Firence, 22 korrik 1718 shfaqej premierë opera “Skënderbeu” e Antonio Vivaldit
302 vjet më parë, pikërisht në korrik të vitit 1718 u shfaq për herë të parë në Firence opera “Skënderbeu” e kompozitorit italian Antonio Vivaldi.
Diku, në fillim të viteve 1700, kompozitori i njohur Antonio Vivaldi shkroi një opera për Skënderbeun. Ishte një vepër me një histori të koklavitur. Ajo nuk qëndroi gjatë në skenë, e prej atëherë e deri në ditët tona ka mbërritur e cunguar. Një pjesë e saj ka humbur dhe, tashmë kanë mbetur vetëm katër arie dhe dy recitative (rreth 60 faqe të ruajtura).
Kjo pjesë e veprës u bë e njohur për publikun shqiptar në dhjetor 2003, kur u vu në skenë në një koncert nga Kori Femëror dhe Orkestra e Harqeve e Akademisë së Arteve në Tiranë, drejtuar nga mjeshtri Milto Vako, krahas operas “Skëndërbeu” të Prenk Jakovës.
Si lindi opera “Scanderbeg”
Vepra e Vivaldit u shfaq për herë të parë më 22 qershor të vitit 1718, me rastin e hapjes së Teatrit të Firences “Teatro di via della Pergola”. Ky institucion i rëndësishëm, i cili vepronte që prej vitit 1657 me emrin “Teatro dell Academia degli Immobili”, ishte i njohur si institucion i hapur për inovacione, më së tepërmi për ato që vinin nga Venediku, që ishte vatra e krijimtarisë operistike italiane nga fillimi i shekullit XVII. Në një studim të hollësishëm (vitet ´80) rreth kësaj vepre, muzikologu i njohur kroat Ennio Stipçeviç, ka dhënë gjithë atmosferën në kohën e krijimit të kësaj vepre, bashkëpunimin për ngritjen e saj në këmbë, pse u nuk u vu më në skenë, pas një sezoni të vetëm që u shfaq, etj., (shumë të dhëna të këtij studimi i kemi përfshirë në këtë shkrim).
Shfaqja e operës së Vivaldit u realizua pas pauzës në periudhën prej 1712 deri më 1718, kur u emërtua Teatri i Firences. Nisur nga kronikat e kohës mësohen shumë të dhëna, që janë të rëndësishme për ndriçimin e problematikës rreth operas “Scanderbeg”. Nga ditari në dorëshkrim i F.Settimanit (dorëshkrimi ruhet në arkivin shtetëror të Firences, mësohet se libretist i operës së Vivaldit ishte Antonio Salvi, emri i të cilit nuk gjendet në libretin e shtypur. Por Salvin e përmendin edhe autorë të tjerë si Pandolfini, Alacci, etj. Po nga këto kronika mësohet se kjo operë është vënë në teatër rreth 18 herë rresht dhe në krye të çdo tri ditëve. Por kjo vepër mbeti në repertorin e këtij teatri vetëm një vit. Më pas ajo nuk u vu më në skenë.
Ruhen vetëm disa fragmente nga opera
Partiturat e operës nuk janë ruajtur plotësisht dhe sot ruhet në Bibliotekën Kombëtare në Torino. Autografi i Vivaldit gjendet në vëllmin e dytë të koleksionit të përmëndur, i cili përbëhet prej gjashtë kapitujve plotësisht të ruajtur të muzikës.
Janë katër arie dhe dy recitative. Përveç aries së parë të gjithë fragmentet janë nga akti i dytë i operas. Ndërsa nga akti i tretë nuk është ruajtur asgjë.
Një nga veprat më të bukura të Vivaldit
“Scanderbeg” ishte një nga veprat më të bukura të Vivaldit. Studiuesit e konsiderojnë dëm të madh që opera “Scanderbeg” është ruajtur vetëm në fragmente, sepse për nga bukuria e muzikës, që është shkruar në këto 60 faqe të ruajtura, është e sigurt se kjo operë hynte në radhën e realizimeve më të mira operistike të kompozitorit. Nuk dihet pothuaj asgjë për rrethanat në të cilat është shfaqur opera “Scanderbeg”, madje, nuk dihet as cilat instrumente janë përdorur në shfaqje.
Por nga fragmentet e ruajtura dihet vetëm kaq, se janë përdorur: dy trompa, 2 oboa, violina e parë dhe violina e dytë, viola, violonat dhe basso continuo. Ndoshta kanë marrë pjesë në ekzekutim edhe disa instrumente të tjerë. P.sh. flautët ose brirët. Fragmentet e ruajtura muzikore janë cilësuar si shumë investive sa u takon melodive, kurse freskia e tyre, ndoshta do të jehojë edhe te publiku i sotëm.
Rruga Press