Filmi përsëritet, SPAK nis të nxjerrë akuza të reja për Ballukun
Ditën që Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi pezullimin nga detyra dhe bllokimin e pasaportës të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, në media doli lajmi për një tjetër aferë të mundshme të ish njeriut më të fuqishëm të Shqipërisë, pas Edi Ramës. Bëhet fjalë për tenderin 20 milionë euro të lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës.
Hetimet e SPAK kanë gjetur të dhëna se edhe ky tender është diktuar nga Belinda Balluku dhe është i paracaktuar. Ndaj saj është ngritur pikërisht akuza e re gjithashtu për shkelje të barazisë në tendera për rastin e Unazës së Madhe. Mendohet të kenë qenë sërish bisedat e Ballukut me vartësit e saj që kanë hedhur dritë mbi aferën e radhës, njësoj si në rastin e tunelit të Llogarasë.
Kriteret për tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe dyshohet sipas SPAK të jenë vendosur specifikisht për të favorizuar kompanitë e ndërtimit Euroteorema, Pevlaku dhe NOVA Construction.
Ky është një film i përsëritur me zyrtarët e lartë që SPAK po i merr Edi Ramës. E njëjta gjë ndodhi me Ilir Beqajn, Lefter Kokën, Arben Ahmetajn dhe Erion Veliajn. Sapo çahet diga me një akuzë të butë, rrugës shtohen akuzat e tjera më të rënda.
Ajo që mbetet për t’u parë është se deri ku do të shkojnë masat ndaj ish zëvendëskryeministres. A do të mbyllet çëshja ndaj saj thjesht me ekzekutimin politik apo Balluku do të ketë fatin e kolegëve të saj, të cilët u privuan nga liria?
Ndërkohë që e panjohura tjetër e madhe është sa larg do të shkojnë hetimet për tunelin në zinxhirin e përgjegjësive. Sepse të gjithë e dinë, edhe vet SPAK dhe GJKKO se tunelin e Llogarasë nuk e bëri Belinda. Ai ishte biznes mes dy sulltanësh.
Rruga Press

