Franca rikthen prodhimin e barutit. Predhat e artilerisë do të prodhohen për t’u dërguar në Ukrainë
Materialet e papërpunuara futen në makineri për të filluar procesin e krijimit të peletëve shumë shpërthyes, të gatshëm për t’u përdorur në mijëra predha artilerie të prodhuara në Francë, shumica e të cilave do të dërgohen në Ukrainë, ka raportuar agjencia e lajmeve “Reuters”.
E vendosur në rajonin jugperëndimor të Dordogna, i pasur me histori mesjetare, prodhuesi i eksplozivëve “Eurenco” është kompania e parë që do rikthej prodhimin e një aftësie të humbur përsëri në Francë dhe të tregoj se Evropa mund të ringjallë sektorin e saj të mbrojtjes.
“Të shohësh se një vend si Franca i ka larguar kapacitetet e prodhimit të barutit në fillim të viteve 2000, nuk kishte fare kuptim”, ka deklaruar ministri i Mbrojtjes, Sebastien Lecornu.
“Ishim në gjendje të prodhonim trupin e bombës, ngarkesën e përshtatshme por jo kapacitetin e prodhimit të barutit që nevojitej brenda pra ne nganjëherë ishim të varur nga evropianët, por disa herë të tjera nga jashtë Bashkimit Evropian”, ka shtuar ai.
E përkrahur nga qeveria me investim prej 100 milionë eurosh gjysma e së cilës erdhi nga programi i BE-së për të mbështetur industrinë e mbrojtjes së bllokut, kompania vendosi infrastrukturë të re në më pak se një vit.
Në fillim do të prodhojë rreth 1,200 ton peleta të barutit në vit, duke e rritur në 1,800 ton, që do të mjaftonte për 100,000 predha të artilerisë, të kalibrit 155mm sipas standardeve të NATO-s, të përdorura në artilerinë mobile të Francës, Caesar.
Rusia prodhon 30 herë më shumë gjë që e ilustron se sa shumë ka nevojë të bëjë Evropa.
Franca ka traditë të prodhimit të barutit që daton që nga shekulli i 14, dhe një histori të gjatë krenarie për prodhimin armëve të veta.
“Eurenco” ka prodhuar barut që nga Lufta e Parë Botërore. Por pas fundit të luftës së ftohtë, prodhimi i armëve dhe zinxhirët e furnizimit nuk ishin më prioritet dhe qeveritë u tërhoqën.
Fokusi i Francës u fokusua në prodhimin e produkteve më fitimprurëse, siç janë aeroplanët luftarakë Rafael, duke i lënë bizneset më pak fitimprurëse, siç janë ato të prodhimit të barutit, të veniten, të zëvendësohen me importe.
“Eurenco”, e njohur për prodhimin e mbushjeve të përshtatshme që nxitin predhat e artilerisë, braktisi blerjen e barutit në kompanitë e lidhura në Suedi dhe Gjermani në vitin 2007 dhe Franca u la në varësi të partnerëve të saj jashtë BE-së.
Jo më varësi
Lufta në Ukrainë është duke detyruar Evropën të rikrijoj industrinë e saj të mbrojtjes, me Moskën si kërcënim dhe SHBA-në nën presidentin Trump si aleat i paparashikueshëm.
Për kompanitë e armëve, me shumë gjasë numri i porosive nuk do të reduktohet për shumë vite, duke iu dhënë atyre një mundësi të investojnë dhe zhvillojnë për një kohë të gjatë derisa ofrojnë mundësi punësimi në zona që më herët janë braktisur.
Drejtori i projektit të “Eurenco”, Damien Ayesa ka treguar për Reuters se 10% e prodhimit do të jetë për konsum të brendshëm kurse pjesa tjetër për eksport, shumica e saj për Ukrainën. Sistemet do të punojnë 24 orë në ditë, 7 ditë në javë.
Por, asnjë nga këto nuk ka qenë e lehtë, ekonomia e luftës në Francë është duke marrë më shumë kohë të përshtatet se ajo e Rusisë.
Rregullat, veçanërisht ato për siguri, janë strikte. Po ashtu ka probleme me materialet e papërpunuara.
Dy nga tre elementet kyçe për të prodhuar peletet e barutit tani janë nga Franca, por akoma një e tretë duhet të importohet nga jashtë. “Eurenco” është duke studiuar se si të rregulloj problemin me zinxhirët e furnizimit, shtoi Ayesa.
“Qëllimi ynë është që të jemi autonom dhe sovran”, ka deklaruar Ayesa.
Rruga Press