Opinion/Aktualitet

Fjolla e Londrës

Nga Agim Morina

Hyj në një qendër tregtare. I afrohem një vajze të re, punëtore e një shitoreje, dhe e pyes anglisht. Tue ma kthy përgjegjen ajo, më kap syni emnin e saj në xhepin e vogël të xhaketës: “Fjolla”.

– A je shqiptare? – e ndërpres.

– Po, – ma kthen me një një ndjenjë gëzimi e me një theks të lehtë anglez të shqipes me r-ja e me o-ja karakteristike, – jam shqiptare prej Kosove.

– Sa mirë! Edhe shqipen po e flet shum mirë.

– Jo shum mirë… por po mundohem me folë… – ma kthen, tue u skuqë pak.

– Unë jam mësues i gjuhës shqipe – i thom – dhe ti po e flet gjuhën shqipe fort mirë.

– Faleminderit! – më thotë.

Më ndihmon me gjithçka që më duhet. Gjithë muhabetin e bajmë në gjuhën shqipe, si me qenë në ndonjë shitore në ndonjë qytet shqiptar.

Lexo më shumë  Kush është me Serbinë?

Tue kry pagesën, i thom:

– Më duhet me të lutë për diçka…

Ajo çon sytë kureshtarë tue pritë se çka po du me thanë.

– Të lutem, përshëndeti prindët e tu, që duhen me qenë jo vetëm njerëz të ndershëm, por edhe shqiptarë të mirë, sepse të paskan pagëzu me një emën kaq të bukur. Thueju që u ka ba shum të fala një mësues.

– Po, po s’ka problem. – më thotë ajo, paksa e hutueme.

– Nëse ata nuk do të kishin pagëzu ty me një emën kaq të bukur shqip, – vazhdoj me i thanë, – unë kurrë nuk do ta kisha dijtë se je shqiptare dhe na nuk e kishim ba këtë muhabet sot në gjuhën shqipe.

Lexo më shumë  Kajsiu: Pensionet nxjerrin bllof modelin e qeverisjes Rama

Tue dalë prej dyqani vazhdoj me tjerrë me vete:

– Nuk jemi popull me numër sa kinezët, për mos me e çmu e mos me e rujtë shqipen. Një nga veprimet tona që tregon këtë kujdes asht edhe pagëzimi i fëmijëve tanë me emna shqiptarë. Shih sesi, në mes të Londrës, e takoj një shqiptare dhe e shquej vetëm prej emnit. Po të kishte pasë një emën tjetër, joshqiptar, kurrë nuk kisha pasë mundësi me e njohë e me pasë një bisedë kaq të kandshme. Duhet vetëm pak ma shum dashuni, pak ma shum kujdes e pak dinjitet, për me i dhanë një bukuri të pamatshme luleve të shqipes në këtë kopshtin e madh të gjuhëve të botës.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *