KryesoreLajme

Financial Times: “Drògè, spiunë e kamera: Shqipëria në vështirësi për t’i frenuar bàndàt krìmìnàle”

Kryeministri Edi Rama e mbron punën e tij, por skandalet gëlojnë në shtetin e vogël të Ballkanit, shkruan Financial Times

Edi Rama i Shqipërisë është njëri nga udhëheqësit më pro-perëndimorë në Ballkan, ish-basketbollist dhe artist që erdhi në pushtet duke premtuar shtypje të pamëshirshme të bandave kriminale.

Prapëseprapë, një dekadë më pas, vështirësitë e Ramës për ta përmbushur këtë premtim po bëhen gjithnjë më të qarta, pasi “çuni për poster” për progresistët e Ballkanit është tërhequr në disa skandale që e kanë njollosur imazhin e tij brenda e jashtë vendit.

Rama është detyruar që të mbrojë reforma që dyshohet se janë miqësore ndaj pastruesve të parave, të shpjegojë se si bashkëpunëtorët e vjetër të pushtetit ishin të përfshirë në hetimet për trafikim droge dhe të japë llogari për rolin e tij në rënien e një oficeri të turpëruar të FBI-së.

Lutfi Dervishi, analist i pavarur politik dhe ish-drejtor ekzekutiv i organizatës “Transparency International” në Shqipëri, tha: “Dëmi më i madh ka qenë ndaj reputacionit ndërkombëtar të vendit. Kryeministri dikur ishte yll i medieve ndërkombëtare.”

Ai tha se Rama ka menaxhuar mirë disa kriza, përfshirë pandeminë e koronavirusit, “por tani, si një bumerang, papritmas ai është në qendër të vëmendjes për lajme negative”.

Fuqia e rrjeteve kriminale në Shqipërinë e Ramës doli veçanërisht në shesh muajin e kaluar. Policia largoi qindra kamera vëzhgimi, të cilat ishin instaluar nga kriminelët – operacion i gjerë spiunazhi për vëzhgimin e forcave të rendit dhe rivalëve.

Lexo më shumë  Zgjedhjet e 9 shkurtit, Konjufca fton mërgimtarët që të regjistrohen dhe të shfrytëzojnë të drejtën për të votuar në ambasada ose konsullata

Këto zbulime ndikuan që të shkaktohej një hap jo i lehtë prapa për Ramën 58-vjeçar, i cili nga Perëndimi trajtohej si shpirt i afërm në një rajon të njohur për ndryshimin e aleancave.

Nga një familje artistësh, Rama e filloi karrierën e tij si basketbollist, pastaj kaloi një dekadë duke pikturuar në Paris para se të kthehej në Shqipëri dhe të hynte në politikë. Në zyrën e tij ende ka kujtime të basketbollit dhe veprat e tij plot ngjyra në mur. Si kryetar i Tiranës në pjesën e parë të këtij shekulli, ai ndihmoi për transformimin e kryeqytetit përmes ringjyrosjes së blloqeve të mërzitshme të banesave të periudhës komuniste me ngjyra më të gjalla.

Rama i ka mbrojtur përpjekjet e tij për t’i çrrënjosur bandat: “Luftimi i krimit dhe i trafikimit ka qenë prioritet për këtë qeveri”- i tha ai gazetës “Financial Times” përmes një zëdhënësi.

Prapëseprapë qeveria e tij shkaktoi kundërthënie vitin e kaluar duke kërkuar lirim nga taksat për rikthimin në vend të fitimeve të padeklaruara të jashtme me shumë deri në dy milionë euro, veprim për të cilin kritikët thonë se do t’u jepte kalim të lirë kriminelëve me fitim të madh.

Lexo më shumë  Në Kosovë promovohet pulla postare kundër dhunës gjinore “Sot dhe çdo ditë tjetër”

Ligji është në pritje të miratimit parlamentar edhe pse versionet e mëparshme të tij janë kritikuar nga BE-ja, ku Shqipëria është kandidate për t’u anëtarësuar. Qeveria e Ramës ka thënë se ligji do të vlejë vetëm për të ardhurat e ligjshme.

Kjo erdhi pas disa skandaleve të tjera. Dervishi tha se indeksi i organizatës “Transparency International” për perceptimin e korrupsionit për Shqipërinë ka shkuar “vetëm poshtë” që nga viti 2016. “Kam mbajtur shënime të vazhdueshme këtë vit për skandalet e mëdha që lidhen me korrupsionin. E kam kaluar numrin 12”- tha ai.

Anëtarë të lartë të administratave të kaluara të Ramës janë përfshirë në raste të drogës. Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, është burgosur për keqpërdorim të pushtetit në lidhjet e tij me një grup trafikuesish.

Mbrojtësit e Ramës thonë se udhëheqësit e mëparshëm të Qeverisë kurrë nuk do ta kishin lejuar burgosjen e zyrtarëve të tyre. Megjithatë, skandali i vëzhgimit i ka zemëruar qytetarët e rëndomtë, shumë prej të cilëve besojnë se Qeveria bashkëpunon me trafikuesit e drogës.

Ata trafikues janë duke e zgjeruar shtrirjen e tyre. Bandat shqiptare janë zgjeruar nga plantacionet e paligjshme të kanabisit te trafikimi i kokainës e heroinës drejtpërdrejt nga Amerika Latine e Azia. Miliona euro janë derdhur në Shqipëri, duke ndihmuar që të zhvillohen patundshmëritë luksoze përgjatë bregdetit.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *