Flota ruse tërhiqet jashtë rrezes së raketave të ardhura nga vendet perëndimore
Mbërritja e sistemeve raketore me rreze të shkurtër nga ana e aleatëve perëndimorë të Ukrainës ka sjellë efektet e para në fushëbetejë, veçanërisht në ujërat e Detit të Zi.
Sipas burimeve, pjesa më e madhe e anijeve të flotës ruse në atë rajon janë tërhequr më shumë se 100 kilometra nga brigjet ukrainase, një distancë sigurie kjo nga rrezja e raketave të fundit të tipit Harpoon nga Danimarka dhe M270 nga Britania e Madhe, që mund të godasin objektiva deri në 80 kilometra, por edhe të dronëve.
Presidenti Volodymyr Zelensky ka falënderuar publikisht Boris Johnson për dërgesën e raketave, edhe pse këshilltarët e tij ushtarakë vijojnë të thonë se janë shifra ende të pamjaftueshme për të mposhtur kundërshtarët rusë.
Edhe forcat ruse kanë instaluar gjithsesi një seri raketash të ngjashme në brigjet në afërsi të Kherson dhe në krime, për të mbrojtur nga sulmet bazat ushtarake nga sulmet ukrainase, por edhe për të ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj qyteteve si Odesa dhe Mykolaiv, kjo e fundit edhe dje e bombarduar disa herë.
Ndërkohë, beteja tokësore më e furishme është ajo që po zhvillohet në Donbas, pikërisht për marrjen e qytetit strategjik të Severodonetsk. Ekuilibrat në atë qytet ndryshojnë nga ora në orë, me rusët që arrijnë të marrin pjesë të mira të qendrës dhe më pas tërhiqen nga kundërpërgjigjja ukrainase.
Analistët mendojnë gjithsesi se forcat e Kievit me vështirësi do të mund të rezistojnë më shumë se 2 javë, nga momenti që numri i forcave ruse dhe artilerisë së tyre është shumë herë më i madh.