Europa mbylli kufijtë me Britaninë, skena të rënda nëpër aeroporte, britanikët mbeten në zonat e tranzitit, në pritje të testeve
Shfaqja e një varianti të ri të koronavirusit në Britaninë e Madhe ka bërë që shumë vende evropiane të mbyllin menjëherë kufijtë me këtë vend. Sipas gazetës BILD, kjo ka bërë që të ketë skena tronditëse nëpër aeroporte.
Britanikët e bllokuar nuk lejohen të lëvizin dhe kanë ngecur në zonën e transitit. Bëhet fjalë për familje me fëmijë të vegjël, të cilët thonë se po mbahen kundër vullnetit të tyre.
“Na ndihmoni, duam të dalim nga këtu,” ishte apeli i një familje me fëmijë të vegjël. Raportohet se ata do mbahen në aeroport derisa të dalin negativ ndaj virusit.
Mutacioni i ri i koronavirusit e ka bërë atë më ngjitës. Ekziston frika se kjo do e bëjë edhe vaksinën joefektive.
Teksa e gjithë Europa ka mbyllur për të paktën 72 orë të gjitha fluturimet nga Britania, për shkak të mutacionit të virusit që po përhapet me shpejtësi, Shqipëria nuk ka marrë ende asnjë masë, dhe fluturimet vijojnë si normalisht.
Një avion ka mbërritur sot nga Anglia në Shqipëri në orën 01:25 të mëngjesit, ndërsa gjatë ditës së nesërme janë parashikuar të mbërrijnë tre avionë të tjerë.
Rruga Press