BallinaLajme

Familjarët e Klodian Rasha: Ishte vrasje me dashje

Kryeministri Edi Rama ka vizituar për të tretën herë brenda pak ditësh, familjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha, i cili u vra nga një punonjës policie në rrugicën që të çon për në shtëpinë e tij.

Vizita e Kryeministrit ka ardhur një ditë pas publikimit të vendimit të qeverisë për dhënien e trajtimit të veçantë financiar për familjen Rasha. Pas përfundimit të vizitës, kryeministri Rama nuk ka pranuar të flasë.

Familjarët e të ndjerit, të cilët ndonëse nuk duan të flasin publikisht, jashtë kamerave thonë së ajo që ndodhi është vrasje me dashje dhe jo aksidentale, siç është cilësuar në vendimin e qeverisë.

Lexo më shumë  Kurti në takimet rajonale të Inteligjencës Financiare: Ka progres në luftimin e krimit të organizuar

Në vendim qeveria thotë se Klodian Rasha humbi jetën aksidentalisht si pasojë e veprimeve policore ndërsa akuza zyrtare me të cilën ai doli përpara gjykatë në seancën për masën e sigurisë ishte  “Vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”, parashikuar nga neni 83 i Kodit Penal, i cili parashikon një dënim deri në shtatë vite burg.

Familjarët kërkojnë korrigjimin e kësaj pjese dhe presin që këtë ta bëjë gjykata.

Në një dalje të mëvonshme pyetjes se pse ngjarja në vendimin e qeverisë është cilësuar aksidentale, Rama u shpreh se qeveria nuk është gjykatë, dhe ky është vetëm një term juridik.    

Lexo më shumë  Dhuna mes të miturve, alarmante! Vetëm në Tiranë 110 raste të denoncuara në 2025

“Pikërisht se qeveria nuk është gjykatë dhe nuk mund të marrë përsipër të bëj rolin e gjykatës është përdorur thjesht dhe vetëm një term juridik teknik për të përcaktuar arsyen e dhënies së pensionit. Dhe është thënë aksidentalisht nga veprimi i forcave policore, domethënë që personi që humbi jetën nuk ka qenë objekt i ndonjë misioni policor por ka humbur jetën në kushte të një përplasje aksidentale”, tha kryeministri.

Prej një jave ngjarja e rëndë e vrasjes së 25–vjeçarit, ka shkaktuar protesta në të gjithë vendin si dhe dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj.   

YouTube player