KryesoreLajme

Erion Veliajt i shtohet një akuzë e re nga SPAK

Kryebashkiakut Erion Veliaj iu është shtuar një akuzë e re nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion.

Gazetarja Klodiana Lala raporton se Erion Veliajt iu është komunikuar nga prokurorët e posaçme akuza për futjen e sendeve të ndaluara në qelitë e paraburgimit.

Kryebashiaku i Tiranës akuzohet edhe për veprat penale pastrim parash dhe korrupsion.

Erion Veliaj ka dalë përkohësisht nga paraburgimi i Durrësit ditën e sotme (20 Mars) dhe është dërguar në Prokurorinë e Posaçme ku mësohet se ka dhënë shpjegime për hetimet ndaj tij.

Seanca e marrjes në pyetje e kryebashkiakut Veliaj, në cilësinë e personit nën hetim, ka zgjatur rreth 1 orë e 30 minuta dhe më pas është dërguar sërish drejt Durrësit.

Marrja në pyetje e Erion Veliaj, i cili ndodhet në burg prej 10 Shkurtit, është bërë në prani të avokatëve të tij Ermir Beta dhe Artur Selmani.

Telefonata që fundosi Veliajn dhe përgjimet

Referuar të dhënave që kanë dalë nga SPAK bëhet me dije se ditën kur Erion Veliaj u la në burg nga Apeli i GJKKO, diçka e pazakontë ka ndodhur në makinën me të cilën kryetari i bashkisë po transferohej nga paraburgimi i Durrësit për në Apelin e GJKKO në Tiranë më 13 Mars.

Një nga oficerët e burgjeve që shoqëronte kryetarin e bashkisë i ka dhënë këtij të fundit telefonin e tij me qëllim që Veliaj të bënte telefonata.

Mësohet se gjatë marrjeve në pyetje, oficeri i burgjeve e ka pranuar një fakt të tillë dhe ka deklaruar se e kishte bërë nga frika. Për këtë arsye Prokuroria e Posaçme ka marrë nën hetim oficerët e burgjeve, të cilët shoqëronin kryetarin e Bashkisë së Tiranës.

Në fakt, edhe në sallën e gjyqit, në tri ditët e rivlerësimit të masës së sigurimit u fol për përgjime të kryera ndaj Veliajt, si shtesë në një tjetër material që dyshohet se do t‘i bashkëngjitet dosjes voluminoze me të cilën edhe u prangos.

Lexo më shumë  Sorensen: Hedhja dritë mbi fatin e të zhdukurve, prioritet për mua

Gjatë seancës më 13 Mars, kryebashkiaku Veliaj ka kundërshtuar dosjen e SPAK, duke u shprehur se provat e reja janë “çimka dhe telefonatat e tij me djalin, si edhe familjen”. Sipas të dhënave, mësohet se nga seanca në Apelin e GJKKO-së, Erion Veliaj ka pretenduar se SPAK ka përgjuar 1 muaj bisedat e tij familjare që sipas kryebashkiakut kanë të bëjnë me intervistat në media.

“Ju nuk keni konsideruar prova të reja sulmet publike të Sali Berishës ndaj SPAK. Por keni konsideruar prova të reja çimkat dhe telefonatat e mia me djalin dhe familjen dhe interesimin tim për intervista në TV kryesore” – mësohet se është shprehur Erion Veliaj. Ai ka kërkuar seancë me dyer të hapura duke u shprehur se: “Unë jam ende kryetar bashkie në detyrë, i votuar nga çerek milioni njerëz. Unë i qëndroj çdo postimi që kam bërë në rrjetet sociale”.

YouTube player