Fëmijët rrezikojnë të mbeten pa çerdhe – Përparim Rama që prej 15 muajsh nuk jep lejen për ndërtimin në Kolovicë, bllokon Ministrinë e Arsimit të kryej punimet
Në muajin tetor të vitit 2022 me një ceremoni rasti ishte bërë vendosja e gurëthemelit dhe nisja e punimeve për ndërtimin e një çerdhe në vlerë prej 743,347.74 euro në lagjen Kolovicë të kryeqytetit. Në këtë ngjarje mori pjesë edhe vetë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, duke u paraqitur si drejtues i komunës në nisjen e këtij investimi, i cili është shumë i nevojshëm për banorët në këtë lagje. Por çuditërisht kryetari Rama dhe vartësit e tij në Komunë, pa asnjë shpjegim kanë bllokuar ndërtimin e çerdhes.
Edhe 15 muaj pasi është vënë gurëthemeli, tashmë gjithçka nga ky projekt mund të dështoj dhe fëmijët e kësaj lagjeje rrezikojnë të mbesin ta pa përfshirë në edukimin e hershëm, që është edhe periudha më e rëndësishme e vendimtare për mënyrën e zhvillimit të jetës së fëmijëve.
Deri më tani kryetari Përparim Rama dhe varësit e tij në Komunën e Prishtinës, nuk kanë dhënë asnjë sqarim pse po bllokojnë ndërtimin e çerdhes.
Procedura për ndërtimin e çerdhes nga fillimi i vitit 2022
Duke parë se mungesa e më shumë çerdheve publike në gjithë vendin, ia ka pamundësuar një numri të madh të fëmijëve edukimin e hershëm, Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) përmes strategjisë së saj për arsim, edukimin e hershëm e ka renditur si shtyllë të parë. Për këtë shkak vit pas viti edhe janë ndarë mjete buxhetore për ndërtimin e çerdheve.
Me ligjin e buxhetit 2022 MASHTI ka ndarë mjetet buxhetore për ndërtimin e çerdhes, ku pas komunikimeve me DKA-në, Komuna e Prishtinës ka përcaktuar parcelën për ndërtimin e çerdhes në kuadër të bllokut “C-5” të planit rregullues urban “Medrese-Çamëri”.
Nga muaji janar 2022 MASHTI kishte kërkuar nga KDA e Komunës së Prishtinës sigurimin e lokacionit përkatës për ndërtimin e çerdhes në kryeqytet.
Në muajin shkurt 2022 DKA ka dorëzuar kërkesën për ndërtimin e çerdhes në Kolovicë, në kuadër të planit rregullues urban “Medrese – Çamëri” . Përmes një shkrese Komuna e Prishtinës edhe ka përcaktuar parcelën ku do të ndërtohet çerdhja, duke bashkëngjitur vendimin për ndarjen e lokacionit, fletën poseduese, kopjen e planit dhe kërkesën për investime.
Pas këtyre procedurave, nga muaji shtator 2022 MASHTI ka zhvilluar procedurat e prokurimit për ndërtimin e një çerdhe të re në lagjen Kolovicë, duke nënshkruar edhe kontratën e ndërtimit e saj në vlerë prej 743,347.74 euro.
E pas vënies së gurëthemelit në tetor 2022 MASHTI ka dorëzuar në Komunën e Prishtinës projekt dizajnin e kompletuar në kopje fizike, me qëllim inicimin e procedurave për lëshimin e lejes së ndërtimit.
Bllokimi nga Komuna e Prishtinës, që 15 muaj nuk jep lejen
Ndonëse kanë kaluar 15 muaj prej kur kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama mori pjesë në vënien e gurëthemelit për ndërtimin e çerdhes së re në lagjen Kolovicë të kryeqytetit, Komuna që ai udhëheq nuk ka lëshuar ende lejen e ndërtimit.
Bllokimi që po bën Komuna e Prishtinës ka pamundësuar fillimin dhe kryerjen e punimeve dhe rrezikon që fëmijët e lagjes Kolovicë të mbesin pa çerdhe publike.
Kështu kjo i shkon në favor kopshteve e çerdheve private që funksionojnë në atë zonë.
KosovaNews ka dërguar pyetje te drejtuesit e Komunës, për të marrë një përgjigje e kuptuar arsyen pse nuk po lejohet ndërtimi i çerdhes, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk është kthyer asnjë përgjigje për çështjen në fjalë.
E bllokimi nga Komuna e Prishtinës rrezikon që të humbet investimi në vlerë prej 743,347.74 euro dhe fëmijët në Kolovicë të mbesin pa çerdhe.
“Për shkak se kemi hyrë në obligimi ligjore me rastin e lidhjes së kontratës , jeni të lutur që deri në fund të këtij muaji (shkurt 2024) të merrni përsipër përmbushjen e obligimeve tuaja, duke lëshuar lejen e nevojshme të ndërtimit për këtë çerdhe. Përndryshe do të jemi të detyruar të ndërmarrim veprimet përkatëse ligjore”, thuhet mes tjerash në shkresën që MASHTI e ka dërguar së fundi në adresë të kryetarit Përparim Rama dhe drejtuesit tjerë të komunës./KosovaNews
Rruga Press