Fatura e kripur e fiskalizimit, biznesi i vogël ul nesër qepenat për një orë në shenjë proteste
Biznesi i vogël do të zhvillojë nesër një protestë duke ulur qepenat për një orë. Vendimi është marrë për të kundërshtuar veprimin e qeverisë për fiskalizimin për të cilin thonë se u janë rritur kostot.
“Me bazën e biznesit shqiptar kemi vendosur që ditën e dielë nga ora 10 në 11 të ulim qepenat”.
Biznesi i vogël ka paralajmëruar të reagojë në këtë formë për të kërkuar mbështetjen e qeverisë në përballimin e kostove të fiskalizimit.
Nënkryetari i shoqatës, Bujar Muço, shprehet se vështirësive ekonomike po i shtohet dhe një proces i ndërlikuar.
“Kemi kundërshtuar këtë sistem për dy arsye, është i papërballueshëm sot në situatën që po kalon biznesi dhe për arsye se është një sistem me teknik të ndërlikuar që e ka të vështirë ta përdorë biznesi i vogël dhe i mesëm”.
Nuk janë kundër procesit të fiskalizimit, por kërkojnë shtyrjen e fazës së tretë.
“Ne kërkojmë të gjendet koha e duhur dhe momenti i duhur, nuk jemi kundra inovacionit, ne e pranojmë, por me kosto shume të ulëta që ta përballojë biznesi, por dhe me sistem të thjeshtuar. Ne kemi kërkuar shtyrjen e afatit sepse situata ekonomike e biznesit është si mos me keq”.
Faza e tretë e fiskalizimit përfshin transaksionet me para në dorë ndërmjet bizneseve dhe konsumatorëve dhe përbën etapën e fundit të procesit.
Bizneset që nuk nisin faturimin elektronik nga 1 janari 2022 do të gjobiten./ora/