Sport

FIFA ndëshkon Serbinë për thirrjet anti-shqiptare në duelin e luajtur në Leskovac

Komiteti Disiplinor i FIFA-s ka vendosur një sanksion të rëndë ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë, pas sjelljeve të papërshtatshme të tifozëve gjatë ndeshjes me Shqipërinë, e zhvilluar më 11 tetor në Leskovc.

Gjobë dhe dënim me mbyllje të pjesshme të stadiumit

Federata serbe është gjobitur me 87,500 franga zvicerane (rreth 94 mijë euro), për shkak të ofendimeve dhe sjelljeve diskriminuese të një pjese të tifozëve gjatë ndeshjes, sidomos në momentin e intonimit të himnit shqiptar.

Përveç dënimit financiar, FIFA ka urdhëruar mbylljen e pjesshme të stadiumit në ndeshjen e radhës kualifikuese, ku të paktën 25% e kapacitetit të tribunave do të mbetet bosh në sfidën kundër Letonisë, që do të luhet po në Leskovc.

Ofendime dhe thirrje kundër shqiptarëve

Gjatë përballjes me kuqezinjtë, një pjesë e tifozëve serbë lëshuan thirrje ofenduese dhe fashiste ndaj shqiptarëve dhe Kosovës, duke krijuar një klimë armiqësore në stadium. Sjellje të tilla janë dënuar ashpër nga organet e futbollit ndërkombëtar, të cilat kanë theksuar tolerancë zero ndaj diskriminimit.

Pavarësisht tensioneve, Kombëtarja shqiptare tregoi karakter të fortë dhe arriti një fitore historike 1-0, falë golit të Rey Manajt. Ky sukses jo vetëm që përforcoi pozitat e kuqezinjve në garën për Kampionatin Botëror 2026, por erdhi edhe si një përgjigje sportive ndaj provokimeve dhe presionit të tifozëve vendas. Ky është dënimi i dytë i rëndë që FIFA i vendos Serbisë për sjellje të papranueshme të tifozëve në ndeshje ndërkombëtare.

YouTube player