Opinion/Aktualitet

Fati i Evropës po vendoset në Ukrainë dhe në Francë

Pushtimi i Ukrainës dhe me këtë shkatërrimi i identitetit të saj nacional, në njërën anë dhe shfrytëzimi i dobësive të Europës në anën tjetër, rikthen në skenë gjeopolitikën kontinentale.

Nga Dr Sadri RAMABAJA*

Hyrje

Krizën aktuale, jo vetëm këtë ruso-ukrainase, por edhe atë që mund të pasojë me përmasa më të përshpejtuara si rezultat i fitores së mundshme të Marie Le Pen-it në Francë, ndërkaq më e kontrolluar nëse do të rimandatohet presidenti aktual, Emmanuel Macron, në këtë analizë do t’i vështrojë në prizmin e qasjeve të ndryshme teorike gjeopolitike.

Shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore dhe vazhdimi i saj nën ombrellën e Luftës së Ftohtë, siç kanë pohuar studjuesit e fushës, kishte për bazë teorinë e themeluesit të gjeopolitikës si shkencë nga ana e britanikut, Sir Halford Mackinder — atë të Heartlandit, e konceptuar në kontekstin e dikotomisë “fuqi detare” dhe “fuqi tokësore”.
Kjo teori mbetet dominuese në botën anglo-saksone.
Lufta në Ukrainë dhe rirreshtimi i aleancave reale pro Ukrainës ka për bazë pikërisht termat e shkollës së Mackinder-it.
Vazhdimi tutje i luftës në Ukrainë, shkatërrimi i infrastrukturës dhe vrasja e civilëve e lumi i refugjatëve gjthandej në Europën Perendimore, që tashmë ka kaluar pesë milionshin, e bën ndarjen e botës në dy kampe, duke i rezervuar paradigmës së Moskës realizimin e gjakuar të këndit për kultivimin tutje të sistemit tradicional “autokrat” rus, proces të pashmangsëm.
Me pushtimin e Ukrainës, politika ruse ka mbështetur praktikisht ndarjen e re të botës në demokraci dhe autokraci, pikërisht siç e formuloi presidenti amerikan Joe Biden në një Samit virtual të Demokracisë të mbajtur në Uashington më 8–10 dhjetor të vitit të kaluar.[1]
Ndërkaq zgjedhjet në Francë dhe shkuarja në histori e forcave politike tradicionale, me theks fitorja e mundshme e ekstremistes së djathtë Marie Le Pen, e përshpejton kët ndarje dhe rikthimin tek gjeopolitika kontinentale. Në fakt ky proces tashmë duket të jetë i pashmangshëm edhe nëse rikonfirmohet presidenti aktual në Champs Elysees, duke ia rikthyer asaj kuptimin etimologjik të fjalës, por kësaj radhe duke i trandur shpirtërat e heronjëve antifashistë jo vetëm francezë.

Rikthimi tek gjeopolitika kontinentale

Përshkallëzimi i luftës në Ukrainë dhe sidomos rezistenca e fuqishme e ukrainasve konfirmojnë faktin se lufta ishte planifikuar paraprakisht si nga pala ruse edhe ajo ukrainase e cila gëzoi mbështetjen e fuqishe të SHBAve dhe Anglisë. Kjo përballje kaq e ashpër që tashmë po hynë në javën e fundit të muajit ët dytë, dëshmon se “qarqet ruse të sigurisë besojnë se “problemi” i Ukrainës duhet të zgjidhet ushtarakisht.”[2]
Putini e formuloi qartë qëllimin e luftës dhe e bëri publik në fjalimin e tij që mbajti vetëm tri ditë para rifillimit të agresionit ndaj Ukrainës, pra më 21 shkurtit dhe në deklaratën e tij të luftës.[3] Dhe ky qëllim është i prerë: asgjësimi i Ukrainës si popull dhe si identitet kulturor. Natyrisht ky objektiv strategjik i Kremlinit nuk mund të arrihet pa një luftë përmasash të gjera. Luftimet e rrepta për pushtimin e Mariupolit — edhe me çmimin e rrafshimit të tij me tokë, e dëshmojnë fazën e re ku po hyn lufta në Ukrainë.
Mariupoli ka rëndësi strategjike, por edhe simbolike: ai është qyteti I fundit port në Ukrainën juglindore dhe më i madhi që shtriet buzë Detit Azov, por edhe një prej qyteteve ku ka qenë e përqëndruar industria ukrainase. Nga aty merr rrugë eksporti i grurit dhe çelikut nga Ukraina lindore gjithandej në tregjet e botës. Mariupoli është gjithashtu një prej qendrave të industrisë së çelikut: dy fabrikat e çelikut që posedon ai mbulojnë një pjesë të madhe të kërkesave për çelik të të gjithë tregut ukrainas.
Por thelbësore për Putinin, megjithatë, është fakti se, marrja e Mariupolit do të krijonte një lidhje të drejtpërdrejtë tokësore midis Krimesë dhe rajoneve separatiste në Donbas.
Ky qëllim lufte mund të arrihet vetëm me pushtimin e të paktën pjesëve më të mëdha të Ukrainës dhe qendrave më të rëndësishme urbane. Derisa të arrihet kjo, nuk do të ketë mbetur shumë nga qyteti, thotë politologu Gerhard Mangott në një intervistë për ZDF:
“Sigurisht, ata do të kishin preferuar të merrnin një qytet të paprekur, por ura tokësore është aq e rëndësishme për rusët sa ata do të marrin një qytet që është rrafshuar me tokë.”[4]

Prandaj nuk kishte si të mos dështonin përpjekjet diplomatike të Perendimit për frenimin e luftës. Kot venin në Kremlin liderët europian, që nga Kremlini mund të cilësoheshin më të afërt e më miqësor (qoftë presidenti francez, kancelari gjerman a ndonjë tjetër), bisedimet nga pala ruse, siç u dëshmua nuk ishin marrë kurrë seriozisht. Ndërkaq kërkesat maksimale të palës ruse, ishin vetëm një mjet shtesë për ta nanurisur në kolovajzën e iluzineve Perendimin e “magjepsur” me “Rusinë liberale”, që mund t’i bashkohej boshtit Paris-Berlin — Moskë, përderisa Putini thurrte arsyet për luftën që tashmë kishte planifikuar dhe ndarjen e re të botës.

Por, për ta kuptuar mirë këtë rikthim të gjeopolitikës në qendër të interesave ruse dhe Perendimore, na vijnë në ndihmë ndërkohë idetë e shkollës gjeopolitike kontinentale (europiane), me theks ato gjermane, që të ndjekura nga idetë bashkëkohore gjeopolitike amerikane, do të fokusohem në tri ide gjeopolitike që dalin në tokën ruse (sllavofilizmi, perëndimorizmi dhe euroazianizmi).

Të gjithë njohësit e këtyre teorive gjeopolitike dhe jo vetë ata, tashmë pajtohen në një pikë: pas 24 shkurtit 2022, kur rifilloi aneksimi rus i Ukrainës, bota nuk do të jetë ajo që ishte në ditën D.
Por, 24 shkurtit i kishte paraprirë heshtja dhe tumirja e Perendimit kundruall veprimeve paraprake ushtarake ruse në dëm të Ukrinës dhe jo vetëm asaj. Aneksimi i territoreve të shkëputura prej kohësh nga Gjeorgjia — fjalën e kam për Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut, në gusht të vitit 2008 dhe aneksimi triumfues brenda pak ditësh i Krimesë, në vitin 2014, dhe po atë vit edhe të krijimit të parakushteve për aneksimin e shpejtë tani të Donetskut dhe Luganskut. E gjithë kjo rrjedhë zhvillimesh politiko-ushtarake ishte de fakto preludi i kësaj që po ndodhë sot në Ukrainë. Ky veprim ishte testi i parë i sukseshëm i Kremlinit për zbatimin e Strategjisë së Interesit Nacional që përmban në vete projekti i “Botës Ruse” — kthimi i hapësirës gjeopolitike që ishte pjesë e BRSS-së.

E gjithë kjo zhvendosje tektonike gjeopolitike duket se ka një histori pararendëse zhvillimesh testuese nga të gjitha palët.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës në përpjekje për të ndërtuar një front kundër Kinës më 15 shtator 2021 njoftoi se kanë arritur t’i hedhin bazat e partneritetit të gjërë të sigurisë me Australinë dhe Mbretërinë e Bashkuar në zonën Indo-Paqësor — alenacën ushtarake të quajtur AUKUS.
Nisma e parë e madhe e këtij (pakti të ri të quajtur) AUKUS do të jetë dërgimi i një flote të nëndetëseve me energji bërthamore në Australi,” qe shprehur atbotë kryeministri australian, Scott Morrison, në një telekonferencë me kryeministrin britanik Boris Johnson dhe presidentin amerikan Joe Biden.
Mbretëria e Bashkuar, Australia dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë edhe më të lidhura ngushtë, gjë që pasqyron nivelin e besimit mes nesh dhe thellësinë e miqësisë sonë”, I mëshoi edhe më me forcë këtij teli, Boris Johnson, për të cilin ky akt strategjik ishte një sukses diplomatik që I hapte rrugë shmangies nga izolimi i mundshëm ndërkombëtar të Britanisë pas Brexit.

Në anën tjeëtr shpërfaqet pozicionimi i matur i Kinës, e cila fare lehtë mund të jetë fituesi më i madhë i kësaj drame në ndërrim epokash, nëse kemi parasysh dobësimin e pritshëm të Europës, në rast se pason skenari i rikthimit të Shtetit nacional, respektivisht rrëshqitjen e BE-së drejt projektit të konfederatës së lirë, që po paralajmron Le Pen. Megjithëse edhe fitorja e presidentit aktual, vetëm do ta shtyjë për një periudhë këtë epilog të kësaj tatpjete tashmë të nisur të historisë.

Qasja strategjike e Marie Le Pen-it ndaj NATO-s

Në konferencën e së mërkurës (13 prill 2022), kandidatja për presidente e Francës Marie Le Pen, preezentoi politikën e saj të jashtme dhe programin diplomatik. ritheksoi se nëse zgjidhet presidente e Francës, nuk do të mbështeste më “kërkesën e Gjermanisë për një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”.[5] Por nuk ngurroi që të shprehej sërish pro përafrimit të Europës me Rusinë pas përfundimit të luftës në Ukrainë, duke potencuar se ky përafrim do të kishte për bazë interesin strategjik të Europës për mbajtjen e Moskës sa më larg aleancës së mundshme me Kinën.

Më tej ajo potencoi tri teza që përforcojnë tezën time të sipërthënë mbi rikthimin e gjeopolitikës kontinentale.

  • E para, ajo ripohoi synimin e saj për të përsëritur aktin historik të Francës të vitit 1966 për të braktisur komandën e integruar ushtarake të NATO-s, duke rikujtuar elektoratit aktin e gjeneralit De Gol, si produkt i nacionalizmit institucional francez. Megjithatë, si atbotë edhe pas këtij akti të reprizuar, sipas Le Pen-it Franca do të vazhdojë t’i përmbahet nenit 5 qenësor të NATO-s nën komandën e ardhshme evropiane, duke shtuar se ajo do të refuzojë çdo “nënshtrim ndaj protektoratit amerikan”.
  • E dyta, popullistja franceze Marine Le Pen, që është një bashkim amalgamë i së djathtës ekstreme, ka kritikuar ashpër Gjermaninë dhe ka paralajmruar fundin e projekteve gjermano-franceze për armatimin e përbashkët. “Ne do të jemi në gjendje të diferencojmë qartë dallimet tona strategjike; këtë do të jemi në gjendje ta bëjmë së bashku me Berlinin, por edhe me kampet më të rëndësishme në Paris dhe vende të tjera.
    Me këtë deklaratë ajo sikur shpreh vullnetin e së djathtës frënge për ruajtjen e marrëdhënie të ngushta me Gjermaninë. Sidoqoftë ajo ishte veçanërisht kritike për lidhjet e ngushta dypalëshe të krijuara nga rivalja e saj politike dhe ish-kancelarja gjermane Angela Merkel. Shih për këtë, ajo pretendon se “do të pushojë së ndjekuri modelin Macron-Merkel të verbërisë franceze ndaj Berlinit”.
  • E treta, për sa i përket BE-së, Le Pen e ka bërë të qartë se çdo “Frexit” i modeluar sipas daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga BE nuk është plani i saj. Jo, ajo argumentoi se parashikimet franceze se, Brexit do të sillte një “kataklizëm për britanikët” nuk u realizuan. “Anglezët hoqën qafe burokracinë e Brukselit, të cilën nuk mund ta përballonin kurrë, për të kaluar në projektin ambicioz të Britanisë globale”, nënvizoi jo pa qëllim edhe në këtë fushatë të rindezur elektorale jetike jo vetëm për karrierën e saj. Jo, shtoi ajo: “Ky nuk është projekti ynë. Ne duam të reformojmë BE-në nga brenda. Askush nuk është kundër Evropës,” tha ajo. “Nuk do të doja që të ndalonim së paguari kontributin francez në BE, por dua ta zvogëlojmë atë”.[6]

Marie Le Pen-i akuzoi Gjermaninë se po qëndron për “mohimin absolut të identitetit strategjik francez” dhe vazhdoi tutje me intonacionin populist tipik për fushata zgjedhore , por gjithsesi të pranueshëm për një pjesë të madhe të francezëve duke shtuar se “Është normale që Berlini të mbrojë interesat e tij, qoftë edhe duke blerë armë, dhe ne të mbrojmë interesat tona, të cilat (Presidenti Emmanuel) Macron i ka neglizhuar”. [7]
Shih për këtë Marine Le Pen, e njohur si veterane e së djathtës franceze, e cila do të përballet me presidentin Emmanuel Macron më 24 prill në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale franceze, paralajmron një “qasje strategjike ndaj NATO-s”. me t’u përmbyllë përplasja mes Rusisë dhe Perendimit në Ukrainë.
“Sapo lufta ruso-ukrainase të përfundojë dhe të zgjidhet me një marrëveshje paqeje, unë do të bëj thirrje për zbatimin e një afrimi strategjik midis NATO-s dhe Rusisë”, tha Le Pen në një konferencë shtypi përplot me gazetarë ndërkombëtarë. Krejtësisht në përputhje me mendësinë e së djathtës franceze dhe jo vetëm asaj, ajo goditi në dhjetëshe, duke pohuar shqeto se “Kjo është në interes të Francës, por edhe të Shteteve të Bashkuara, për të parandaluar aleancën ruso-kineze.
Një fitore për Le Pen-in, e cila rezultoi se nuk është e pamundur, duke pasur parasysh numrin e barabartë të votave në raundin e parë të zgjedhjeve, do të rezononte thellë jo vetëm në Evropë, por edhe përtej Atlantikut dhe do të sillte ndryshime të mëdha në marrëdhëniet ndërkombëtare. Një fitore për Le Pen do të sillte në Pallatin Elysee një presidente që është fare hapur euroskeptike, e cila më parë nuk e fshihte admirimin e saj për presidentin rus Vladimir Putin.

Drang nach Osten

Por t’i rikthehemi teorisë së gjeopolitikës kontinentale për të argumentuar këtë rrjedhë jo të rastësishme të zhvillimeve në Ukrainë sot dhe gjasat për një rend të ri botëror pas përmbylljes së përplasjes mes Perendimit dhe Rusisë në Ukrainë.
Rusia, siç pohuam më lart, kishte filluar përgatitjet intensive për këtë mësymje drejt Ukrinës në shkallë të gjerë që prej vitit 2014, pra për plot 7 vite.
Britanikët duket se si kundërpërgjigje ndaj projektit rus dhe atij gjerman, kishin inicuar dhe realizuar Brexit-in. Po BE-ja, çfarë po bënte ajo? Po vazhdonte koketimin me Rusinë dhe satelitin e saj të bindur Serbinë. Europa de fakto vazhdonte të nanurisej në kolovajzën e gjeopolitikës ruse. Këtë e sqaron më së miri teza mbi rikthimin e dyshes Francë — Gjermani tek gjeopolitike kontinentale, respektivisht tek projekti gjerman Drang nach Osten, që i ndërlidhë të gjitha këto ngjarje me të cilat përballet civilizimi ynë sot.

Rikthimi tek gjeopolitika europiane — kontinentale, nuk ka se si të mos na i rikujtojë emrat e atit të gjeopolitikës franceze Paul Vidal de la Blasch (1845–1918) dhe të gjermanit Carl Haushofer (1869–1946).

Analiza e mirëfilltë mbi lëvizjet tektonike a gjeopolitike aktuale, pavarësisht irritimit që mund të sjellë tek ultraliberalët dhe majtistët e të gjitha ngjyrave, mund të bëhet vetëm përmes dioptrisë së Haushoferit. Njohsit e gjeopolitikës e kanë parasysh se Hitleri ashtu siç kishte abuzuar me teoritë e Darvinit, Niçes Vagnerit…. Ashtu do të abuzonte edhe me ato të Haushoferit.

Haushofer e shihte Evropën kontinentale në unitet me Rusinë. Por “Drang nach Osten” i tij nuk kishte asgjë të përbashkët me atë të Hitlerit. Nëse Hitleri i nxitur nga strateg jogjerman, teorinë e Haushoferit që bazohej mbi të gjitha në lidhjet ekonomike, e përktheu në marrshin ushtarak, është çështje që duhet ta shpjegoi historia politike e Europës së shekullit 20-të. Sipas Haushofer-it “Boshti” i kësaj lidhjeje: Berlin-Moskë-Tokio, nuk ishte një bosht ushtarak, por një bosht bashkëpunimi përmes të cilit është e mundur një Evropë e fortë. Dhe pjesërisht, kjo ide në thelb paqësore gjeopolitike u pranua në Gjermani në atë kohë. Është e mahnitshme të supozohet se rezultati i drejtpërdrejtë i kësaj ideje ishte “Pakti i Mossulmimit Molotov-Ribbentrop”![8]

Por si ngjarjet që do të pasonin gjatë e pas Luftës së Dytë Botërore, edhe këto tashti në Ukrainë, janë stivuar e do të stivohen në kujtesën kolektive të evropianëve, duke e bërë edhe më të qartë faktin se, ideja për një Europë të fortë në aleancë me Moskën, pra ideja franko-germane për shkëputje nga aleanca anglosaksone, mbetet tutje e pamundur të realizohet, në mos edhe tragjike për vet europianët.
Prandaj krejt natyrshëm lind pyetja: a po dështon Europa për herë të tretë?

Por, nëse për Europën perendimore ky është dështim i saj i tretë, nuk do të thotë se duhet të përkthehet si i tillë edhe për periferinë e saj, qoftë në Baltik apo në Europën Juglindore. Përkundrazi. Madje paralajmrimet për heqje dorë nga miti i neutralitetit nga ana e Suedisë dhe Finlandës, apo insistimi i Ballkanit Perendimor, duke përjashtuar satelitin e Rusisë në këtë mes — Serbinë, për aderim të përshpejtuar në NATO, flasin për një rikomponim të ri të hartës së sigurisë europiane dhe për vet rendin e ri në ardhje, nga ky që kishim para 24 shkurtit 2022.

Zbarkimi i Rusisë në Europë dhe shqiptarët

Ka qenë pranverëa e vitit 1999, kur i ftuar nga Ministria e Jashtme e Zvirës, tok me Dr Stefan Kuksin (Stephan Kux), miku im e profesor në Institutin për Studime Europiane në Universitetin e Bazelit, CH, po mirrja pjesë në Forumin OST-WEST, ku do të fliste edhe ish presidenti i BRSS, Mihail Gorbaçov. Ky i fundit, në fjalën e tij gjykoi ashpër ndërhyrjen e NATOS në luftë në Kosovë, duke ju bërë tirrje europianëve që të angazhoheshin për ndërtimin e një “Shtëpie të përbashkët europiane”, nën strehën e së cilës do të ishin tok të gjithë popujt e kontinentit të vjetër. Një retorikë e shkëlqyeshme kjo për veshët e shumë prej europerendimorëve atbotë. Shumë prej pjesëmarrësve, më bëri përshtypje, i duartrokitën fjalimit të Gërbaçovit, madje pati edhe të tillë që e vlerësuan shumë rolin e tij në procesin e shpërbërjes së BRSS dhe përafrimit të Federatës Ruse me Europën.
Ai shpërthim ekzaltues pas fjalës së Gërbaçovit, pasi risolli idenë e Europës së afërt nga Atlantiku deri në Urale, mund të jetë kurthi i saj, rruga e Europës drejt ferrit, i kisha pohuar atbotë mikut tim Profesor Stepan Kux. Gjakimi për një ““Shtëpie të përbashkët europiane”, që de fakto do të kishte dy entitete federale — njërin me qendër në Moskë e tjetrin me qendër në Berlin, rezultoi se ishte më shumë shprehje e mungesës së unitetit real europian.

Gjatë dy shekujve të kaluar, që kur rusët shtrinë ndikimin në Europë, që nga shpërthimi i Luftës së Lindjes (1875) dhe pas saj, Rusia do bëhet avokatja më e fuqishme e krijimit të shteteve satelite sllave në Europën Juglindore.
Përveç Toplicës dhe Pustarekës e deri tek Kurshumlia në veri, e Vraja në Jug, që ishin qytete etnikisht të pastra shqiptare, tok me gjashtë qytete tjera me shumicë absolute shqiptare, fill pas aneksimit të Krimesë nga Perandoria Osmane, Rusia do të bënte çmos që Serbia të zgjerohej tutje në jug në dëm të gjeografisë shqiptare.
Ishte pikërisht Kongresi i Berlinit (1878), që do të tumirte këtë zgjerim.
Gjeopolitika kontinentale europiane do të mjaftohej atbotë me korrekturën e vogël që ia kishte dalë t‘ia bënte vendimeve të Paqes së Shën Stefanit. Rusia ashtu si i ishte imponuar Perandorisë Osmane, tani po i imponohej Europës, duke krijuar satelitët e saj në Europën Juglindore. Serbia qe shpërblyer me mbi 12.000 km2 tokë shqiptare.

Pa kaluar tri dekada, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913), diplomacia ruse do t’i imponohet asaj europiane, duke fituar konsesione sërish në dëm të shqiptarëve me tumirjen e pushtimit të Kosovës dhe Sanxhakut, që në tërësi arinte diku mbi 18.000 km2 të hapësirës jetike shqiptare, me çka e gjymtonte tërësisht Shqipërinë e posalindur më 28 Nëntor 1912.

Por, zbarkimi i rusëve bolshevikë në fund të LDB, do ta fuste brenda sferës së interesit sllav komplet Shqipërinë. Ndërkohë falë luftës në Ukrainë, gjasat janë që të shpëtojmë një herë e mirë. Duket se fati i shqiptarëve, kësaj radhe, pra herën e tretë, kur rusët po zbarkojnë në Europë, shqiptarët t’i rikthehen plotësisht trungut të vet europian, duke ribërë Shqipërinë Federale si shtet të dinjitetshëm.
Në këtë rrirreshtim gjeopolitik që po imponon rendi i ri, dy republikat shqiptare (Shqipëria politike dhe Republika e Kosovës) janë pozicionuar qartë me Perendimin dhe kundër Rusisë. Ky rirreshtim ka gjasa që ta bëjë faktorin shqiptarë më të dobishëm për gjeopolitikën kontinentale në krahasim me Serbinë. Ndërkaq, nëse Serbia vazhdon të nanuriset në ambiguitetin e saj tradicional, do ta humbas mbështetjen që ka gëzuar tradicionalisht nga Europa.

Me të drejtë,, shkrimtari ynë Ben Blushi, në një ese të tij të publikuar ndërkohë, shtron pyetjen:
“A mund t’i jepet e drejta e votës Serbisë në Bashkimin Europian, në kushtet kur ajo nuk është autonome nga Rusia?”
Insistimi për integrimin e Serbisë në BE pa një ndarje të saj të qartë nga Rusia, konkludon Blushi, do të thoshte që “Putini të ketë të drejtën e vetos çdo ditë në vendim-marrjen e Bashkimit Europian. Ky tmerr për Europën, do të duhej të ishte ferr edhe në gjumë.”[9]

Përfundim

Le t’ i rikthehemi sërish aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë në vitin 2014. Pas këtij akti marrëdhëniet e Rusisë me Francën dhe Gjermaninë vazhduan të rrjedhin si në vaj, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Presidenti aktual Macron vazdon të jetë një nga të paktit burrështetas të Europës që kultivon raporte tejet të mira me Putinin. Rikëndelljen e këtyre marrëdhënieve me Rusinë i paralajmron edhe Marie Le Pen.

Në të njejtat linja kishte vepruar edhe kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.

Gjatë një vizite në Paris në vitin 2014, Kryetari i Dumës ruse Sergei Naryshkin kujtoi fuqishëm idenë e Charles de Gaulle për një Evropë nga Atlantiku në Urale. Nuk i prishte fare punë Parisit zyrtar pse Rusia tashmë kishte aneksuar Krimenë dhe po bëhej gadi të pushtonte Donbasin dhe Luhansk-un. Le të kujtojmë me këtë rast edhe insistimin e fundit të Presidentit aktual francez për një politikë të re sigurie për Evropën, pasi kishte deklaruar se NATO ndodhet në gjendje kome. Ata, tok, do të shndërroheshin në dëshmitarë, siç do të thshte Thimothey Snyder, të “një rënieje që nuk e kishim parashikuar.”[10]

Nëse shprehemi me gjuhën e Platonit, Rusia tashmë është në duart e një tirani. Tiranët vazhdimisht janë në kërkim të fushbetejave të reja.

Ndërkohë, kur lufta në Ukrainë po përmbyllë muajin e dytë, para syve tanë tani po shohim përplasjen e re mes Perendimit e Lindjes, duke qenë ndoshta dëshmitar të shkatërrimit të rendit të vjetër, respektivisht dëshmitarë të krijimit të rendit të ri.

______________________
Fusnotat

2. Gustav Gressel: https://www.tagesschau.de/ausland/europa/russland-krieg-ukraine-101.html

3. Shih tekstin e plotë të fjalimit:
https://www.tagesschau.de/ausland/asien/putin-rede-angriff-ukraine-101.html

4. Gerhard Mangott, Universiteti i Insbrukut: https://www.zdf.de/nachrichten/politik/mariupol-putin-ukraine-krieg-russland-100.html

5https://www.euractiv.de/section/europakompakt-2/news/le-pen-will-militaerische-zusammenarbeit-mit-deutschland-beenden/

6https://www.geopolitika.news/vijesti/le-pen-zeli-bolji-odos-nato-a-i-rusije-te-najavljuje-izlazak-francuske-iz-zapovjednistva-nato-a/

7https://www.arte.tv/de/afp/neuigkeiten/praesidentschaftskandidatin-le-pen-greift-deutschland-scharf

8. Trajče Stojanov: https://www.geopolitika.news/analize/trajce-stojanov-smrt-drang-nach-osten-smrt-europe/

9. Ben Blushi: https://www.ishgj.org/analize/si-mund-te-ndihmoje-ukraina-te-bashkohemi-me-kosoven-dhe-me-europen/

10. Thimothy Snyder, Der Weg in die Unfreiheit — Rusland, Europa, Amerika”, Muenchen 2018, S, f.293

____________

* Autori është ligjërues në Kolegjin Universitar ILRIA & Drejtor i Institutit Shqiptar për Gjepolitikë/ Prishtinë

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *