Ferri në tokë, si po e saboton Ukraina ushtrinë ruse
Forcat e Operacioneve Speciale të Ukrainës (SOF), ose ndoshta luftëtarë guerrilas kanë kryer që nga 10 gushti sulme të suksesshme mbi 3 objektiva të rëndësishëm në Krimenë e pushtuar. Një sulm fillestar ndaj bazës ajrore Saki, shkaktoi një zjarr që u përhap shpejt tek depot e municioneve dhe ato të karburanteve, duke shkaktuar shumë shpërthime.
Ato shkatërruan të paktën 9 avionë luftarakë rusë si dhe dëme të mëdha tek objektet e bazës dhe ndërtesat përreth. Më 16 gusht u kryen sulme të mëtejshme mbi një depo të madhe municioni dhe pajisjesh në qytetin strategjik Dzhankoiskyi, ky kryqëzohen linjat hekurudhor në gadishull dhe mbi një bazë tjetër ajrore ruse në Gvardeyskoye, duke shkaktuar shumë zjarre dhe shpërthime të mëtejshme.
Në fillim të treja këto sulme u cilësuan nga autoritetet ruse si “aksidente”. Më pas Ministria ruse e Mbrojtjes por edhe mediat e saj folën për “akte sabotazhi“, edhe pse shpesh me raportime shumë kontradiktore. Dzhankoiskyi ndodhet mbi 160 km nga pozicionet më të afërta të vijës së parë të Ukrainës, ndërsa Gvardeyskoye dhe Saki janë që të dy mbi 210 km larg.
Si të tilla, ato qëndrojnë përtej rrezes së sistemit të famshëm amerikan të artilerisë me raketa HIMARS, që është përdorur me shumë sukses nga ushtria ukrainase për të goditur depot ruse të municioneve dhe objektivat e tjera kyçe logjistike, por edhe shtabet e komandës në zonat prapa linjës së frontit që nga mesi i qershorit.
Kjo ka bërë që disa analistë perëndimorë dhe ukrainas të arrijnë në përfundimin se Ukraina po krijonte sisteme të reja të fuqishme raketash me rreze të gjatë veprimi, si “ATACMS” i prodhuar në SHBA, raketat anti-anije të modifikuara “Neptun”, ose sistemin zhvillimor ukrainas të raketave balistike me rreze të shkurtër veprimi “HRIM-2”.
Megjithatë, bazuar tek nën-modeli i vëzhgueshëm i zjarrit dhe i shpërthimeve dytësore, këto sulme me shumë gjasa kenë qenë punë e ekipeve të “SOF” dhe diversantëve, ndoshta duke përdorur dronë të vegjël për të hedhur granata në vendet e depozitimit të municioneve dhe karburantit.
Kjo do t’i përshtatej një modeli të vendosur por rrallë të diskutuar të sulmeve të guximshme si pasojë e depërtimit të thellë të forcave speciale ukrainase në zonat e kontrolluara nga armiku që nga fillimi i pushtimit në shkurt dhe ndërmarrja e sulmeve kundër urave hekurudhore dhe objektivave të tjera kyçe logjistike, duke përfshirë ndonjëherë edhe ato që janë përtej kufijve dhe brenda vetë Rusisë.
Që nga viti 2014, Rusia ka kryer vetë disa sulme shumë shkatërruese përmes forcave speciale, duke përdorur dronë të vegjël të pajisur me municione kundër depove të municioneve ukrainase. Për Ukrainën dhe luftën e saj aktuale mbrojtëse, këto operacione sabotuese kanë një qëllim të dyfishtë. Ato i lejojnë forcat e vogla elitare t’u shkaktojnë dëme jo-proporcionale aftësive ushtarake të trupave armike në vijën e parë, duke ndërprerë apo shkatërruar linjat kryesore të logjistikës, për t’i izoluar trupat ruse.
Por ndoshta më e rëndësishmja: ato e vendosin ushtrisë ruse para një zgjedhje shumë të vështirë. Për shkak se këto sulme po kryhen në disa raste më shumë se 200 km nga linjat e trupave ukrainase, dhe fronti i luftës shtrihet në një distancë mbi 1000 km nga Kharkiv në veri dhe deri në Kherson në jug, zona e mundshme ku asetet ruse janë të prekshme ndaj sulmeve është shumë e madhe.
Forcat ruse kanë pësuar deri më sot rreth 80.000 të vrarë, të plagosur dhe të kapur robër. Po ashtu ato kanë humbur 5.200 mjete të blinduara, përfshirë gati 1.000 nga tanket kryesore luftarake gjatë 6 muajve të parë të pushtimit. Rrjedhimisht, ushtria ruse ka sot shumë mungesa.
Ajo nuk ka forca të mjaftueshme për të përmbushur njëkohësisht synimin e deklaruar politik të presidentit Putin për të pushtuar pjesën tjetër të rajonit Donetsk dhe qytetet e mbetura në Donbas, duke bllokuar në të njëjtën kohë një kundërofensivë të shpallur publikisht nga Ukraina në Kherson.
Përpjekjet e vonuara ruse për një mobilizim të fshehtë, që janë duke u zhvilluar që nga fundi i qershorit, kanë gjeneruar me sukses një numër të madh rekrutësh dhe “vullnetarësh” të rinj. Por do të kalojnë shumë muaj para se atyre t’u jepet trajnimi i mjaftueshëm për të qenë disi të dobishëm si përforcime për në vijën e parë të frontit.
Si e tillë, ofensiva në Donbas është zbehur, dhe forcat ruse janë detyruar të tërhiqen rreth qytetit kyç Izyum në veri të rajonit të Donbas, pas transferimit në shkallë të gjerë të njësive ruse në jug në Kherson javën e kaluar.
Me aktivitetet partizane pro-ukrainase në shkallë të gjerë të raportuara në Melitopolin e pushtuar, mungesën e bashkëpunimit nga popullata vendase me pushtuesit dhe tani me një model të sulmeve ukrainase kundër bazave kryesore ajrore ruse dhe objektet të saj logjistike në thellësi dhe prapa linjave të frontit, ushtria ruse përballet tani me një tërheqje tjetër të ngutshme për trupat e saj të rraskapitura.
Dhe duhet një numër shumë i madh trupash të rregullta ose forcash sigurie për të kufizuar seriozisht lirinë e veprimit të ekipeve të vogla, të mirë-stërvitura të SOF, të cilat veprojnë në territore që i njohin shumë mirë dhe midis një popullsie që i mbështet ata. Po ashtu forca të tilla duhet të shpërndahen gjerësisht për të ofruar siguri në mënyrë efektive, gjë që e bën më të vështirë ofrimin e mbështetjes logjistike, të komandimit dhe kontrollit sesa kur forcat janë më të përqendruara.
Transferimi në shkallë të gjerë i forcave ruse nga Donbasi në frontin jugor në javët e fundit, e ka bërë më të vështirë që një kundërofensivë e mundshme ukrainase të arrijë përparime domethënëse në terren nëpërmjet sulmeve tradicionale frontale.
Megjithatë, kjo e ka lënë frontin rus diku tjetër, jo shumë të pajisur dhe të mbështetur, duke e rritur ndjeshëm kërkesën për furnizime me karburant, ushqim, ilaçe dhe municione në jug. Strategjia ukrainase gjatë muajve të ardhshëm mund të jetë përdorimi i kërcënimit të një ofensive të madhe, së bashku me një fushatë të bashkërenduar të “SOF” dhe sulme të vazhdueshme me “HIMARS” pas linjave të pushtuesit për të izoluar shumicën e forcave ruse në Kherson.
Ndërkohë, mund të zhvillohen në një shkallë më të vogël sulme rreth Izyum dhe potencialisht drejt Melitopolit nga Zaporizhzhias, apo edhe në Donbass, për t’i dhënë iniciativën Ukrainës, dhe për t’i detyruar komandantët rusë t`u paraqesin eprorëve më lart një grup të pamundur kërkesash të njëkohshme e të pamundura për t’u plotësuar.
Shënim: Justin Bronk, studiues i fuqisë dhe teknologjisë ajrore në ekipin e shkencave ushtarake në think-tankun britanik Royal United Services Institute
Rruga Press