Filmi ku luan aktori shqiptar Alban Ukaj, në konkurrencë zyrtare në Cannes
Filmi “Tori and Lokita”, ku luan aktori i njohur shqiptar, Alban Ukaj, është në konkurrencë zyrtare në edicionin e sivjetmë të Festivalit të Filmit në Cannes. Filmi i dyshes së njohur, Jean-Pierre and Luc Dardenne, është në mesin e 18 filmave për “Palmën e Artë” në festivalin prestigjioz, i cili sivjet shënon edicionin e 75-të dhe mbahet prej 17 deri më 28 maj.
“Tori and Lokita” përshkruhet si një rrëfim në stilin e vëllezërve Dardenne, një dramë sociale për dy fëmijë afrikanë, të cilët kërkojnë letrat në Belgjikë.
Pikërisht me filmin “Heshtja e Lornës”, po ashtu, të dyshes belge Dardenne, Alban Ukaj mbërriti në Cannes në vitin 2008. Rolin kryesor në film, atë të Lornës, e kishte aktorja shqiptare, Arta Dobroshi. Filmi qe i nominuar për “Palmën e Artë” dhe mori Çmimin për skenarin më të mirë.
Rruga Press