Art & Kulturë

Ernest Koliqi, ministri i Arsimit që në rrethanat e okupimit dërgoi qindra mësues në Kosovë

Sot, më 16 janar kujtojmë shkrimtarin dhe ministrin e Arsimit, Ernest Koliqi në 49 vjetorin e tij të vdekjes.

Në shtator të vitit 1941, me një vendim të Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë, kur ministër ishte Ernest Koliqi, mbi 400 arsimtarë normalistë dhe të shkollës amerikane të Fullcit, shkuan në Kosovë, trojet shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi, si dhe në Çamëri.­ Nga mësuesit e viteve 1941-1951, që shërbyen në Kosovë, u vranë ose u varën 25 mësues nga të cilët dy lumjanë të Kukësit, u burgosën në kampet e internimit në Jugosllavi, por edhe në Shqipëri, 252 mësues e profesorë dhe 45 të tjerë që u dëbuan nga vendlindja për në Turqi, Greqi e deri në Australi.

Siç mësojmë nga shënimet e hulumtuara, mësojmë se figurë kyçe, ishte pikërisht ministri i Arsimit të Shqipërisë, Ernes Koliqi, që e ndërmori këtë mision për hapjen e shkollave shqipe në Kosovë dhe trojet tjera shqiptare (siç thuhej ndryshe: “Tokat e Lirueme”), ka qenë intelektuali, studiuesi, publicisti dhe shkrimtari i njohur, Ernest Koliqi (1903 – 1975), i cili në atë kohë (1941) ka qenë ministër i arsimit në Shqipëri.

Në rrethanat e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste (1939), Ministri i Arsimit i Shqipërisë, Ernest Koliqi, tuboi rreth vetes një bërthamë të intelektualëve më të shquar të kohës, si: shkrimtarë, mësues, pedagogë, gjuhëtarë etj., duke kërkuar nga ta që të formohen komisionet për përpilimin e teksteve mësimore për shkollat fillore dhe të mesme. Disa nga intelektualët, si: Karl Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Rexhep Krasniqi, Namik Resuli, Kolë Kamsi e të tjerë iu përveshën punës me tërë qenien dhe brenda një periudhe optimale përpiluan disa tekste shumë të rëndësishme për kohën, duke ua zhdukur kështu rrënjët diktimeve, përshkrimeve dhe përkthimeve individuale që u bënin disa mësimdhënës njësive mësimore e teksteve nga gjuhët e huaja.

Tekstet dhe shkollat e para në gjuhën shqipe në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi

Pas kapitullimit të Jugosllavisë dhe lirimit të tokave shqiptare (Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi) u hapën shkollat e para në gjuhën shqipe. Kështu, në vitin shkollor 1941/42, për këto shkolla shqipe u botuan 37 tekste mësimore: 13 tekste mësimore për shkollat fillore pesëklasëshe, 14 tekste mësimore për shkollat e mesme dhe 14 vepra të ndryshme letrare e historike. Këto tekste u shpërndanë menjëherë nëpër shkollat shqipe gjithandej në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, pra edhe në Prefekturën e Mitrovicës (Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë, Pazar i Ri), e cila gjendej në zonën e okupimit gjerman.

Më 1948, Qeveria Jugosllave dëboi nga Kosova për në Shqipëri 714 mësues

Periudha 1941-1945, në kushtet kur arsimi u drejtua e u financua direkt nga Qeveria Shqiptare, la gjurmë të pashlyeshme dhe themele të qëndrueshme, të cilat bënë të mundur që intensiteti i kësaj pune të vazhdojë deri më 1948, duke mbrojtur shkollën dhe gjuhën shqipe nga sulmet serbo-sllave.
Pas vitit 1947 qëndrimi për eliminimin e arsimit shqiptar ka qenë permanent. Që në qershorin e vitit 1948 Qeveria Jugosllave largoi e dëboi nga Kosova për në Shqipëri 714 mësues të ardhur nga Shqipëria në Kosovë nga viti 1941 e më pastaj.

Shumë nga mësuesit e ardhur në Kosovë persekutohen, arrestohen e dëbohen

Nga personeli mësuesve të viteve 1941-1951, që shërbyen në Kosovë, u vranë ose u varën 25 mësues nga të cilët dy lumjanë të Kukësit, u burgosën në kampet e internimit në Jugosllavi, por edhe në Shqipëri, 252 mësues e profesorë dhe 45 të tjerë që u dëbuan nga vendlindja për në Turqi, Greqi e deri në Australi.
Pavarësisht nga të gjitha konsekuencat që kanë ndodhur e mund të ndodhin si, deri te helmimi e masakrimi i nxënësve nëpër shkolla në Kosovë, arsimi ynë kombëtar ecën e do të eci në trasenë e zhvillimit mbarëkombëtar, ku arritjet e qëndrueshme të integrimit në arsim e sidomos në kulturë e në shkencë përbëjnë bazën e integrimeve edhe në fushat tjerë.

Në Kosovë punohej në bazë të ligjeve arsimore të Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë

Gjatë viteve 1941-1944 arsimi në Kosovë punonte në bazë të ligjeve dhe rregullave arsimore të Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë, të cilën e udhëheqtë fillimesh Ernest Koliqi. Kjo ministri përcaktoi detyrat e Drejtorisë së Arsimit, të inspektorëve të arsimit, drejtorive didaktike, këshillave shkollorë, si dhe komisioneve shkollore. Po ashtu kjo Ministri merrej edhe me studimin e programeve mësimore, teksteve shkollore, si dhe me nevojat e tjera që mund të dilnin gjatë punës.

Komisionet shkollore krijoheshin pranë çdo komune dhe përbëheshin nga kryetari i komunës, drejtori apo kryesuesi i shkollës si dhe nga përfaqësues të prindërve. Ky komision përkujdesej për nevojat e zhvillimit dhe mirëvajtjes së arsimit në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare, si në Maqedoni dhe në Mal të Zi.

Në vitin 1941 në Kosovë hapën 173 shkolla fillore në gjuhën shqipe

Ministria e Arsimit në vitin 1941 themeloi edhe 5 inspektori të arsimit që funksionuan në 5 qendra që iu bashkuan shtetit-shqiptar: Inspektoritë e Arsimit: në Prishtinë, Prizren, Pejë, Tetovë dhe në Dibër.

Në këtë periudhë, sipas të dhënave, në Kosovë u hapën 173 shkolla fillore në gjuhën shqipe, disa të mesme si gjimnazet në Prishtinë, dhe Prizren, pastaj në Pejë Instituti Tregtar Agrar dhe Shkolla Normale-Tregtare në Gjakovë dhe disa gjimnaze të ulëta me gjithsej 267 paralele. Në këto shkolla punuan 264 mësues që zhvillonin mësimin në to dhe u frekuentuan nga 13.665 nxënës, 4.000 prej të cilëve ishin nga zona e okupimit gjerman.

Kështu, mësuesit e ardhur nga Shqipëria, përveç tjerash, patën një ndikim edhe në fuqizimin e ndjenjës kombëtare, ngase  nëpër shkolla u mësonin fëmijëve shqiptarë historinë kombëtare e cila ishte pak e njohur për ta, ngase deri në këtë periudhë, ata mësonin nëpër shkolla vetëm në gjuhën serbe. Po ashtu ky bashkëpunim ishte i pari në këto përmasa që nga ndarja e Kosovës nga trungu i saj më 1913, prandaj rëndësia e tij ishte e shumanshme, sepse mundësoi, ndër të tjera, që shqiptarët të shtojnë kontaktet e tyre në të gjitha fushat.

Kurse për zhdukjen e analfabetizmit në të gjitha qendrat e Kosovës

Po ashtu, afër 300 mësues të ardhur nga Shqipëria, jo vetëm që hapën shkollat, por dhe mbanin kurse për zhdukjen e analfabetizmit në të gjitha qendrat e Kosovës, me grup-mosha të ndryshme.

Këta mësues, përveç lëndëve të tjera, u mësonin në veçanti nxënësve kosovarë  gjuhën shqipe, historinë etj. Kështu, në këtë periudhë janë shpjeguar tema nga historia kombëtare si  Gjergj Kastrioti-Skënderbeun, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Lidhja e Pejës, Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë etj, si dhe janë dhë njohuri për personalitete të shquara të kombit shqiptar. Për nxënësit shqiptar në Kosovë që deri atëherë mësonin nëpër shkolla vetëm në gjuhën serbe, arsimi shqip dhe mësuesit shqiptarë shikoheshin si “mesia” i  tyre.  Themi kështu, ngase mësuesit e ardhur nga Shqipëria ndikuan në fuqizimin  e ndërgjegjes kombëtare, këto të dhëna në mënyrë të hollësishme ofron PhD. Haxhi Ademi, i cili në kohën kur u mor me këtë temë ishte Hulumtues i pavarur shkencor për shek.XX në  Institutin e Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë dhe kandidat për doktoraturë në  Universitetin e Prishtinës. Ndaj edhe meriton një respekt për hulumtimin e hollësishëm e analitik që ka bërë.

YouTube player