Filmi “Kadillak dhe manaferra” premierë botërore në festivalin e Brukselit
Filmi “Kadillak dhe manaferra” është përzgjedhur në edicionin e 25-të, të festivalit të filmit të shkurtër në Bruksel, Belgjikë. Me skenar nga Bujar Alimani dhe regji nga Suela Bako, kjo është premiera ndërkombëtare e këtij filmi që mbështetet në një histori të vërtetë, që ka ndodhur në vitet ’70 në vendin tonë. Me regji të Suela Bakos, një film që ka në thelb rezistencën personale të njeriut kundër sistemit të kohës. Në kastën e aktorëve janë Lulzim Zeqja, Myzafer Zilfa dhe Daren Karameta. Në një reagim të tij, skenaristi Bujar Alimani tregon rreth asaj që gjen publiku në këtë film, që sipas tij bazohet në një histori të vërtetë. Alimani shprehet se gjithçka nis kur një tekniku nafte në vitet ’70 i vjen një makinë nga jashtë. “Është historia e rezistencës së një naftëtari kundrejt pushtetit dhe manipulimeve.
Një tekniku nafte diku në mes të viteve ‘70 i vjen një makine e ardhur nga i ati i tij emigrant i paraluftës në SHBA. Njerëzit e pushtetit përpiqen ta bindin, që atë makinë luksoze t’ia dhurojë udhëheqjes”, tregon Alimani. Si skenarist, Bujar Aliamni tregon se ka shume rëndësi pjesëmarrja në këtë festival të filmit të shkurtër në Belgjikë që zhvillohet nga data 20 deri më 30 të muajit që vjen. Kjo sepse sipas tij, duke qenë film i shkurtër është jo e lehtë të hyjë në festivale. “Realiteti tregon se filma të shkurtër prodhohen me shumë se sa filma të gjatë. Kështu që edhe dyndja e tyre në festivale, pra aplikimet për të hyrë janë të shumta.
Të pranohet një film i shkurtër është sukses shumë i madh dhe i rëndësishëm. Historitë shqiptare të treguara në një audiencë të huaj janë gjithnjë një njohje më shumë për vendin tonë. Zona ku kemi bërë xhirimet është kinematografikisht e pa eksploruar dhe si lokacion premton shumë”, thotë ai.
Rruga Press