EditorialKryesore

Evropë e hapur e jo Ballkan i kapur

Shkruan Stiv Roi

Me siguri Edi Rama u ka përsëritur sot shqiptarëve nëpërmjet të gjitha mediave të tij private se Amerika dhe Evropa janë në mbështetje të Balkanit të kapur prej Vuçiqit. 

Por ne i kemi parë deklaratat e para tri ditësh të Escobarit dhe deklaratat e djeshme të kancelarit Scholz. Ne e dimë se Escobari ka kërkuar që çdo nismë rajonale të paraprihet nga barazia mes shteteve, pra se ai ka përsëritur se çdo nismë ballkanike duhet më së pari të përmbushë njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë. Ne dimë gjithashtu kërkesat që shtroi para Vuçiqit kancelari gjerman. Ato ishin tri të tilla.  

Njohja e ndërsjellë me Kosovën ishte ajo të cilën Vuçiqi e deklaroi si të dëgjuar për herë të parë prej evropianëve. Vuçiqi e di mirë se ndryshimi i kushtetutës së shtetit të tij në lidhje me Kosovën ka qenë kushti i vendosur që prej kohësh për aderimin e Serbisë në Evropë. Por ja që ai po e dëgjon më prerë tani së fundit, dhe kjo gjë e habit. Ka qenë tepër rehat. Dhe Vuçiçi nuk tha se kjo kërkesë po i vjen nga Gjermania, por se po i vjen nga Evropa, ngaqë ai e di mirë se Gjermania është Evropa. Besoj se Rama e dëgjoi këtë shprehje nga kancelari, por besoj dhe se ju kujtua se sarkazma e tij dylekëshe mbi luftën çlirimtare të Kosovës si “rrëmujë” dhe rehabilitimi i viktimave të Kosovës duke e cilësuar me fjalën “më therre” nuk e kanë jetën e gjatë.  

Kërkesa e dytë ishte më e thjeshtë: ta lërë mënjënë përrallën e Ballkanit të hapur apo të mbyllur dhe të kthehet te procesi i Berlinit. Këtë të dytën Edi Rama duhet ta dëgjojë më mirë e të mos përdorë më leksikun e tij të mjerë të Evropës nuse e të Ballkanit plot me burra që mbetën pa u martuar. Nuk po merrem me etikën e anulluar në frazat e tij, por me inteligjencën e anulluar të shqiptarëve përmes inteligjencës së kryeministrit të tyre. Nuk dihet se përse Rama para kamerave merr kot e nuk di ç’thotë, siç nuk kupohet e nga i vjen kjo paqe shpirtëore dhe kjo sjellje e shlirë kur është në krah të Vuçiqit.  

Lexo më shumë  Miratimi i buxhetit 2025, Kurti: Ky buxhet është i qytetarëve dhe për qytetarët

Veç Ramës, deklaratën lidhur me Ballkanin e kapur duhet ta dëgojë edhe kryeministri maqedonas, por dhe sidomos i vogli Dritan. Ky i fundit duhet ta dijë mirë se pa votat e shqiptarëve të Malit të Zi nuk i intereson kujt prej shumicës malazeze dhe pakicës serbe. Pa votat e shqiptarëve, nga kryeministër do të përfundojë pa punë. Dritani është çun shoqatash, nuk ka ndonjë përvojë historike mbi supe. Kështu që do të ishte mirë të mbante me kujdes profilin e ulët për të qenë aty ku është. Çdo përpjekje e tij për t’i bërë dëm Kosovës, do ta dërgojë përsëri në jetën e shoqatave. 

Kërkesa e tretë e kancelarit ishte edhe më e prerë. Serbia duhet të vendosë sanksionet ndaj Rusisë. Dhe Serbia bashkë me Vuçiqin e dinë mirë se do të ishte më e lehtë të hiqnin dorë nga shpikja e Ballkanit të hapur para se të inatosnin vëllanë e tyre të madh. Do të ishte më e lehtë se inati rus njohja e Kosovës. Mendojmë për një çast se në çfarë vetmie do të gjendej Edi Rama pas mbylljes së Ballkanit të hapur. Ndërsa Serbisë do t’i duhej të shpikte ndonjë nismë të re në të cilën Kosova të thirrej ende si Prishtinë e ballkanikët e tjerë si shtete.  

Lexo më shumë  Protesta për vrasjen e 14-vjeçarit, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Manastirliut

Natyrisht që Vlora Çitaku do ta mbrojë Edi Ramën e do të na thotë se ky e mbron me gjithë mend Kosovën. Vlora të paktën nuk ka lënë shumë gjurmë e dëshmi në takime me Dodikun, adhuruesin më të madh ballkanik të Putinit. Por nga vogëlsia e saj kaq mund të bënte. Në fund të fundit ajo ishte ambasadore personale e Thaçit dhe jo e Republikës, ndaj dhe nuk mund të bënte më shumë kundër Kosovës.  

Ndërkohë Albin Kurti ka konfirmuar politikën e tij të drejtë me takimin e djeshëm kokë më kokë me kancelarin gjerman. Mediat më të fuqishme botërore e kanë komentuar këtë takim. Nga ana tjetër ai ka marrë konfirmimin e plotë të politikës së brendshme dhe të jashtme me letrën që pranoi nga sekretari i shtetit Blinken. Cilido që e lexon të plotë atë letër, e ka marrë vesh se kush është proamerikani i vërrtetë në Kosovë.  

E dhëna e re gjeopolitike e Ballkanit e vendos Kosovën në krye të renditjes në Ballkan në sytë e Gjermanisë dhe ShBA-së. Rama mund të përpiqet ta vendosë me shpatulla për muri Kosovën shqiptare nëpërmjet Ballkanit të Kapur. Ballkani i Kapur shkoi, Evropa e hapur po afrohet. Aderimi do të marrë kohë, por nuk do të jetë më në horizont klaustrofobia jugosllave për shqiptarët, por dilema e serbëve në lidhje me orientimin e tyre.  

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *