Lajme

Fermerët e qumështit protestë në Lushnjë, ankohen për uljen e çmimit ndërkohë që fabrikat e përpunimit rrisin importet

Sot fermerët e zonës së Myzeqesë do jenë përsëri në protestë për çmimin e qumështit dhe për problemet që ata po hasin për ta shitur. Protesta do të organizohet në orën 12:00 në rrethrrotullimin e Savrës në Lushnjë.

Sipas të dhënave nga doganat shqiptare, që nga 3 janari 2024 deri më 29 mars 2024, është importuar një sasi e konsiderueshme e qumështit nga Kosova, Sllovakia, Hungaria dhe Serbia.

Mbi 1 milion euro në 3 muaj dalin jashtë Shqipërisë për qumësht, ndërsa blegtorët shqiptarë trajtohen në mënyrë të padrejtë dhe nuk paguhen siç duhet, raporton Euronews Albania .

Nëse lexojmë etiketat e qumështit, ato pretendojnë se vijnë “nga fermat e zonës”, duke na lënë të hamendësojmë për origjinën dhe cilësinë e vërtetë të qumështit që konsumojmë – qumësht importi, origjina dhe cilësia e të cilit mbeten të paqarta. Kjo ndodh ndërkohë që fabrikat shqiptare, të cilat kanë marrë investime të mëdha nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, përfshijnë produktet e tyre nën etiketa të tilla të paqarta.

Gjendja e fermerit është alarmante: për më shumë se 5 ditë, qumështi derdhet në kanale, ndërsa importet mbysin tregun, duke krijuar një formë moderne skllavërie.

Lexo më shumë  Nisin punimet për ndërtimin e Parkut Industrial në Drenas

Ditët e fundit blegtorët e fushës së Myzeqesë janë përballur me një tjetër ulje të çmimit të qumështit.

Kjo i ka vënë ata në vështirësi për mirëfunksionimin e fermave të tyre ndërkohë që ulja e çmimit të qumështit nuk ka reflektuar në tregun e bulmetit për konsumatorët ku çmimet mbeten të pandryshuara.

Aktualisht një litër qumësht dele shkon nga 110 deri 120 lekë ndërsa një ulje të konsiderueshme ka pësuar edhe qumështi i lopës.

“Qumështi i bagëtive të imëta vjet vajti me 160 që si konkurrence e baxhove, por sivjet ranë në ujdi na e çuan qumështin me 110-120. Leverdia jonë përderisa nuk ulen gjërat ne për një copë bukë jemi.

Po vazhduam kështu do i heqim. Edhe për lopët e kanë ulur po flasin për ta çuar tek 50 lekë. Po ca prodhimi ata sjellin nga jashtë qumësht pluhur dhe mish. Ata i vënë sa të duan në dorë të tyre jemi.”

Lexo më shumë  Në Kosovë nis fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

Për ekspertin e blegtorisë njëkohësisht blegtor, Ervin Resuli kjo situatë vijon prej disa ditësh kur fermerët janë përballur me çmimin e ulur të qumështit. Sipas tij është krijuar një kartel i grumbulluesve të cilët mbledhin qumështin me të njëjtin çmim duke prishur kërkesë ofertën. Ndërkohë që institucionet e kontrollit kanë heshtur përballë kësaj situate.

“Pas të imëtave pas 1 prillit ka nisur një problematikë edhe për qumështin e gjedhit. Është i njëjti grup monopolist që dikton blerjet tek fermeri dhe shitjet tek konsumatori. I njëjti kartel që shfrytëzon blegtorin dhe bujkun shqiptar.

Ne kemi unison ne blerje me vendosje të çmimeve monoliste. Ka një disbalancë të tregut nuk jemi në ekonomi të lirë, por të kapur. Nga ana tjetër ata që duhet të bëjnë kontrollin përfshirë AKU Tatimet, Autoriteti i konkurrencës nuk ndihen dhe janë në një lloj gjumi letargjik.”

Nga ana tjetër sipas Resulit mbështetja për blegtorët në radhë të parë duhet të vijë përmes rregullimit të tregut dhe menaxhimit të tij e më pas me subvencionet.

YouTube player