Fondi 70 mln euro për vaksinën anti-COVID, Pisonero: Grantet janë në dispozicion të Ballkanit Perëndimor
Zëdhënësja e Komisionit Europian, Ana Pisonero i është përgjigjur interesit të Euronews Albania lidhur me ndarjen dhe përdorimin e fondeve 70 milionë euro që BE jep për Ballkanin Perëndimor për vaksinat anti-COVID.
“Këto 70 milionë nga Instrumenti i Para-Aderimit (IPA) do të përdoren për të ofruar grante për Ballkanin Perëndimor sipas popullatës ose bazuar në nevojat e identifikuara,” tha për Euronews Albania, Pisonero.
Sipas zëdhënëses së Komisionit, fondet do të përdoren për vaksinimin e grupeve prioritare, si stafi mjekësor primar, të moshuarit në rrezik të lartë dhe grupe të tjera vulnerabël.
“Këto grante janë të disponueshme menjëherë dhe do të ndihmojnë Ballkanin Perëndimor të mbulojë koston e dozave të vaksinës të disponueshme nga vendet anëtare të BE,” deklaroi Pisonero.
“Jemi në diskutim e sipër me shtetet anëtare për të ndarë (dhuruar ose rishitur) disa nga dozat e tyre për të siguruar akses të sigurt dhe efektiv ndaj vaksinave të COVID-19,” shtoi ajo. /Euronews Albania