KryesoreLajme

Fetoshi: Kosova në Bordin e Paqes, pozicionon vendin në anën e historisë

Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, ka vlerësuar se nisma e Presidentit amerikan Donald Trump për krijimin e Bordit të Paqes përfaqëson një alternativë të domosdoshme për zgjidhjen e konflikteve globale, në një sistem ndërkombëtar që, sipas tij, është i paralizuar nga apetitet hegjemoniste të Rusisë dhe Kinës.

Në një analizë të tij, Fetoshi thekson se me nënshkrimin e presidentes Vjosa Osmani, të bërë në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Republika e Kosovës ka legjitimuar këtë model të përkushtimit ndaj paqes, duke u rreshtuar qartë në anën e historisë.

Sipas Fetoshit, Kosova, si “viktima e parë” e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, i cili ishte i bllokuar nga vetoja ruso-kineze para 27 vjetësh, ka përvojë direkte me dështimin e mekanizmave ekzistues të sigurisë ndërkombëtare. Ai rikujton se ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999, e realizuar pa miratimin e Këshillit të Sigurimit, përfaqësonte një “shkelje” të legalitetit për hir të legjitimitetit dhe shpëtimit të civilëve.

Lexo më shumë  Skema kriminale e Bankers/ Një llogari bankare në Vjenë që po tret miliardat e naftës shqiptare

Në këtë kontekst, Fetoshi e sheh nismën e Presidentit Trump si vazhdimësi të rolit historik të Shteteve të Bashkuara si lidere e paqes dhe demokracisë, duke theksuar se përpjekjet aktuale synojnë neutralizimin e kërcënimeve të reja gjeopolitike që vijnë nga Rusia dhe Kina.

Ai vlerëson se, pavarësisht konfigurimit përfundimtar të Bordit të Paqes – qoftë si mekanizëm plotësues apo sfidues i Këshillit të Sigurimit – për Kosovën kjo nismë nënkupton avancim të marrëdhënieve strategjike me SHBA-të, rikonfirmim të subjektivitetit të saj të barabartë ndërkombëtar, si dhe njohje të rolit të saj si faktor i paqes dhe stabilitetit në Ballkan.

Sipas Fetoshit, një nga efektet më të rëndësishme të kësaj nisme është goditja e luftës narrative të Serbisë, e cila, siç thotë ai, synon ta paraqesë Kosovën si burim destabiliteti në rajon.

Duke komentuar hezitimin e disa vendeve evropiane për t’iu bashkuar këtij mekanizmi, Fetoshi thekson se kjo reflekton dilema dhe frikë lidhur me institucionet ekzistuese ndërkombëtare, por nuk e zbeh rëndësinë e Bordit të Paqes.

Në përfundim, ai vlerëson se kjo nismë nxjerr në pah krizën e thellë të sistemit aktual ndërkombëtar dhe mungesën e vullnetit kolektiv për sigurimin e paqes, ndërsa Kosova, sipas tij, edhe një herë ka folur me gjuhën e aleatit të saj strategjik, duke u pozicionuar qartë për stabilitet, partneritet dhe përgjegjësi ndërkombëtare.

YouTube player