Etikë në gurë
Kultura e anulimit, bashkë me paranojën e saj të nënkuptuar, është një përpjekje e dëshpëruar dhe qartazi vetëmposhtëse për kompensimin e dhunës njëmend reale dhe jotolerancës që pakicat seksuale i kanë vuajtur gjatë kohës. Por është tërheqje në një kështjellë kulturore, në një pseudo-“hapësirë të sigurt”, fanatizmi diskursiv, i të cilit vetëm sa e fuqizon rezistencën e shumicës ndaj saj
Përparimi etik e prodhon një formë të dobishme të dogmatizmit. Një shoqëri normale dhe e shëndoshë nuk debaton nëse përdhunimi e tortura janë të pranueshme, ngase publiku “në mënyrë dogmatike” pranon që ato janë përtej të pranueshmes. Po kështu, një shoqëri që ka liderë që flasin për “përdhunimin legjitim” – siç dikur kishte bërë një ish-kongresist republikan në Shtetet e Bashkuara – apo për torturën e tolerueshme, i shpërfaq shenjat e qarta të kalbjes etike dhe aktet dikur të paimagjinueshme mund shumë shpejt të bëhen të mundshme.
Kijeni parasysh Rusinë sot. Në një videoxhirim të paverifikuar që ka nisur të qarkullojë gjatë këtij muaji, një ish-mercenar i grupit të mbështetur nga Kremlini, Wagner, akuzohet se ndërroi anë për “të luftuar kundër rusëve”, e pastaj një sulmues i paidentifikuar ia dërmon me çakan një pjesë të kokës së mercenarit. Kur u pyet për ta komentuar videon – të postuar nën përshkrimin “Çekani i hakmarrjes” – Yevgeny Prigozhin, themeluesi i grupit Wagner dhe aleati i afërt i Vladimir Putinit, u përgjigj: “Një qen e meriton vdekjen e qenit”. Siç është vëzhguar nga shumëkush, sjellja e Rusisë tani është identike me atë të Shtetit Islamik.
Apo, kijeni parasysh aleatin përherë më të afërt të Rusisë, Irani, ku raportohet se vajzat e reja që u arrestuan ngase e protestuan regjimin, po martohen pa dëshirë me roje burgu dhe më pas po përdhunohen, me pretekstin se një e mitur ligjërisht nuk mund të ekzekutohet po qe se është e virgjër.
Kijeni parasysh edhe Izraelin, i cili me krenari e prezanton veten si një demokraci liberale, ani se gradualisht ka nisur t’u ngjasojë disa prej vendeve të tjera fundamentale-fetare që i ka në fqinjësi. Dëshmia më e fundit e këtij trendi janë lajmet se Itamar Ben-Gvir do të jetë pjesë e Qeverisë së re të Benyamin Netanyahut. Para se të hynte në politikë, Ben-Gviri njihej për vendosjen në dhomën e tij të portretit të terroristit izraelito-amerikan, Baruch Goldstein, i cili i masakroi 29 besimtarë myslimanë palestinezë dhe i plagosi 125 të tjerë në Hebron më 1994.
Netanyahu, i cili ishte kryeministri që shërbeu më së gjati në Izrael para se të rrëzohej në korrikun e 2021-tës, është plotësisht i implikuar në këtë kalbje etike. Më 2019, raporton Times of Israel, ai bëri thirrje “për luftë kundër antisemitizmit mysliman dhe majtist në Evropë, pak orë pasi që Qeveria (izraelite) e publikoi një raport që thoshte se e djathta ekstreme përbën kërcënimin më të madh ndaj hebrenjëve në kontinent”.
Pse e injoron Netanyahu antisemitizmin e së djathtës ekstreme? Ngase mbështetet në të.
E djathta e re perëndimore mund të jetë antisemitike përbrenda vendit, por po ashtu e mbështet me ngulm Izraelin, të cilin e sheh si barrierën e fundit kundër një invazioni mysliman.
Mjerisht, e gjithë kjo është vetëm njëra anë e rrëfimit. Kalbja etike është njashtu përherë më e dukshme te e majta “e zgjuar”, që është bërë gjithnjë më autoritare dhe jotolerante tek e mbron lejueshmërinë e të gjitha formave të identitetit seksual dhe etnik – përveç njërit. Sociologu Duane Rousselle e ka karakterizuar të renë “kulturë anulimit” si “racizëm në kohën e të shumtëve, pa një”.
Përderisa racizmi tradicional e përdhos ndërhyrësin që përbën kërcënim për unitetin e Njërit (dominuesit në një grup), “e majta e zgjuar” do që ta bëjë të njëjtën me akëcilin që nuk i ka braktisur në plotësi krejt kategoritë e moçme të Njërit – gjininë, seksualizmin dhe etninë. Të gjitha orientimet seksuale dhe identitetet gjinore tani janë të pranishme, për aq kohë sa jeni një burrë i bardhë, identiteti gjinor i të cilit korrespondon me gjininë biologjike në lindje. Përkatësit e këtij grupi cisgjeniteti janë të urdhëruar të ndihen fajtorë vetëm për atë që janë – për të qenët “komod në lëkurën e tyre” – përderisa të gjithë të tjerët (madje edhe gratë e këtij cisgjeniteti) janë të urdhëruar të jenë çfarëdo që ndiejnë se janë.
Ky “rend i ri” është përherë më i dallueshëm në episodet absurde të botës reale. Vetëm gjatë këtij muaji, Qendra Burimore e Gjinisë dhe Seksualitetit në Kolegjin Gettysburg të Pennsylvanias planifikoi të sponsorizojë një ngjarje studentore për të gjithë ata që janë “të ngopur me burra të bardhë të cisgjenitetit”. Plani ishte që pjesëmarrësit të “vinin të ngjyrosur & të zbardhur shkaku” i zemërimeve të tyre për “komoditetin me lëkurën” të burrave të bardhë të cisgjenitetit. Pas protestës dhe akuzave për racizëm, ngjarja u pezullua.
Ekziston një paradoks në atë se si rrjedhshmëria jobinare përkon me jotolerancën dhe përjashtimin. Në Paris, Universiteti prestigjioz École Normale Supérieure po debaton rreth një propozimi për formimin e korridoreve në konvikte, të rezervuara ekskluzivisht për individë që kanë zgjedhur përzierjen\diversitetin si identitet të tyrin seksual, me qëllim që t’i përjashtojnë burrat e cisgjenitetit.
Rregullat e propozuara janë strikte: çdokush që nuk i përket kriterit do të ndalohet madje edhe vetëm të shkel këmbë në këto korridore. Dhe, natyrisht, rregullat e këtilla do të hapin rrugë për kufizime edhe më të ashpra. Për shembull, nëse mjaftueshëm individë e definojnë identitetin e tyre në terma edhe më të ngushtë, ata mbase do të mund të kërkojnë edhe korridore të veta.
Tri tiparet e këtij propozimi vlen të nënvizohen: I përjashton vetëm burrat e cisgjenitetit, e jo edhe gratë e cisgjenitetit; nuk bazohet në ndonjë kriter objektiv të klasifikimit, por vetëm në vetëpërcaktimin subjektiv; dhe thërret për ndërndasi të mëtutjeshme klasifikuese. Tipari i tretë është vendimtar ngase demonstron sesi të gjitha thekset te plasticiteti, zgjedhja dhe diversiteti përfundimisht shpijnë drejt asaj që mund të quhet vetëm një aparteid i ri – një rrjet i identiteteve të ngurtësuara e të esencializuara.
Zgjuarsia kësisoj e ofron një studim thelbësor se si lejueshmëria bëhet e ndalur: nën një regjim “të zgjuar”, ne kurrë nuk e dimë nëse dhe kur ndonjëri prej nesh do të anulohet për diçka që kemi thënë apo bërë (kriteret janë të mjegullta), apo thjeshtë ngase jemi lindur nën kriterin e ndaluar.
Larg prej kundërshtimit të formave të reja të barbarizmit, siç rëndom pandeh se bën, e majta e zgjuar merr pjesë plotësisht në të, duke e promovuar dhe e praktikuar diskursin shtypës, pa ironi. Ndonëse e mbron pluralizmin dhe e promovon ndryshimin, qëndrimi subjektiv i shpalljes së saj – vendit prej të cilit flet – është pamëshirshmërisht autoritar, duke mos e duruar debatin në përpjekjet për të imponuar përjashtime arbitrare që më parë do të konsideroheshin përtej të pranueshmes në një shoqëri tolerale dhe liberale.
Me fjalë të tjera, duhet të kemi parasysh se kjo katrahurë është në masë të madhe e ndrydhur përbrenda botës së ngushtë të akademisë (dhe profesioneve të ndryshme intelektuale, si gazetaria), përderisa pjesa e mbetur e shoqërisë po lëviz më tepër në drejtimin e kundërt. Në SHBA, për shembull, 12 senatorë republikanë votuan gjatë këtij muaji bashkë me shumicën demokrate për ta kodifikuar të drejtën e çifteve të gjinisë së njëjtë për martesë.
Kultura e anulimit, bashkë me paranojën e saj të nënkuptuar, është një përpjekje e dëshpëruar dhe qartazi vetëmposhtëse për kompensimin e dhunës njëmend reale dhe jotolerancës që pakicat seksuale i kanë vuajtur gjatë kohës. Por është tërheqje në një kështjellë kulturore, në një pseudo-“hapësirë të sigurt”, fanatizmi diskursiv, i të cilit vetëm sa e fuqizon rezistencën e shumicës ndaj saj./KOHA.net
Rruga Press