Bota

Fluturimet e shumta ruse drejt Teheranit gjatë protestave nxisin dyshime se Irani po transferon arin në Rusi

Avionë rusë të transportit ushtarak kanë nisur të kryejnë fluturime të rregullta drejt Teheranit, në një kohë kur Irani po përballet me protesta masive që nga fundi i dhjetorit, protesta të cilat po e vënë seriozisht në rrezik regjimin aktual. Kështu raporton mediumi i specializuar për aviacionin dhe logjistikën ajrore, Air Cargo Week, transmeton Rruga Press.

Sipas këtij burimi, në periudhën nga 27 dhjetori 2025 deri më 1 janar 2026, avionë të tipit Il-76TD, të regjistruar si fluturime civile por me përdorim ushtarak, kanë realizuar disa udhëtime drejt Teheranit. Këto fluturime kanë ndjekur itinerare që shmangin hapësirat ajrore të kontrolluara nga NATO, çka, sipas gazetarëve, tregon për një operacion të mirëorganizuar dhe jo për fluturime të rastësishme çarter. Përdorimi i vazhdueshëm i të njëjtëve avionë dhe përparësia e dhënë shpejtësisë ndaj kostos konsiderohen tregues të një operacioni logjistik të qëllimshëm.

Reporterët vlerësojnë se Rusia mund të jetë duke i ofruar Iranit mbështetje ushtarake dhe teknike, ndërsa njëkohësisht po përgatitet për një skenar të mundshëm evakuimi të udhëheqjes së lartë iraniane. Në këtë kuadër përmendet edhe mundësia e transferimit jashtë vendit të rezervave të arit. Air Cargo Week thekson se Moska ka ndjekur një qasje të ngjashme edhe gjatë arratisjes së ish-presidentit sirian Bashar al-Assad.

Lexo më shumë  Trump paralajmëroi sulm ndaj Meksikës, reagon presidentja e vendit

Protestat masive në Iran shpërthyen më 28 dhjetor, pas rënies së rialit në nivelin më të ulët historik dhe përkeqësimit të vazhdueshëm të situatës socio-ekonomike në vend.

Në të njëjtën periudhë kanë qarkulluar raportime se Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, mund të jetë duke u përgatitur për t’u larguar drejt Rusisë. Deputeti britanik Tom Tugendhat deklaroi se ekzistojnë indikacione serioze se sasi të konsiderueshme ari po nxirren nga Irani përmes avionëve rusë të transportit.

“Po vërejmë avionë rusë të ngarkesave që po mbërrijnë në Teheran, me shumë gjasë duke sjellë armë dhe municion, dhe njëkohësisht po dëgjojmë raportime se sasi të mëdha ari po transportohen jashtë Iranit”, deklaroi Tugendhat.

Edhe Bashar al-Assad, sipas raportimeve, u largua drejt Moskës me një ngarkesë ari, pasi presidenti rus Vladimir Putin dështoi në fund të vitit 2024 ta mbronte atë nga një kryengritje e armatosur e opozitës.

Protestat që nisën në fund të vitit 2025 si reagim ndaj krizës së thellë ekonomike, inflacionit rreth 50 për qind dhe zhvlerësimit të monedhës kombëtare, janë shndërruar gradualisht në protesta politike, me kërkesë kryesore dorëheqjen e Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei. Sipas të dhënave të disponueshme, demonstratat janë përhapur në 27 nga 31 provincat e Iranit.

Agjencia e Lajmeve për të Drejtat e Njeriut raporton se që nga fillimi i protestave janë vrarë të paktën 42 persona, ndërsa rreth 2.200 protestues janë arrestuar.

Ndërkohë, më 7 janar, Fox News, duke cituar Këshillin Kombëtar të Rezistencës së Iranit, raportoi se dy qytete – Abdanan dhe Malekshahi – kanë kaluar nën kontrollin e protestuesve.

YouTube player