Bota

Estonia largon monumentin e Bashkimit Sovjetik

Autoritetet estoneze kanë hequr një tank të epokës sovjetike nga piedestali i tij në qytetin lindor Narva, largimi më i rëndësishëm nga rreth 200 deri në 400 monumente të tilla që qeveria është zotuar t’i rrëzojë deri në fund të vitit.

Ishte lëvizja e fundit kundër Rusisë nga vendet në rajonin e Baltikut, me Finlandën që njoftoi të martën se do të zvogëlojë numrin e vizave që u lëshon rusëve në 10 për qind të vëllimit aktual pas shqetësimit në rritje për turizmin rus.

Pas pushtimit rus të Ukrainës, monumentet sovjetike në Estoni nuk ishin më vetëm një çështje lokale, ka treguar të martën kryeministrja Kaja Kallas. “Askush nuk dëshiron të shohë fqinjin tonë militant dhe armiqësor të nxitë tensione në shtëpinë tonë”, ka thënë Kallas.

Shteti Baltik ishte një republikë sovjetike nga viti 1944 deri në 1991 dhe gati një e katërta e popullsisë së tij prej 1.3 milionë banorësh janë rusë etnikë. “Ne nuk do t’i lejojmë Rusisë mundësinë për të përdorur të kaluarën për të prishur paqen në Estoni”, ka thënë Kallas.

Lexo më shumë  Patronazhistët rusë në Moldavi

Qeveria njoftoi synimin e saj për të hequr të gjitha monumentet e epokës sovjetike në fillim të këtij muaji, duke thënë se pushtimi i Ukrainës nga Moska kishte “hapur plagë në shoqërinë tonë që na kujtojnë këto monumente të epokës komuniste”.

Njoftimi u prit me armiqësi nga disa njerëz në Narva, në kufirin e Estonisë me Rusinë, ku vetëm 4 për qind e banorëve janë estonezë etnikë dhe më shumë se 80 për qind janë rusë etnikë, duke bërë që qeveria të ndërhyjë shpejt për të kundërshtuar “tensionet dhe konfuzionin në rritje”, ka thënë Kallas.

Puna për heqjen e tankut T-34 dhe dy monumenteve të tjera sovjetike në qytet filloi nën rojën e policisë menjëherë pas agimit të së martës dhe përfundoi në mes të mëngjesit. Tanku do të shfaqet në Muzeun Kombëtar të Luftës në kryeqytetin Talin.

Lexo më shumë  Bllokohet nisma hungareze për avancimin e integrimit të Serbisë në BE

Ministri i Brendshëm i Estonisë, Lauri Läänemets, ka thënë se konsideratat e rendit publik ishin parësore. “Shumë vendas kujdesen për heqjen e monumenteve”, ka treguar ai, por lufta duhet të përkujtohet “pa konflikte dhe kërcënime e provokime”.

Heqja e monumenteve sovjetike ka shkaktuar trazira në Estoni në të kaluarën: zhvendosja e një statuje të njohur si Ushtari i Bronzit në Talin në prill të vitit 2007 çoi në dy net trazirash dhe plaçkitjesh, gjatë të cilave u vra një protestues rus.

Moska ka kritikuar planet e Estonisë. “Eliminimi i monumenteve të atyre që shpëtuan Evropën nga fashizmi është i egër, sigurisht”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, këtë muaj. “Kjo nuk i bën asnjë meritë asnjë kombi”.

Në Letoninë fqinje deputetët miratuan një ligj në qershor që kërkon që të gjitha “monumentet që lavdërojnë regjimin sovjetik” që nuk ndodhen në varreza të çmontohen deri më 15 nëntor që të transferohen në Muzeun e Pushtimit në Riga. /The Guardian

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *