KryesoreLajme

Fermerët e Dimalit në Shqipëri drejt falimentimit: Çmimet e ulëta dhe mungesa e tregut kërcënojnë prodhimin e agrumeve

Fermerët e fshatit Hinkë, në bashkinë Dimal, po përballen çdo vit e më shumë me rrezikun e falimentimit. Ndërsa prodhimi i agrumeve këtë sezon ka qenë i bollshëm dhe me cilësi të lartë, sfidat kryesore mbeten mungesa e tregut, çmimet e ulëta dhe fuqia e reduktuar punëtore.

Sipas banorëve të zonës, çmimi i manderinave është shumë më i ulët krahasuar me vitin e kaluar, duke i lënë fermerët në pamundësi për të mbuluar kostot minimale të kultivimit.

Fermerët shprehen se, ndonëse prodhimi këtë vit është cilësor, tregu po i penalizon rëndë:

“Prodhimi sivjet është i mbarë dhe më cilësor se vitet e tjera, por po na penalizon çmimi i ulët, sidomos tani në fillim të sezonit. Jemi dobët me tregun. Në behar shkojmë në Greqi të punojmë për të nxjerrë shpenzimet e manderinave: plehra, helme, spërkatje etj. Me këtë çmim që na ofrojnë pikat e grumbullimit, nuk mbulojmë dot as kostot”, – thonë fermerët.

Ata shtojnë se shërbimi ndaj pemëve është i vazhdueshëm dhe kërkon investime të konsiderueshme: spërkatje, vaditje, krasitje, hedhje plehrash dhe pesticide.

Lexo më shumë  “Ishulli i Trump”/ RAI3: Sazani, perla e natyrës, e blerë nga Ivanka dhe Jared Kushner

Sipas fermerëve, procesi i vjeljes po bëhet gjithnjë e më i vështirë për shkak të mungesës së krahut të punës. Shumica e banorëve të zonës kanë emigruar dhe gjatë sezonit është thuajse e pamundur të gjesh punëtorë.

Megjithatë, ata theksojnë se prodhimi i tyre është brenda të gjitha standardeve, me përdorim të kontrolluar të pesticideve dhe produkteve të lejuara.

Fshati Hinkë, në Njësinë Administrative Poshnje, njihet prej dy dekadash për kultivimin e agrumeve. E gjithë zona është e mbjellë me manderina dhe pemë të tjera frutore. Kushtet klimatike dhe tokësore e kanë bërë këtë territor të favorshëm për bujqësi, duke bërë që agrumet të kthehen në burimin kryesor ekonomik të banorëve.

Lexo më shumë  INSTAT: 7 qarqe drejt shuarjes natyrore, juglindja dhe jugu i Shqipërisë në “infarkt” demografik

Por sot, përballë tregut të pasigurt dhe çmimeve të ulëta, fermerët thonë se janë në prag të dorëzimit.

Rruga Press

YouTube player