Bota

Franca mund të dërgojë së shpejti trajnerë ushtarakë në Ukrainë

Franca mund të dërgojë së shpejti trajnerë ushtarakë në Ukrainë, pavarësisht shqetësimeve të disa aleatëve dhe kritikave nga Rusia, dhe këtë mund ta bëjë të ditur javën e ardhshme, gjatë qëndrimit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky në këtë shtet, kanë thënë tri burime diplomatike për Reuters.

Diplomatët kanë thënë se Parisi shpresonte të krijonte dhe të drejtonte një koalicion vendesh që ofrojnë një ndihmë të tillë për përpjekjet e luftës së Kievit, edhe pse disa nga partnerët e tij të Bashkimit Evropian kanë frikë se kjo do ta bënte më të mundshëm një konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë.

Sipas diplomatëve që kanë folur për Reutersin, Franca do të dërgonte fillimisht një numër të kufizuar të personelit për t’iu qasur modaliteteve të një misioni, para se të dërgonte qindra trajnerë.

Lexo më shumë  Putini urdhëron ushtrinë të rrisë numrin e trupave me 180 mijë në 1.5 milionë ndërsa luftimet në Ukrainë vazhdojnë

Trajnimi do të përqendrohej rreth çminimit, mbajtjes së pajisjeve operacionale dhe ekspertizës teknike për avionët luftarakë që do të sigurohen nga Perëndimi, sipas diplomatëve. 

Parisi gjithashtu do të financonte, armatoste dhe stërviste një brigadë të motorizuar ukrainase. 

“Aranzhimet janë shumë të avancuara dhe ne mund të presim diçka javën e ardhshme”, ka thënë njëri nga burimet.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky pritet të qëndrojë në Francë më 6 qershor, në shënimin e 80 vjetorit të Ditës D, kur ushtarët aleatë zbarkuan në Normandi për të larguar forcat naziste gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Zelensky do të zhvillojë bisedime me presidentin francez, Emmanuel Macron një ditë më pas. 

Lexo më shumë  Rusia mund të ketë ndarë sekretet bërthamore me Iranin në këmbim të raketave

Një komandant i lartë ukrainas ka thënë të hënën se ai kishte nënshkruar dokumente që lejonin instruktorët ushtarakë francezë që të vizitonin qendrat trajnuese ukrainase së shpejti. 

Mirëpo, presidenti rus, Vladimir Putin e ka portretizuar prezencën e ushtrisë së rregullt franceze në Ukrainë si një hap drejt konfliktit global.

Franca i ka trajnuar rreth 10,000 trupa ukrainase që kur Rusia ka nisur pushtimin në shkurt të vitit 2022, mirëpo këtë e ka bërë brenda BE-së. Mirëpo, misioni i ri nuk do të jetë nën kujdesin e BE-së apo NATO-s, kanë thënë diplomatët.

Rruga Press

YouTube player