Feraj: Është e qartë se tashmë Kosova ka faktikisht sistem dypartiak
Shkruan Hysamedin Feraj
I gjatë, i mërzitshëm, por ndoshta i dobishëm për reflektim politik:
I.
Është e qartë se tashmë Kosova ka faktikisht sistem dypartiak.
Njëra parti e trefishtë, LVV-Guxo-Alternativa, ka program dy shtylla:
- Sovranitetin e vetëm të brendshëm të shtetit të Kosovës;
- Sovranitetin e sundimit të ligjit përballë korrupsionit.
Kjo parti është votuar për realizimin e këtyre premtimeve dhe këtyre dy shtyllave.
Partia tjetër e katërfishtë, PDK-LDK-AAK-LS, etj., ka program dy shtylla:
- Sovranitetin në ortakëri me Serbinë brenda shtetit të Kosovës;
- Ortakërinë e ligjit me korrupsionin.
Mbi këto dy shtylla, brenda saj ka ndarje pune dhe theksimi temash:
- PDK premtoi abrogimin e të gjitha veprimeve që ka realizuar LVV në Veri të Kosovës, për t’i rikthyer institucionet e Serbisë si ortakë në sovranitetin e brendshëm të Kosovës.
- LDK premtoi shitjen përsëri pronarëve privatë të ndërmarrjeve publike që dolën me fitim mbasi u kthyen në pronësi publike dhe mbasi iu dha goditje korrupsionit të realizuar më parë përmes tyre.
- AAK konsideronte Radojçiqin zot shtëpie, metaforë për sovranin në veriun e Kosovës dhe, bashkë me të tjerat, mbron idenë që përmes Serbisë t’i sigurojë Kosovës aleancën amerikane.
Edhe kjo parti (e katërfishtë) është votuar nga qytetarët për realizimin e këtyre premtimeve dhe këtyre dy shtyllave.
Në sistemet dy partiakë është sa e vështirë aq dhe e padëshirueshme të krijohen qeveri koalicioni, mbasi në fakt vendi mbetet pa opozitë. Të dy këta aspekte janë dëshmuar gjatë nga SHBA, UK, Malta, Greqia, etj., ku sigurisht jo se nuk ka pasur parti të tjera, por sepse kanë qenë e janë shumë të vogla.
II.
Si dy shtyllat e partisë së parë, ashtu edhe dy shtyllat e partisë së dytë kanë për temë shtetimin e Republikës dhe janë votuar në varësi se si qytetari i është përgjigjur pyetjes që i ka bërë vetes për sovranitetin dhe ligjin. Pra janë dy shtyllat ose parimet përkatës themelorë dhe të kundërt në themel.
Sepse më parë duhet me pasë shtet, dhe pastaj shteti me bë politika sociale, ekonomike, etj.
Prandaj, në varësi se si qytetari është përgjigjur për këto dy qëndrime ose shtylla thellësisht politike (“politics”), ka dhënë tashmë përgjigjen e vet edhe për politikat (“policy”), domethënë ato sociale, ekonomike, kulturore, etj.
Kur qytetari, me marrjen e vendimit të vet, ka renditur si parësore sovranitetin e shtetit përpara zgjidhjes së problemit socio-ekonomik, ka dëshmuar tashmë veten si qenie politike që vendos garancimë e publikes para interesit privat. Në këtë rast ai ka shpallur me votën e vet se është qytetar politik.
Kur qytetari, me marrjen e vendimit të vet, ka renditur si parësore politikat para shtetit ose pa shtetim, ka dëshmuar tashmë veten si qenie parapolitike dhe vendimin e vet me qenë parapolitik.
III.
Asnjëra prej partive nuk e ka gënjyer as zhgënjyer qytetarin votues gjatë as mbas fushatës zgjedhore, sepse të dyja kanë deklaruar hapur ose/dhe nënkuptueshëm se nuk bëjnë qeveri koalicioni me tjetrën, sepse politikanët e dinë që nisen nga parime të papajtueshëm, të pakoalicionueshëm. Tani të dy partitë politike po mbajnë premtimin. Por ka qytetarë individualë që mendojnë me çdo kusht bashkimin e të kundërtave në emër të unitetit. Pa i zgjedhur askush si përfaqësues, në emër të qytetarëve, u kërkojnë partive të mos mbajnë premtimet por të pajtohen, të bëjnë qeveri koalicioni.
Ky lloj qytetari që hiqet i lodhur, që nuk është zgjedhur të përfaqësojë dikë tjetër, u bërtet partive pa u lodhur “mos bëni lojëra”, “gjeni zgjidhje”, “na keni lodhë!”. Por ky lloj qytetari parapolitik thirrjen duhet t’ia drejtojë vetes. Sepse, e para, vetë e ka krijuar situatën e pamundur për koalicion dhe, e dyta, këtë situatë e ka krijuar nga lodhja me mendu politikisht para se ta krijonte atë, ndërsa tani vetëm sa korrë rezultatin e “lodhjes” së vet.
Kush merr vesh sado pak nga demokracia, e di se fati i shtetit dhe demokracisë varet nga qytetari aktiv, që di të qeverisë e të qeveriset. Di, pra, se qytetari i lodhur, në mos qoftë “dënim me vdekje” për shtetin dhe demokracinë, është së paku lodhës, dobësues, pakësues i shtetit dhe demokracisë.
IV.
Mbase ky “qytetar” parapolitik i ka besuar vetes me tepri: do t’i detyrojë të pajtohen partitë e papajtueshme, parimet e papajtueshëm. Pra, vetë ka bërë pa u lodhur një lojë që lodh politikën, dhe tani thërret: “Mos më lodhni me lojërat e juaja, sepse vetëm unë kam të drejtën t’ju lodh me lojërat e mia!”.
Mbase ky qytetar hibrid ka menduar se me këto lojëra i shërben demokracisë, mbase ka menduar: “Qeverisja nga një parti e vetme dobëson demokracinë, rrezikon të kthejë vendin tim në sistemin njëpartiak!”
Me këtë dëshmon sa i palodhur, sa aktiv është në lojërat e veta për me gjet një mendim të lodhtë, të pasaktë, të padëshmuar nga përvoja, vetëm e vetëm që ta legjitimojë sjelljen e vet parapolitike, sjellje që vendos politikat para politikës (para shtetimit të vendit të vet).
Ky lloj qytetari të cilin e lodh të menduarit, po të kishte menduar për fatet e demokracisë do të dinte se ka demokraci shekullore ku është qeverisur pa koalicione partish (disa prej të cilëve u përmendën më lart). Do të dinte se madje ka vende ku me dekada ka qeverisur një parti mbisunduese, si Japonia, pa e prishur demokracinë. Do të dinte se ku ka pasur më së shpeshti qeveri koalicioni, aty ka bashkë-qeverisur më së shumti mafia, si rasti i Italisë. Dhe do të dinte në fund se qeverisja me koalicion partish dhe dobësimi i demokracisë në Europë kanë shkuar gjatë dekadave të fundit krah për krah.
Ky korrelacion i drejtë ka kuptim, sepse në thelb, koalicioni kërkon dobësimin e politikës përmes të kundërtit të saj, pazarit. Kërkon kthimin e politikës në pazar. Kur pazarit i nënshtrohet edhe parimet, sjellja politike ka marrë fund dhe sjellja tregtare ka fitu. Me këtë fitore, në treg është nxjerrë qytetari, vota, politikani, shteti, territori, liria. Tjetrit i është dhënë e drejta të të pyes: sa pare ma shet votën, lirinë, atdheun, territorin, sovranitetin? Shkurt, për sa shitesh zotëri/zonjë?
V.
Shumë shtete europiane duket se kanë kuptuar së fundmi që kanë dobësuar shtetin e vet për çmimin më të lirë të gazit rus në tregun botëror të gazit, për rroga dhe jetë sociale më të këndshme e më të hareshme duke mos paguar për mbrojtje, madje deri për një post të paguar mirë në Gazprom, si Schröderi. Por ama janë kënaqë e kanë bërë qejf me qeveri koalicionesh partiake. Tani thonë se po iu rrezikohet sovraniteti dhe vlerat demokratike europiane, jeta e këndshme, nga mundësia e luftës me Rusinë, ose madje e pushtimit nga Rusia.
Apo ndoshta vetëm po i frikësojnë kot qytetarët, siç thoshte opozita jonë në Kosovë për Albin Kurtin kur paralajmëronte rrezikun e luftës nga Rusia dhe Serbia, opozitë e votuar për këso qëndrimesh nga qytetari parapolitik i Kosovës, nga qytetarët që vendosin paranë para shtetit?
Rruga Press

