Lajme

Fiskalizimi / Shtyrje pa penalitete për bizneset e vogla, penalizohen të mëdhenjtë

TIRANË – Për shkak të numrit të ulët të biznesit të vogël të pafiskalizuar Ministria e Financave dhe Ekonomisë është duke shqyrtuar mundësinë për shtyrjen e afatit të mosvendosjes të gjobave vetëm për biznesin e vogël. Sipas të dhënave të Tatimeve, deri më 14 dhjetor janë fiskalizuar 60,000 subjekte, 50% e totalit që kanë detyrimin të fiskalizohen.

Kontabilisti Sotiraq Dhamo pohon për Monitor se nëse do të miratohet vendimi vetëm për shtyrjen e mosvendosjes të gjobave të biznesit të vogël do të penalizohet kategoria e biznesit të madh. Dhamo nënvizon se nëse do të merrej kjo masë do të ishte e padrejtë, pasi sipërmarrjet e mëdha do të penalizohen për problematika që nuk varen prej tyre.

“Për zbatimin e procesit të fiskalizimit ende ka shumë problematika që nuk janë zgjidhur. Kjo barrë nuk mund t’i lihet biznesit të madh, pasi zgjidhja e problemeve nuk varet prej tyre që ata të penalizohen. Shqetësuese për biznesin e madh nuk është mosregjistrimi për fiskalizmin, pasi shumica e biznesit të madh është fiskalizuar, por mosfunksionimi i sistemit, rritja e numrit të faturave të dubluara etj”.

Lexo më shumë  SPAK ‘zbërtheu’ bandën e Suel Çelës! Arrestohen Xhino dhe Marsel Roka, dy vëllezërit e drejtoreshës së Agjencisë së Zhvillimit të Territorit

Deri më 14 dhjetor kanë aplikuar dhe janë pajisur me certifikatë elektronike në të gjithë vendin 89,000 subjekte. Te fiskalizuar dhe që lëshojnë fatura të fiskalizuara rezultojnë 42% e bizneseve të vogla në vend. Të pajisur me certifikatë elektronike janë 71% e biznesit të vogël. Brenda 2021 fiskalizimi mbyllet i plotë për biznesin e madh. Sipas tatimeve nga totali i 25,392 bizneseve të mëdha aktive janë fiskalizuar 86% e tyre. Kanë mbetur të pafiskalizuar 3,300 subjekte.

Kontabilisti Dhamo thotë se masa e duhur do të ishte që afati i shtyrjes duhet të jetë i njëjtë me atë të zgjidhjes të këtyre problemeve. “Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe administrata tatimore fillimisht duhet të përcaktojnë se sa kohë i duhet për të zgjidhur problematikat e evidentuara nga kontabilistët dhe më pas të marrin vendimin se sa do të shtyhet procesit. Për të funksionuar procesi duhet të zgjidhen problemet teknike dhe ligjore. Për këtë duhet të përcaktohet se sa do të jetë afati i zgjidhjes së tyre. Sa kohë duhet të përfundojnë kërkesat e aplikimit. Nga eksperienca mendoj se duhet të paktën 6 muaj që këto probleme të zgjidhen”, citon z. Dhamo.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti merr pjesë në përurimin e bibliotekës e re në Komunën e Shtimes

Procesi i fiskalizimit nisi më 1 janar 2021 fillimisht me bizneset e mëdha që kryejnë transaksione pa para në dorë me entet publike. Nga 1 korriku nisi faza për transaksionet pa para në dorë mes bizneseve. Në ditët e parë të fazës II biznese hasi probleme me bllokimin e portalit SelfCare për shkak të mbingarkesës. Në këtë fazë pritej të fiskalizoheshin rreth 31 mijë subjekte. Faza III e procesit nisi nga 1 shtatori me përfshirjen e bizneseve të vogla, numri i të cilave është fiskalizuar mbetet i ulët.

Pak ditë më parë edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë, në një takim me drejtorin e tatimeve Ceno Klosi kërkoi shtyrje të gjobave për fiskalizimin.Dhoma ka kërkuar dhe shtyrjen e periudhës tranzitore që lejon deklarimin manual në e-filing të librit të shitjeve dhe blerjeve. (MONITOR)

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *