FMN largon Kosovën nga lista e shteteve në krizë – Murati: Lajm që vulos stabilitetin institucional dhe ekonomik
Pas Bankës Botërore, edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka larguar Kosovën nga lista e shteteve në situatë brishtësie dhe konflikti. Kjo është konsideruar një zhvillim i rëndësishëm për vendin, që vjen si njohje për progresin institucional dhe ekonomik të arritur vitet e fundit.
Lajmin e ka konfirmuar ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i cili e cilësoi këtë si një arritje të madhe për Kosovën.
“Edhe FMN-ja e heq Kosovën nga lista e Shteteve Fragjile dhe në Situatë Konflikti. Pas Bankës Botërore që ndërmorri këtë veprim gjatë javës së kaluar, dje kemi pranuar njoftimin edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për largimin e Kosovës nga kjo listë që FMN e përpilon,” deklaroi Murati.
Ai theksoi se ky është një lajm i shumëpritur, i cili “vulos stabilitetin institucional dhe qëndrueshmërinë ekonomike të vendit”, si dhe përfaqëson një mirënjohje për punën e deritanishme të institucioneve tona.
Ky veprim i FMN-së përforcon vlerësimin ndërkombëtar për progresin që ka bërë Kosova në konsolidimin e institucioneve dhe në forcimin e financave publike.
Rruga Press

