Është më keq se Republika Sërpska! Pas “zajednicës serbe” në Kosovë është Rusia! Dhe ja pse po ngutet
Nga Shaban Murati
BE i kërkon Prishtinës zbatimin e një marrëveshje të paratifikuar nga parlamenti serb
Diplomacia dhe propaganda ruse, menjëherë pas konfliktit të shkaktuar nga presidenti serb Vuçiç në kufirin me Kosovën në fund të dhjetorit, nisën një fushatë të përqendruar me presione ndërkombëtare për krijimin e “Asosiacionit të komunave serbe” ose të “zajednicës serbe” në Kosovë.
Ato po sulmojnë dhe po akuzojnë cilindo shtet perëndimor, që ngrihet dhe kërkon me të drejtë që “zajednica serbe” të formohet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e shtetit të Kosovës dhe nën sovranitetin e gjithëanshëm të qeverisë së Kosovës.
Kështu në datën 4 shkurt botimi ushtarak qeveritar rus “Vëzhgimi ushtarak” në sajtin e tij “topwar.ru” sulmonte Britaninë e Madhe për mbështetjen, që po i jep Prishtinës në prapaskenat e tanishme të ndezura diplomatike për “zajednicën serbe” në Kosovë. Ja qendrimi zyrtar, që jep media e mësipërme ruse:
“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke përdorur mbështetjen jozyrtare të Britanisë së Madhe, po saboton krijimin e zajednicës serbe. Për këtë ai paraqiti edhe gjashtë kushtet për realizimin e saj, të cilat gjithashtu i mbështet Londra”.
Nuk mund të mos lindë pyetja për arsyet dhe interesin e veçantë, që po tregon tani Moska për krijimin e “zajednicës serbe” në Kosovë. Në 2 janar 2023 zëvendësministri i jashtëm rus, Aleksandër Grushko, afishoi tezën diplomatike ruse se “Elementi qendror i zgjidhjes së problemit kosovar është krijimi i zajednicës serbe”.
Kurse zëdhënësja e MPJ të Rusisë, Maria Zaharova, shprehu në 30 dhjetor 2022 qendrimin kategorik rus se “krijimi i zajednicës serbe është kushti kyç dhe detyrim kyç”.
Nxitimi diplomatik rus për këtë temë vjen nga fakti se Serbia e ka bërë çështjen e “zajednicës” qendër të tratativave të saj diplomatike me BE, duke kërkuar, në shkëmbim të premtimit për bashkimin me sanksionet antiruse, lëshime nga BE për Kosovën dhe në rradhë të parë për hipotekimin e pavarësisë së Kosovës tek Serbia nëpërmjet “zajednicës serbe”.
Diplomacia filoserbe e BE, e cila nuk dihet pse është kaq e obsesionuar pas kërkesës për zbatimin e sanksioneve antiruse nga Serbia, po tregohet shumë e gatshme ta bëjë sovranitetin e Kosovës monedhë shkëmbimi me Serbinë. Diplomacia filoserbe e BE e din fare mirë se zbatimi i sanksioneve antiruse nga Serbia nuk ka asnjë efekt dhe asnjë vlerë për Rusinë, por i intereson të kamuflojë lojën e saj të nëndheshme floserbe, që ka zhvilluar qysh nga nisja e dialogut Serbi-Kosovë në vitin 2011 në Bruksel.
Rusia, e cila as që shqetësohet fare për pickim sanksionesh nga një shtet plesht si Serbia, sepse ajo nuk po pyet as për sanksionet e 30 shteteve të BE dhe as për sanksionet e SHBA, po ndërhyn në këto tratativa BE-Serbi direkt dhe indirekt. Diplomacia ruse nxit presidentin serb të luajë teatër diplomatik me kartën e sanksioneve, me strategjinë që të sigurojë nga BE me zajednicën kontrollin defacto të Serbisë dhe të Rusisë në Kosovë.
Fushata diplomatike dhe propagandistike ruse për zajednicën në rradhë të parë është kundërpërgjigje ndaj përpjekjeve të shtuara të shteteve të mëdha perëndimore për t’i dhënë rrugëzgjidhjen përfundimtare dialogut Serbi-Kosovë. Moska është e shqetësuar nga plani franko-gjerman dhe nga presioni perëndimor mbi presidentin serb për të pranuar atë plan.
Qeveria e Kosovës e pranoi planin franko-gjerman, kurse presidenti Vuçiç e hodhi poshtë dhe vetëm ditët e fundit u detyua të thotë me gjysëm zëri se “e pranojmë si koncept”, pra jo si plan. Diplomacia ruse, që luan fijet në prapaskenë bashkë me presidentin serb, po kundërsulmon ta neutralizojë planin franko-gjerman me këmbënguljen për “zajednicën serbe” në Kosovë. Sepse “zajednica” është shndrruar në instrumentin kryesor diplomatik, me të cilin Rusia mund të detyrojë Beogradin që të zbatojë intransigjencën dhe kursin strategjik prorus në Ballkanin Perëndimor.
Një diplomat perëndimor i lidhur me Ballkanin më ka treguar se idenë për ta shtruar çështjen e “zajednicës serbe” në bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës në Bruksel, ia ka dhënë Moska presidentit serb Nikoliç në vitin 2012. Diplomacia ruse parashikonte që, sado të zgjaste Serbia odisenë e bisedimeve me Kosovën në Bruksel, mund të arrihej një ditë nga presioni perëndimor që të cedonte dhe të shkonte drejt pikës së pranimit të shtetit të pavarur të Kosovës.
Në këtë perskpektive të padëshiruar Moska hodhi nëpërmjet Serbisë projektin e krijimit të “zajednicës serbe” në Kosovë, e cila do të çvleftësonte shtetin e pavarur të Kosovës dhe do të krijonte kushtet e amputimit të shtetit të Kosovës me shtrirjen e zajednicës në gjithë territorin e tij. Rusia kishte pasur sukses më parë me propozimin e saj të krijimit të të ashtuquajturës “serpska republika” në Bosnjë-Hercegovinë në bisedimet e Dejtonit në 1995, kur diplomacia amerikane për hir të ndalimit të luftës së përgjakëshme në Bosnje e pranoi planin rus. Vite më vonë kryetari i delegacionit diplomatik amerikan në bisedimet e Dejtonit, Riçard Hollbruk, ka shprehur pendimin, që detyroi delegacionin boshnjak të pranonte krijimin e “serpska republikës”.
Ashtu siç dëshironte interesi strategjik rus “serpska republika” rezultoi gjatë 28 viteve një minë shkatërruese për sovranitetin dhe integritetin e shtetit të Bosnje-Hercegovinës.
Këtë strategji diplomatike dinake afatgjatë Rusia e aplikoi me vendosjen në tryezën e bisedimeve të Brukselit të çeshtjes së “zajednicës serbe” në Kosovë. Për hir të së vërtetës dhe të historisë duhet thënë se udhëheqësit e Kosovës, që e pranuan në tryezën e bisedimeve “zajednicën” dhe e nënshkruan me shpejtësi të habitëshme një marrëveshje për të, i detyrohen një shpjegim populit të Kosovës përse e pranuan kurthin serbo-rus. Kushdo qofshin dhe kudo qofshin ata, i kanë borxh zyrtar dhe kombëtar popullit të Kosovës t’i kërkojnë falje për këtë.
E papritura e sjelljes së gabuar shtetërore vazhdoi me ratifikimin e nxituar pas disa javësh në parlamentin e Kosovës të marrëveshjes për zajednicën. A e dini se parlamenti i Serbisë nuk e ratifikoi kurrë as sot e kësaj dite atë marrëveshje dhe asnjë qeveri serbe nuk e çoi kurrë për ratifikim?
Prishtina dhe Tirana e kanë për detyrë diplomatike të qartësojnë kolegët perëndimorë se marrëveshja për zajednicën nuk është në fuqi, sepse nuk e ka ratifikuar parlamenti i Serbisë dhe për pasojë juridike nuk mund të vihet në zbatim.
Nga ana tjetër ajo nuk është as një marrëveshje normale dhe e rregullt ndërkombëtare dhe nuk i ngjan asnjë dokumenti ndërkombëtar. Në formën e tij atë nuk do ta pranonte si dokument ndërkombëtar as edhe një gjykatë fshati. Pse nuk e çon Serbia në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, meqë sipas saj Kosova nuk po e zbaton dhe sipas ligjit ndërkombëtar çdo ankesë e një shteti palë për një marrëveshje ndërkombëtare çohet në gjykatë?
Por çdo jurist fillestar do të konstatonte menjëherë se ajo është e pavlefshme, sepse marrëveshja nuk ka as testato në krye se cilat shtete dhe qeveri janë palë dhe po e nënshkruajnë atë, as se kush janë përfaqësuesit e qeverive përkatëse, as se çfarë emrash dhe mbiemrash mbajnë dhe as se çfarë postesh zyrtare kanë. Kanë vetëm dy apo tre sigla të padëshifrueshme, dhe madje as Ketrin Ashton, nuk ka denjuar të verë emrin dhe mbiemrin e saj dhe as postin e saj të nënpresidentit dhe të ministrit të jashtëm të BE si garantuese e marrëveshjes.
Diplomacia ruse i di mirë gjithë këto difekte të qëllimëshme, por ajo po ushtron presion mbi Serbinë dhe mbi shtetet e BE që të detyrojnë Kosovën t’i hapë varrin vetes me “zajednicën serbe”. Rusia si projektuese e di mirë se zajednica është mohimi i shtetit të Kosovës.
Madje zajednica është më e keqe sa sa “serpska republika” në Bosnje-Hercegocinë, sepse “serpska republika” vepron vetëm në territorin e saj administrativ dhe nuk kontrollon federatën boshjako-kroate. Kurse “zajednica serbe” me dhjetë komunat e planifikuara të saj të shtrira në gjithë Kosovën e paralizon plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
Po t’i shtojmë kësaj edhe të ashtuquajturin ekstraterritorialitet të kishave dhe manastireve ortodokse serbe në territorin e Kosovës, i mbetet vetëm një thelë tokë popullit shqiptar që përbën 95 përqind të popullsisë, kurse minoriteti serb me 4,5 përqind merr gjysmën e territorit.
Ndaj Rusia po bën presion të jashtëzakonshëm mbi Serbinë që të shfrytëzojë ethen e befasishme të “zajednicës”, që ka kaplluar diplomacinë filoserbe të BE, për të kërkuar statusin e zajednicës si entitet autonom.
Dy eksperte rusë të Ballkanit, Sergej Artjomov dhe Danill Çugunov, respektivisht president dhe drejtor shkencor të qendrës ballkanike të Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare MGIMO të Ministrisë së Jashtëme të Rusisë, në një studim të tyre me titull “Krijimi i asosiacionit të komunave serbe në Kosovë” theksojnë:
“Moska vazhdimisht këmbëngul që parametri kyç i rregullimit kosovar është krijimi i autonomisë serbe”.
Gazeta ruse “Vzgljad” në 24 jnar 2023 zgjeronte qendrimin rus me objektivin e federalizimit të Kosovës, njësoj siç iu propozua Ukrainës për Donbasin. Gazeta sqaronte më konkretisht se “Skema me federalizimin e Kosovës në fund të fundit u duhet serbëve që të kthejnë kontrollin e Beogradit në Veriun e Kosovës”.
Krijimi i një “zajednice serbe” në territorin e Kosoves i intereson Rusisë strategjikisht për të pasur një gjenerator të përhershëm konflikti dhe lufte në mes të Ballkanit Perëndimor. Rusia i hap kështu BE dhe NATO-s një telash të madh dhe një vatër të re konflikti, që do të menexhohej nga Kremlini. Me dy “serpska republika”, një në Bosnjë dhe një në Kosovë, Moska do të kontrollonte Ballkanin Perëndimor.
Në këtë linjë Rusia po i bën presion Serbisë që të përfitojë nga dashuria e beftë e tanishme e diplomacisë perëndimore për zajednicën serbe dhe të mos pranojë më pak se autonominë për të. Në 2 shkurt një nga agjencitë kryesore qeveritare ruse “News.ru” paralajmëronte Beogradin që të mos largohej nga koordinimi me Moskën në trafikun e tanishëm diplomatik për zajednicën:
“Nëse Serbia vendos të zbatojë sanksionet kundër Rusisë, Moska me siguri do ta fusë Serbinë në listën e shteteve armike. Me këtë Serbia do ta humbë mbështetjen e Rusisë për Kosovën në Këshillin e Sigurimit”.
Zhvillimet e fundit dramatike rreth e rrotull Kosovës tregojnë se çeshtja e “zajednicës serbe” në Kosovë ka kaluar tashmë nga një çështje e dialogut Serbi-Kosovë në një çështje gjeopolitike dhe makrodiplomatike midis Perëndimit dhe Rusisë. Është e kuptueshme se në këtë optikë hija e rrezikut shtohet për Kosovën dhe interesat e saj sovrane.
Përplasja e madhe gjeopolitike është midis projektit amerikan për një zajednicë pa kompetenca ekzekutive dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe projektit rus për një zajednicë me kompetenca shtetërore, një shtet brenda shtetit. Është një process diplomatik në zhvillim e sipër, nga i cili do të precipitojë se kush janë ata, që i duan të mirën, dhe dhe kush janë ata, që nuk ia duan të mirën Kosovës dhe kombit shqiptar. /gazeta dita/
Rruga Press