FMN: Tre ekonomitë e mëdha kanë ngecur, si paraqitet situata?
Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon se ekonomia globale është në prag të recesionit, pasi ekonomitë më të mëdha të botës kanë ngecur dhe inflacioni është më i lartë se parashikimi i mëparshëm.
Ndryshe nga prilli, FMN uli parashikimet për 2022 dhe 2023 dhe shtoi pritshmëritë për një ngadalësim të theksuar të ekonomisë.
“Ekonomia globale ende po rimëkëmbet nga pandemia dhe pushtimi i Ukrainës. Tani jemi përballë parashikimeve të zymta dhe jo të sigurta. Rritja globale është ulur në 3.2% këtë vit dhe 2.9% vitin e ardhshëm, ndërsa inflacioni është rishikuar në 6.6% në ekonomitë e përparuara dhe 9.5% në ekonomitë e vendeve në zhvillim. Tre ekonomitë më të mëdha të botës, Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Europa, kanë ngecur,” – u shpreh Pierre-Olivier Gourinchas, krye-ekonomist i FMN-së.
Këshilltari ekonomik i FMN-së shtoi se lufta kundër inflacionit duhet të jetë prioritet për të gjitha shtetet, ndërsa mbështeti vendimet e bankave qendrore për rritjen e normave të interesit.
Qeveritë mund të zbusin ndikimin e ngadalësimit ekonomik te shtresat në nevojë përmes ndihmave, që duhet të paguhen nga taksa më të larta apo nga ulja e shpenzimeve publike.
Rruga Press