Bota

Evropa në alarm nga “arma e re” e Rusisë

Shërbimet e sigurisë në të gjithë Evropën janë në gatishmëri për “një armë të re të mundshme të luftës hibride të Rusisë” – zjarrvënie dhe sabotim – pas një vale zjarresh dhe sulmesh misterioze në infrastrukturën në shtetet baltike, Gjermani dhe Britani të Madhe, shkruan The Guardian.

Kur zjarri shpërtheu në “Ikea” në Vilnius në Lituani këtë muaj, pakkush dha ndonjë vërejtje deri kur kryeministri polak, Donald Tusk, sugjeroi se mund të kishte qenë vepër e një diversanti të huaj.

Hetuesit kanë pretenduar për përfshirje të Rusisë në zjarrin që ra në lindje të Londrës, zjarrin që shkatërroi qendrën tregtare më të madhe në Poloni, një përpjekje sabotimi në Gjermani dhe mbishkrime antisemitike në Paris.

Ndërsa nuk ka asnjë provë që ndonjë nga këto incidente në të gjithë kontinentin janë koordinuar, shërbimet e sigurisë besojnë se ato mund të jenë pjesë e një përpjekjeje sistematike të Moskës për të destabilizuar Perëndimin, i cili ka mbështetur Ukrainën.

Sipas autoriteteve evropiane, pas Luftës së Ftohtë, operacionet e huaja të inteligjencës përbëheshin nga spiunët, por në epokën e rrjeteve sociale, është e lehtë të punësosh vandalë – për qindra euro apo me kriptovaluta.

Aq i madh është shqetësimi se këto sulme hibride mund të jenë vepër e Rusisë, saqë çështja u ngrit në një samit të ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes në Bruksel këtë javë.

Një ministër, i cili kërkoi të mos përmendet, ka thënë se ishin thellësisht të shqetësuar për “sabotazhin, sabotimin fizik, të organizuar, financuar dhe bërë nga përfaqësuesit rusë”.

Javën e kaluar, kryeministri polak Tusk zbuloi se autoritetet kishin arrestuar nëntë persona në lidhje me aktet e sabotimit që dyshohet se janë kryer me urdhër të shërbimeve ruse.

Ai ka thënë se krimet dyshohet se përfshinin “rrahje, zjarrvënie dhe tentativë për zjarrvënie”. Hetuesit polakë po shqyrtojnë nëse Rusia ishte e përfshirë në zjarrin në një qendër tregtare në Varshavë, një pretendim që ambasada ruse e përshkroi si teori konspirative.

Lexo më shumë  Putini ka rënë si lepuri në grackë

Zëdhënësi i kompanisë “Ikea” ka thënë se hetimet po vazhdojnë për burimin e zjarrit në Lituani, por ishte ndër shembujt, së bashku me një tentativë zjarri në një fabrikë bojësh në Poloni, që Tusk përmendi në paralajmërimin për ndërhyrje të mundshme të huaja.

Në prill, një britanik u akuzua për orkestrimin e një sulmi me zjarr në dy njësi të lidhura me një biznesmen ukrainas në një pronë industriale në Leyton, në lindje të Londrës, pasi dyshohet se ishte rekrutuar nga inteligjenca ruse. Pretendohet se ai ishte “i angazhuar për të sulmuar bizneset që ishin të lidhura me Ukrainën në mënyrë që të përfitonte shteti rus”.

Të martën, ministri estonez i Mbrojtjes, Hanno Pevkur, në samitin e Mbrojtjes të BE-së, ka thënë se vendi kishte qenë tashmë viktimë e sabotazhit rus.

“Ata kanë kryer operacione të ngjashme në Estoni. Ata punësuan 10 persona për të sulmuar veturën e ministrit të Brendshëm dhe veturën e një gazetari. Kjo është sjellje normale e Rusisë. Na vjen keq të themi, por duhet të kuptojmë se Rusia është gjithnjë e më agresive ndaj vendeve evropiane dhe gjithashtu vendeve të NATO-s”, ka thënë ai.

Gjashtë persona u arrestuan menjëherë më pas, duke përfshirë shtetas rusë dhe shtetas të dyfishtë ruso-estonez për sulmin ndaj ministrit të Brendshëm të Estonisë dhe një gazetari.

Në Gjermani, ka gjithashtu dyshime për sulme të nxitura nga inteligjenca e huaj, pas një vale sulmesh kibernetike në vitin 2023 nga një grup hakerash i lidhur me inteligjencën ruse.

Muajin e kaluar, dy shtetas gjermano-rusë u arrestuan me dyshimin se po planifikonin sulme sabotazhi, përfshirë në një bazë ushtarake në Bavari. I dyshuari kryesor është akuzuar për planifikim të një shpërthimi, zjarrvënie dhe mbajtjen e kontakteve me inteligjencën ruse.

Hetuesit në Francë po shqyrtojnë nëse grafiti i pikturuar në memorialin e Holokaustit në Paris javën e kaluar ishte urdhëruar nga shërbimet ruse të sigurisë.

Lexo më shumë  Rusia mund të ketë ndarë sekretet bërthamore me Iranin në këmbim të raketave

Sulmet, frikësohen zyrtarët evropianë, i shtohen një fushate dezinformimi tashmë të përhapur në të gjithë Evropën. Të mërkurën, disa shkolla rreth Athinës u evakuuan pas një lajmërimi të rrejshëm për bombë. Policia gjurmoi në një server rus dhe ka thënë se alarmi i rrejshëm kishte për qëllim “prishjen e rendit publik”.

Vendet e BE-së po ndjekin këto ngjarje. Qendra Kombëtare e Menaxhimit të Krizave të Lituanisë (NKVC) ka paralajmëruar bizneset, përfshirë qendrat tregtare dhe organizatat që mbështesin Ukrainën, të rrisin vigjilencën.

“Niveli i kërcënimit është mjaft i lartë. I bëjmë thirrje publikut të qëndrojë vigjilent”, ka thënë udhëheqësi i NKVC, Vilmantas Vitkauskas.

Të hënën, koordinatori kombëtar holandez për sigurinë dhe kundër-terrorizmin paralajmëroi për rrezikun e operacioneve subversive në Holandë, duke përfshirë “spiunazhin dhe parapozicionimin për sabotim të infrastrukturës jetike”.

Në Bruksel të martën, ministrja holandeze e Mbrojtjes, Kajsa Ollongren, ka thënë se Rusia “po përpiqet të frikësojë” vendet e NATO-s, duke i bërë vendet anëtare të BE-së të prekshme.

“Po, ne jemi të pambrojtur. Ne kemi infrastrukturë jetike. Ne kemi infrastrukturë në det, kemi furnizime me energji elektrike, furnizime me ujë, jemi të cenueshëm ndaj sulmeve kibernetike. Tani po shohim në disa vende evropiane që Rusia po përpiqet të na destabilizojë dhe gjithashtu të na frikësojë. Mendoj se kjo ka qenë një mënyrë që Rusia dhe gjithashtu Bashkimi Sovjetik kanë punuar gjatë historisë, në 75 vjetët e NATO-s mendoj se e kemi parë shpesh”, ka thënë Ollongren.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjithashtu ka drejtuar gishtin nga Moska.

“Ne kemi parë disa arrestime në të gjithë aleancën dhe vende të ndryshme aleate të NATO-s të njerëzve që akuzohen për zjarrvënie ose sabotim. Sigurisht që këto janë procese ligjore në vazhdim. Por ajo që mund të them është se kemi parë rritje të aktivitetit të inteligjencës ruse në të gjithë aleancën. Prandaj ne kemi rritur vigjilencën tonë”, ka thënë ai.

YouTube player