Escobar: Njohja reciproke, idealja për dialogun Kosovë – Serbi
Zëvendësndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se njohja reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë do të ishte mënyra ideale për të normalizuar marrëdhëniet mes dy shteteve.
Në një dëshmi para Nën-Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Evropën, Escobar ka thënë se administrata e presidentit Joe Biden ka dyfishuar përkushtimin amerikan për të punuar me aleatë dhe partnerë që Ballkani Perëndimor të avancojë në rrugën evropiane.
“Mesazhi më i fuqishëm që mund të japë tani BE-ja është që të caktojë nisjen e bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, para fundit të këtij viti”, ka thënë deklaruar Escobar. Sipas tij, vonesat në këtë drejtim mund të nxisin dyshime dhe rrezikojnë të shkatërrojnë shpresat e një brezi të ri për të ardhmen evropiane.
Për këtë arsye, ai ka thënë se Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, kanë dalë me komunikatë të përbashkët, më herët gjatë këtij muaji, për të theksuar se anëtarësimi në bllokun evropian është rruga e vetme përpara për rajonin.
Gjatë dëshmisë së tij ai ka përmendur edhe rëndësinë e vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja. Escobar ka thënë se për këtë arsye ka udhëtuar në Bruksel muajin e kaluar për të përkrahur përpjekjet e Përfaqësuesit Special të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, që të shtyjë të dyja palët për të shtensionuar situatën për shkak të targave të makinave dhe për të gjetur zgjidhje.
Escobar i është referuar marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë më 30 shtator, sipas së cilës, makinat e regjistruara në Kosovë dhe në Serbi duhet të vendosin letra ngjitëse mbi simbolet shtetërore në targat e makinave kur të kalojnë në territorin e njëra-tjetrës.
“Së bashku e kemi bërë të qartë se dialogu është forum në të cilin të dyja palët, si të barabarta, duhet të punojnë për të zgjidhur dallimet e tyre dhe për të normalizuar marrëdhëniet, në mënyrë ideale përmes një njohjeje reciproke”./RadioEvropaeLirë