Familjet shqiptare me fëmijë të vegjël enden nëpër parqet e Francës: Në Shqipëri është një fatkeqësi
Zgjedhin të jetojnë në çadra në një park të Francës dhe jo në Shqipëri. Kjo është historia e disa familjeve shqiptare, 35 persona në total, që janë strehuar në çadra dhe jetojnë në “Parkun e Aleancës”, në qytetin Grenoble.
Historia e tyre është pasqyruar nga media lokale “France Bleu”, që shkruan në një artikull të publikuar këtë të Mërkurë se, disa kanë katër muaj që jetojnë në tendat e improvizuara të goditura nga shiu, era dhe i ftohti.
Këto familje shqiptare u zgjuan mëngjesin e së Martës në të ftohtin e acartë – termometri shënonte minus 4 gradë Celsius- dhe nuk donin të përballonin një natë të dytë në këto kushte.
“Burra, gra dhe fëmijë ‘pushtuan’ bibliotekën aty pranë për t’u strehuar për disa orë dhe për të tërhequr vëmendjen për situatën e tyre. Këto familje, të mbështetura nga shoqatat, prej muajsh kërkojnë strehim ‘të qëndrueshëm dhe dinjitoz’ nga Prefektura dhe qyteti i Grenoble. Pa rezultat për momentin”, raporton media franceze.
Një nënë shqiptare tha për mikrofonin e “France Bleu”: “Disa kanë 4 muaj në çadra, me fëmijë 2 vjeç. Jemi shumë të stresuar. Na duhet strehim dhe ngrohje për të qenë të sigurt. Qetësi për të larë fëmijët tanë, fëmijët tanë janë shumë të sëmurë, kanë infeksione në vesh, në sy, kanë astmë, sepse në çadrat tona futet ujë dhe është shumë ftohtë. Sot në mëngjes, kur u zgjuam, kishte ngrirë. Ne i kërkojmë shtetit francez të na ndihmojë. Bëj diçka për ne, të lutem”.
Një tjetër dëshmi është ajo e përkthyesit dhe zëdhënësit të familjeve që ishin strehuar në bibliotekë, i larguar nga Shqipëria 7 vjet më parë. “Ata u larguan nga vendi i tyre me autobus, një, dy ose katër muaj më parë. Ata u larguan nga Shqipëria se nuk ka siguri atje. Ka shumë racizëm, ka shumë mafie, është mafia që vjedh fëmijët. Është një fatkeqësi”, shprehet.
“Ne hymë në këtë bibliotekë, sepse nuk kemi zgjidhje tjetër. Dhe i kërkojmë kryetarit të bashkisë së Grenoble të na japë strehim. Ka shumë apartamente në Grenoble që janë bosh. Nëse na i ofron, do ti pranojmë”, shton më tej.
Familjet shqiptare u mbështetën në aksionin e tyre nga dhjetëra aktivistë që i kanë ndjekur prej javësh, duke iu çuar atyre batanije, ushqime dhe rroba.
“Janë rreth pesëmbëdhjetë fëmijë, veçanërisht fëmijë shumë të vegjël, foshnja. Këto familje kanë katër muaj që kërkojnë strehim. Por tani, ishte minus 3 natën e kaluar dhe moti i fundjavës po duket i tmerrshëm, kështu që ishte shumë për ta”, u shpreh një aktiviste e re.
“Autoritetet publike duhet t’u ofrojnë strehim, këtë kërkojnë familjet, të flenë ngrohtë, të lajnë fëmijët e tyre që më në fund të shkojnë në shkollë në kushte të mira. Sepse aktualisht të gjithë fëmijët janë në shkollë, por në shkollë shkojnë me këmbë të lagura, me rroba të lagura pa u larë dot. Kështu ne do të qëndrojmë deri sa të ketë zgjidhje”, shtoi.
Qyteti i Grenoble i lejoi familjet të kalojnë natën në bibliotekë. Maud Tavel, nënkryetari i bashkisë së Grenoble, shkoi për t’i takuar ata. Por, raportohet se janë shërbimet e bashkisë ato që në orët në vijim do të vlerësojnë situatën.
Rruga Press