Opinion/Aktualitet

Faktet ndihmojnë, edhe kur flitet për rrugën Prizren-Tetovë

Shkruan Enver Robelli

Në vitin 2013 Prizreni qeverisej nga PDK-ja. Kryetar ishte Ramadan Muja. Në atë kohë Kuvendi i Komunës së Prizrenit mori vendim për ndarjen e 70 mijë eurove për të realizuar studimin e fizibilitetit për ndërtimin e rrugës mes Prizrenit dhe Tetovës. A di kush çfarë ka ndodhur me këto 70 mijë euro të ndara? (Më 2013 Kosova edhe në nivel nacional është qeverisur nga PDK).

Në vitin 2016 ministër i Infrastrukturës ishte Lutfi Zharku nga LDK. Kjo ministri befas tha se «ende nuk ka ndonjë projekt konkret për ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë». Si është e mundur që më 2013 të ndahen 70 mijë euro për projektin dhe më 2016 të thuhet: s’ka gjë ende prej kësaj pune? A ka pasur koordinim mes komunës së Prizrenit dhe qeverisë nacionale?

Po më 2016 nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Lulzim Kabashi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thoshte se rruga Prizren-Tetovë kushton mbi një miliard euro. Tani qeveria e Albin Kurtit po thotë: kjo rrugë ndërtohet me 150 milionë euro. Dallimi: 850 milionë euro. Kush po gënjen në këtë mes se kjo është me rëndësi?

Lexo më shumë  Kajsiu: Pensionet nxjerrin bllof modelin e qeverisjes Rama

Qe së paku 8 vjet flitet intensivisht për këtë rrugë dhe asgjë nuk është realizuar. Ideja, ndërkaq, është e ngahershme. E kanë përmendur shpeshherë politikanët për efekte elektorale. Ndoshta po e përdorë tani edhe VV. Por kjo mbetet të shihet.

Prioritet duhet të gëzojnë rrugët e pambaruara brenda Kosovës. Rruga nga Prizreni për në Tetovë duhet të ndërtohet me kujdes maksimal, sepse kalon, pjesërisht, nëpër Park Nacional. Mjete për këtë rrugë nuk janë ndarë ende dhe qeveria bën mirë të kryejë punët që kanë mbetur përgjysmë gjithandej nëpër Kosovë. Në rastin e rrugës për në Tetovë nuk duhet të përsëritet gabimi që është bërë te rruga Deçan-Plavë. Pala malazeze nuk ka plan për të ndërtuar rrugën në anën e vet, tek tani po zhvillohen bisedime për të gjetur një zgjidhje. Njëjtë ka ndodhur edhe me Maqedoninë, e cila nuk i ka ndërtuar nja 10 kilometra autostradë nga Shkupi në kufi me Kosovën. Është e turpshme që partia shqiptare BDI në Maqedoni ndonëse mban poste të rëndësishme ministrore nuk është në gjendje të ndikojë që autostrada drejt Kosovës të ndërtohet. Po ashtu absurde është që kjo parti prej vitesh në programet elektorale e përmend rrugën Tetovë-Prizren dhe nuk ndërmerr gjë.

Lexo më shumë  Kajsiu: Pensionet nxjerrin bllof modelin e qeverisjes Rama

Si për shqiptarët këndej Sharrit ashtu edhe për shqiptarët andej Sharrit vlen kjo porosi: ose ndërtojeni rrugën ose hiqni dorë prej saj dhe mbylleni gojën e mos gënjeni opinionin me vite të tëra.

Tash edhe VV është para testit: ose e realizon këtë rrugë ose krerët e saj le ta mbyllin gojën. Por në çdo debat është mirë të merren parasysh faktet. Sidomos nga ata që kanë probleme elementare me faktet, sepse nuk interesohen për to, por nuk ngurrojnë të gjykojnë paushall.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *