Art & Kulturë

VOA: Filmi Zgjoi, jepet premierë në Uashington

Ditë më parë, filmi Zgjoi filloi shfaqjen në kinematë amerikane. Mbrëmë, në një shfaqje speciale në Uashington u dha premiera e fituesit të tre çmimeve kryesore të festivalit Sundance. Kolegu Burim Goxhuli bisedoi me regjisoren Blerta Basholli dhe aktoren kryesore të filmit Yllka Gashi, të cilat flasin për sfidat e realizimit të këtij projekti dhe sukseset e arritura.

Pas Nju Jorkut, në kuadër të rrugëtimit të tij në kinematë amerikane, Uashingtoni është ndalesa e radhës e filmit Zgjoi.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, regjisorja Blerta Basholli, foli për përshtypjet e deritashme në SHBA, aty ku Zgjoi fitoi tre çmimet kryesore të festivalit më të madh të pavarur, “Sundance”.

“Po ndihemi shumë mirë, sepse filmi përveç që në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e filloi në njëfarë mënyre rrugën e suksesit, tash kemi ardhur për lansimit e filmit në kinema. Sot jemi me një shfaqje speciale të filmit. Në Amerikë filmi po ka një audience shumë të mirë. Kemi pasur një pritje të jashtëzakonshmem, sidomos nga komuniteti shqiptar”, thotë zonja Basholli në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Filmi Zgjoi rrëfen historinë e Fahrije Hotit, një gruaje nga fshati Krushë e Madhe në Kosovë e cila pavarësisht vuajtjeve që përjetoi për humbjen e bashkëshortit të saj, i cili u zhduk së bashku me 225 burra tjerë të fshatit gjatë luftës në Kosovë, arriti që me gratë e tjera të fshatit të hapë një biznes, duke ngjallur shpresë për të ardhmen e duke u ngritur mbi mentalitetin patriarkal të mjedisit që rrethon.

Regjisorja Basholli thotë se pesha e përgjegjësisë për realizimin e këtij filmi ishte më e madhe nisur nga fakti se ai bazohej në ngjarje të vërtetë.

“Është përgjegjësi shumë e madhe fillimisht ta portretizosh ashtu siç ka qenë e pastaj edhe në njëfarë mënyre të marrësh miratimin e saj për punën që e kemi bërë, duke mos e lënduar edhe një herë me filmin që e krijojmë. Mirëpo, për fat të mirë, edhe pse ka qenë shumë stresues momenti kur ja kemi treguar filmin zonjës Fahrije, për fat të mirë ajo e ka pranuar atë, i ka pëlqyer mënyra se si e kemi realizuar”.

Zgjoi është kandidat për Akademinë e Çmimeve Oscar në kategorinë e “Filmit më të Mirë Ndërkombëtar”. Më 21 dhjetor pritet publikimi i listës së 15 finalistëve ndërsa më 5 shkurt të vitit të ardhshëm mësohen pesë finalistët e kësaj ngjarjeje.

Pritshmëritë janë të mëdha, duke parë suksesin e deritanishëm të filmit në festivale ndërkombëtare.

“ Në çdo festival që ka qenë në konkurrencë zyrtare filmi është kthyer të paktën me një çmim. Nuk e kam ditur që edhe kritikët e filmit do ta presin në këtë formë. Gjithmonë kemi thënë që ndoshta është një film autentik prej Kosovës dhe audiencat e huaja mund të mos komunikojnë aq mirë me këtë film, sepse për audiencën tonë e kemi ditur që do ta ndjente më ndryshe. Por e kishim ndjenjën dhe intuitën që ky do të jetë një film i suksesshëm sepse është punuar me shumë pasion dhe përkushtim”, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës, aktorja kryesore e filmit, Yllka Gashi.

Sipas aktores, Yllka Gashi, çelësi i suksesit të filmit Zgjoi është mesazhi i fuqishëm që ai përcjell tek shikuesi.

“Filmi është i dhimbshëm, sepse nuk ka luftë dhe pasoja të luftës që nuk janë të dhimbshme. Por filmi jonë besoj se u jep shikuesve edhe mesazhin e shpresës. Se sado që jeta është e vështirë dhe ka thyerje morale dhe emocionale, kur e ke një qëllim dhe dëshirë dhe lufton për të, ia vlenë sepse në fund mund edhe ta realizosh. Në të njëjtën kohë jep edhe mesazhin që kur gratë bëhen bashkë, mrekullitë mund të ndodhin”, thotë ajo.

Ideja për realizimin e këtij filmi lindi në vitin 2011. Që nga ajo kohë aktorja Gashi thotë se jetoi me ëndrrën e realizimit të këtij projekti.

“Ky është momenti im. Jam duke jetuar momentet më të bukura të karrierës. Jam shumë mirënjohëse për karrierën që kam pasur deri tani, për rolet televizive dhe teatrale, mirëpo më ka munguar një rol kryesor në film. Kam luajtur edhe në filma të shkurtër dhe të metrazhit të gjatë, por nuk kam pasur rol kryesor. Ky ka qenë momenti im dhe roli im jetësor. Kështuqë po e shijoj”.

Në Uashington, shikuesit ndoqën premirën në një shfaqje të parë speciale, ku në mesin e pjesëmarrësve ishte edhe Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe artistja e njohur Dua Lipa me familjen e saj.

RrugaPress

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *