do ta shpëtojmë Shqipërinë nga Edi Rama, i cili e ka zhytur vendin në varfëri dhe korrupsion”, i tha 81-vjeçari turmës. “Ai është thjesht një kufomë politike”.
Por Berishës iu desh ta mbaronte fjalimin e tij menjëherë pas kësaj kur disa protestues hodhën fishekzjarrë dhe bomba molotov drejt ndërtesës së qeverisë.
Policia qëlloi me gaz lotsjellës dhe topa uji për të larguar turmën. Më pas, Berisha i udhëhoqi demonstruesit drejt ndërtesës së parlamentit, ku u përballën me policinë, përfshirë forcat anti-trazira. Policia dhe demonstruesit u përleshën me njëri-tjetrin për rreth dy orë në rrugët përreth parlamentit, dëshmoi një gazetar i AFP-së.
Policia tha se rreth 30 persona u arrestuan. Partia Demokratike tha se rreth 40 nga mbështetësit e saj ishin ndaluar. Ministrja e Brendshme Albana Koçiu e dënoi “vandalizmin”, duke thënë në një postim në rrjetet sociale se ishte një “krim” të sulmoje policinë.
Politika shqiptare është shënuar shpesh nga përplasje të ashpra brenda dhe jashtë parlamentit midis partive të krahut të majtë dhe të krahut të djathtë, të cilat akuzojnë rregullisht njëra-tjetrën për korrupsion dhe bashkëpunim me krimin e organizuar. Tensionet janë rritur përsëri që nga nëntori kur zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, një bashkëpunëtore e ngushtë e Ramës, u pezullua për shkak të një skandali korrupsioni që tani është nën hetim.
E akuzuar për dhënien e kontratave të infrastrukturës, Balluku ka hedhur poshtë akuzat e prokurorëve. Disa ish-ministra në qeveritë e Ramës janë shënjestruar nga hetimet për korrupsion.
Lufta e Shqipërisë kundër korrupsionit ka qenë një fokus i veçantë i Bashkimit Evropian në bisedimet e saj të anëtarësimit me qeverinë e Tiranës.
Rruga Press

