Franca dhe Britania kërkon përfshirjen e Libanit në marrëveshjen për armëpushim
Franca dhe Britania po kërkojnë që Libani të përfshihet në marrëveshjen për armëpushim mes SHBA-së dhe Iranit.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dënoi ato që i përshkroi si sulme “pa dallim” nga Izraeli në Liban. Ai ka thënë se ka folur me presidentin dhe kryeministrin libanez dhe shprehu solidaritetin e plotë të Francës përballë sulmeve vdekjeprurëse, të cilat Izraeli tha se kishin në shënjestër më shumë se 100 qendra komande dhe vende ushtarake të grupit militant të mbështetur nga Irani, Hezbollah.
Sulmet “përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për qëndrueshmërinë e armëpushimit që sapo është arritur”, shkroi Macron në një postim në X, duke shtuar se Libani duhet të futet në marrëveshje.
Ai shtoi se ia përcolli këtë mesazh edhe presidentit iranian Masoud Pezeshkian dhe presidentit të SHBA-së Donald Trump, raportoi SkyNews.
“U thashë të dyve se vendimi i tyre për të pranuar një armëpushim ishte më i miri i mundshëm. Shpreha shpresën time se armëpushimi do të respektohet plotësisht nga secila prej palëve ndërluftuese, në të gjitha fushat e konfrontimit, përfshirë në Liban. Ky është një kusht i domosdoshëm që armëpushimi të jetë i besueshëm dhe i qëndrueshëm”, theksoi ai.
Kurse, ministrja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, pritet që në fjalimin e saj vjetor mbi prioritetet e politikës së jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, do të bëjë thirrje gjithashtu që Libani të përfshihet në marrëveshjen e armëpushimit.
Pakistani – i cili ndërmjetësoi armëpushimin SHBA-Iran – fillimisht tha se Libani ishte përfshirë në marrëveshje. Por Izraeli tha se nuk ishte dhe vazhdoi me sulmet ajrore, duke vrarë qindra persona të mërkurën.
Rruga Press

