Eurodeputetja greke, Eva Kaili ndalohet nga prokuroria belge, dyshime për rastin e korrupsionit në Parlamentin Evropian nga Katari
Eurodeputetja greke, Eva Kaili, e cila është ndaluar dje në prokurori nga autoritetet belge, po merret në pyetje për rastin e korrupsionit në Parlamentin Europian nga Katari.
Pavarësisht mbrojtjes që i jep imuniteti parlamentar, eurodeputetja është përballur prej ditës së djeshme me policinë, ndërsa mëngjesin e djeshëm është arrestuar bashkëshorti i saj, Francesco Giorgi. Hetimet po ecin në mënyrë dinamike, pasi për të njëjtin rast po hetohen edhe eurodeputetët belgë të socialdemokratëve, Marc Tarabella dhe Marie Arena.
Nisur nga zhvillimet, dje ka pasur një reagim të menjëhershëm nga PASOK – Lëvizja për Ndryshim, e cila me një njoftim lakonik e largoi Eva Kailin jashtë partisë pas 18 vitesh veprim aktiv politik. Në njoftimin përkatës të Harilaou Trikoupis, thuhet se “pas zhvillimeve të fundit dhe hetimit nga autoritetet belge për korrupsionin e zyrtarëve europianë, eurodeputetja Eva Kaili largohet nga PASOK – Lëvizja për Ndryshim me vendim të presidentit Nikos Androulakis”. Mbrëmjen e vonë të së premtes u bë e ditur se emri i saj ishte fshirë edhe nga grupi i Socialistëve dhe Demokratëve (S&D), me vendimin që ka hyrë në fuqi të menjëhershme.
Eurosocialistët janë “të tmerruar”.
Rasti duket se po prek Grupin Eurosocialist në nivel politik në Parlamentin Evropian, ku partia komentoi disa herë dje zhvillimet e stuhishme, të cilat u shkaktuan nga një artikull i gazetës belge, Le Soir.
Artikulli i Le Soir:
“Të premten janë kryer më shumë se 15 hetime nga agjentët e Zyrës Qendrore për Luftimin e Korrupsionit në Bruksel dhe janë arrestuar katër persona të konsideruar si të dyshuar.
Midis tyre, Luca Visentini, Sekretar i Përgjithshëm i sapozgjedhur i Konfederatës Ndërkombëtare të Sindikatave, ish-deputeti i S&D, Pier-Antonio Panzeri si dhe Francesco Giorgi, ish-asistent parlamentar i z. Panzeri, partner aktual i grupit S&D dhe partner i Eva Kaili.
Eva Kaili, 44 vjeçe, një ish-prezantuese televizive greke dhe eurodeputete që nga viti 2014, ishte gjithashtu në shënjestër të hetuesve. Shtëpia e saj u kontrollua vonë të premten pasdite dhe ajo u dërgua në prokurori”.
Përveç katër arrestimeve, policia ka sekuestruar “afërsisht 600.000 euro cash, si dhe ” pajisje kompjuterike dhe celularë”, përmbajtja e të cilave do të shqyrtohet.
Sipas burimeve në Bruksel, mbrëmë vonë, policia belge dyshohet se ka gjetur 100 mijë euro në një shtëpi të Francesco Giorgi. Hetimet janë kryer aty dhe në shtëpinë e Pantzerit, ku janë sekuestruar afro 500 mijë euro cash.”.
Rruga Press