Formacionet e mundshme: Priten shtatë ndryshime te Shqipëria në duelin me Gjeorgjinë
Pas miqësores me Spanjën, Kombëtarja shqiptare ka vijuar përgatitjet për sfidën e dytë ndaj Gjeorgjisë.
Kuqezinjtë kanë zhvilluar një seancë të lehtë në qendrën stërvitore të klubit Espanjol në Barcelonë. Lojtarët janë ndarë në dy grupe, teksa ata që u aktivizuan titullarë me Spanjën zhvilluan vetëm disa ushtrime fizike dhe pa top.
Ndërsa lojtarët që nuk u aktivizuan apo hynë në fushë si zëvendësues bënë stërvitje më të ngarkuar dhe taktike.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se në këtë seancë stërvitore nuk mori pjesë mesfushori Keidi Bare, i cili ka pasur një tërheqje muskulore pas ndeshjes.
Futbollisti kuqezi ka qenë në monitorim të vazhdueshëm dhe pas konsultimit me stafin mjekësor, u vendos që të mos jetë me skuadrën ndaj Gjeorgjisë.
Lojtari do të kthehet te klubi i tij në Spanjë për të vazhduar rikuperimin.
Gjithashtu, në këtë seancë stërvitore nuk mori pjesë as mbrojtësi Ivan Balliu, i cili do të mungojë në miqësoren ndaj Gjeorgjisë.
Me lojtarin ishte rënë paraprakisht dakord që do të luante vetëm miqësoren ndaj Spanjës e më pas do të kthehej te klubi i tij, pasi pret të bëjë dozën e tretë të vaksinës anti-COVID për t’u pajisur me pasaportën e vaksinimit (Green Pass).
Nuk do të jetë ndaj Spanjës as sulmuesi Myrto Uzuni. Pas kërkesës së Granadës për ta pasur lojtarin në dispozicion për shkak se ka një ndeshje shumë të rëndësishme në kampionat këtë javë dhe pas konsultimit me stafin teknik, u vendos që Uzuni të qëndrojë në Spanjë. Pjesa tjetër e lojtarëve nuk kanë asnjë problem dhe janë në gjendje të mirë fizike.
Skuadra ka zhvilluar dje paradite sërish në Barcelonë edhe seancën zyrtare stërvitore para ndeshjes. Ndërkohë, pasdite ekipi ka udhëtuar drejt Shqipërisë.
FORMACIONI
Me mungesën e Bares, Balliut dhe Uzunit, titullarë ndaj Spanjës, në ndeshjen e sotme tri ndryshime në formacion janë të sigurta.
Por jo vetëm ato, pasi trajneri Reja u shpreh që formacioni do të pësojë shumë ndryshime në këtë sfidë. Duke e nisur nga porta, ndaj Gjeorgjisë do të jetë radha e Tomas Strakoshës.
Në mbrojtje pritet që Odise Roshi të kalojë nga krahu i djathtë dhe në vendin e tij të luajë Emir Lenjani, ndërsa qendra e repartit do të përbëhet nga treshja që luajti ndaj Spanjës: Kumbulla, Gjimshiti dhe Ismajli.
Në mesfushë risia mund të jetë Kristjan Asllani që do të luajë ndeshjen e parë si titullar me Kombëtaren A, teksa do të shoqërohet nga Ylber Ramadani dhe Endri Çekiçi.
Ndërkaq, dyshja sulmuese pritet të përbëhet nga Armando Broja dhe Rei Manaj.
Rruga Press