“Fiket” Fanari, në këtë fshat që nga 1994 nuk ka lindur asnjë fëmijë
Fshati Fanar në Finiq, është një prej fshatrave që dëshmon shpopullimin me të cilin janë përballur shumë zona të vendit në 3 dekada.
Në këtë fshat shkolla është mbyllur që në vitin 1994 dhe banori më i ri është 72 vjeç.
Në Fanar takojmë Thodhori Mitron, banorin e vetëm që flet shqip këtu. Ai gjithashtu është personi më i ri i fshatit.
“Jam 72 vjeç. Të tjerët mund të jenë 80, 82, 78, të gjithë janë mosha ime e më lartë. Të rinj nuk kemi fare.”
Në fillim të viteve ‘90 emigracioni i banorëve të fshatit Fanar ishte masiv, aq sa në vitin 1994 shkolla e fshatit u mbyll për të mos u hapur më.
Asnjë fëmijë tjetër nuk ka lindur në Fanar që prej asaj kohe.
“Që në vitin ’94 nuk ka shkollë. Kanë ikur njerëzit, edhe shkolla u mbyll.”
Ndërkohë, ky fshat siç tregon edhe 72-vjeçari ka pasur gjithmonë prodhim të madh të produkteve bujqësore. Vetë, Thodhoriu edhe pse pensionist vazhdon të merret me bujqësi, por siç tregon ka shumë peripeci.
“Unë merrem me bujqësi, me tregtinë e misrit. Kemi shumë probleme me blerjen e plehrave kimike, kanë vajtur në stratosferë. Ne kemi blerë vjet urenë me 60 mijë lekë kuintalin, sivjet është 100 mijë lekë.”
Fshati aktualisht numëron 36 banorë dhe vëmendja e institucioneve ndaj tyre nuk është ndjerë prej vitesh. Problemet me energjinë elektrike dhe mungesa e një qendre shëndetësore ua ka vështirësuar jetën të gjithë të moshuarve.
“S’kemi spital këtu, vejmë atje”
Nga një shëtitje e bërë në fshat shihet se asnjë portë nuk është e hapur. Të moshuarit janë izoluar në banesa nga frika e pandemisë. E vetmja periudhë kur mund të dëgjosh ndonjë zë është koha kur emigrantët kthehen për të vizituar të afërmit e tyre.
Rruga Press